Ekonomia

Aksidentet rrugore, dëm prej gati 1.5 për qind të GDP-së në ekonomi

Aksidentet rrugore janë një problem madhor jo vetëm shëndetësor, por edhe ekonomik për Shqipërinë. Një raport i Bankës Botërore tregon se, Shqipëria ka një nga normat më të larta të vdekshmërisë në aksidente rrugore në Europë, mesatarisht 84.7 vdekje në vit për çdo 100 mijë automjete.

Sipas Bankës, ky tregues është minimalisht dy herë më i lartë se ai i vendeve të rajonit, të cilat kanë një normë vdekshmërie nga aksidentet që varion nga 13.8 vdekje për 100 mijë mjete në Greqi, deri në 41.3 vdekje për 100 mijë mjete në Malin e Zi.

Ndërsa, nëse krahasohet me vendet e zhvilluara të Perëndimit, vdekjet nga aksidentet për numër mjetesh në Shqipëri janë deri në 10 herë më të larta.

Por veç kostove tragjike njerëzore, aksidentet janë një barrë e lartë për ekonominë. Sipas Bankës Botërore, kostoja ekonomike e aksidenteve rrugore në Shqipëri është mesatarisht 130 milionë euro në vit, ose gati 1.5 për qind e prodhimit kombëtar.

Për shkak të kostove tronditëse, në prill të vitit të kaluar Banka Botërore dhe Qeveria shqiptare nisën një projekt të përbashkët me vlerë 128.5 milionë euro, për të përmirësuar sigurinë rrugore në Shqipëri. Objektivi i projektit është që, brenda vitit 2020, numri i vdekjeve nga aksidentet rrugore të ulet në 250 vdekje në vit, nga 295 vdekje që ishte në vitin 2013.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se, në periudhën 2012-2014 numri i vdekjeve nga aksidentet rrugore u ul me 20 për qind. Por vitin e kaluar, i cili shënon dhe fillimin e projektit, tendenca u përmbys dhe numri i njerëzve që humbën jetën në aksidente u rrit me 2.2 për qind.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button