Kronika

Aksioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike, 35 të arrestuar plus një faturist (VIDEO)

Policia e Tiranës dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, kanë nisur sot zbatimin e planit të përbashkët të masave për të evidentuar dhe çuar përpara drejtësisë të gjithë personat që vjedhin energjinë elektrike. 

Të gjithë komisariatet e policisë së Tiranës kanë qenë në terren së bashku me punonjësit e OSHE.

Operacioni u shtri në disa zona të kryeqytetit, të evidentuara më parë si zona problematike në drejtim të abuzimit me energjinë elektrike. Grupet hetimore të ngritura për këtë qëllim, duke koordinuar punën me punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, mundësuan arrestimin e 21 personave, të cilët u kapën në kushtet e flagrancës me lidhje të dyta apo duke vjedhur energji.

Në prangat e policisë ka rënë edhe një punonjës i OSHE me detyrë faturist. Ali Malaj punonjës i Drejtorisë Rajonale Tiranë Njësia Nr.3, me detyrë faturist është arrestuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Gjatë procedimit të shtetasve të lartpërmendur në çdo rast janë kryer veprimet procedurale për të dokumentuar faktin e vjedhjes, duke këqyrur vendin e ngjarjes si dhe kryerjen e ekspertimeve të ndryshme sipas procedurës dhe rrethanave të ndodhura.

Po ashtu, është bërë sekuestrimi me cilësinë e provave materiale, i mjeteve dhe sendeve që kanë shërbyer për vjedhjen e energjisë.

Bashkëpunimi me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë, do të vijojë, për të analizuar dhe mbikëqyrur zonat ku është proceduar dhe ka tendenca për rilidhje të paligjshme të energjisë elektrike, duke mundësuar kapjen në arrestimin në flagrancë të vjedhësve të energjisë.

“Sot kemi vepruar në bazë të hot-spoteve. Aksioni deri tani ka çuar në kapjen flagrancë të 21 bizneseve. Nuk jemi marrë me popullin por me bizneset që kanë si qëllim vetëm fitimin. Do të vazhdojmë aksionin deri sa lidhja e fundit e vjedhjes së energjisë të jetë shkëputur. Operacioni është shtrirë në të gjithë vendin dhe deri më tani në një numër të përgjithshëm janë 36 arrestime në rang vendi, dhe nuk është i fokusuar tek abonenti familjar por vetëm tek bizneset”, deklaroi Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button