Kronika

Akuzë Çefës për AKKP: Ka falsifikuar 1000 ha tokë

celaKomisioni hetimor parlamentar ka ngritur një tjetër akuzë ndaj nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa.
Këtë radhë bëhet fjalë për periudhën kur ai ishte kryetar i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sipas dokumentit të publikuar nga deputetët Braho e Balla, AKKP ka bërë kallëzim ndaj Çefës për shpërdorim detyre. Kallëzim që rezulton i regjistruar në prokurori për nisje hetimesh. Në dokument thuhet se një subjekti nga 220 ha tokë që kishte kërkuar, i është firmosur për 1220. Ndërsa vetë Çefa në komision tha se ky vendim nuk ka të bëjë me të, por me një vendim të vitit 2002. Gjithsesi, Komisioni hetimor ka mbyllur dje hetimet ndërsa ngarkoi Armando Subashin dhe Ulsi Manjën për hartimin e raportit përfundimtar që do të dorëzohet të shtunën. Gjatë argumenteve të tyre, si Çefa edhe Lelçaj janë mbështetur në faktin se dhe vetë kreu i Komisionit hetimor, Armando Subashi, në periudhën që ka qenë anëtar i KLD-së ka zbatuar pikërisht këto rregulla që ata kanë ndjekur dhe për të cilat akuzohen. Gjithashtu, Çefa dhe Lelçaj janë shprehur se Komisioni është antikushtetues. Në lidhje me këtë kreu i Komisionit Subashi është shprehur se ka një precedent për këtë, ai i Komisionit ndaj Kreshnik Spahiut, ku u miratua raporti për shkarkimin nga posti i nënkryetarit të KLD-së. Komision i cilësuar konform Kushtetutës.
Përplasja
Në fillim të mbledhjes Çefa ka kërkuar largimin e Subashit dhe Brahos si anëtarë të komisionit. Kjo pasi Subashi ka qenë anëtar i KLD-së, ndërsa Braho ishte shprehur negativisht ndaj tij në media, kërkesë që u refuzua nga komisioni, pasi nuk kishte bazë ligjore. Një nga argumentet më të përfolura në lidhje me emërimet në KLD ka qenë ai i refuzimit të rifutjes në sistemin e drejtësisë të ish-prokurores Ina Rama, si dhe kreut të Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Për to, Çefa tha se Beçaj dhe Rama kanë kërkuar të jenë në Gjykatën e Apelit Tiranë. Ndaj në KLD është vendosur që të futen në konkurrim në momentin që do të hapet gara për këtë pjesë. Vendim, që sipas Çefës është kolegjial. Madje, Çefa tha se edhe ankesa e Ina Ramës, kërkesa e së cilës u shqyrtua pas ndërhyrjes së ministrit Naço, në gjykatë është fituar prej KLD-së. Nga ana e tij, Lelçaj u shpreh se nuk kishte dijeni se si është vepruar me rastin e Shpresa Beçajt.
Në lidhje me akuzën se janë emëruar në gjykata ata konkurrues që nuk kanë qenë të parët me pikë në listën e garuesve, Çefa tha se për këto, secili nga anëtarët e KLD ka të drejtën e dhënies së një mendimi. Kjo pasi ata kanë informacion për gjyqtarët, ndaj është vlerësuar të mbështeten garuesit që kanë integritet moral. Argument i parë nga deputetët si abuziv dhe i çuditshëm, përballë faktit që sjellin pikët e marra. Një tjetër pikë përplasjeje ka qenë dhe diskutimi për shpalljen e vendeve vakante si kompetencë e ministrit. Ndërsa Çefaj është shprehur se në një rast është rivënë në fuqi vendimi i ministrit për vendet vakante, vetë Lelçaj tha se nuk kishte dijeni se në cilin afat ishin shpallur më parë këto pozicione vakante.

Replikat në komision
Elvis Çefa: Armando Subashi është në konflikt interesi… Spatak Braho ka dhënë në media vlerësim negativ, ndaj duhet të mos jetë anëtar.
Spartak Braho: Ligji nuk parashikon në asnjë moment përjashtimin e deputetit.
Taulan Balla: Jam i fyer që s’më ke futur dhe mua në këtë kërkesë. Dhe unë e kam dhënë publikisht mendimin tim negativ ndaj jush… Opozita thotë në kafene se mirë ia bëni (për Çefën) se ai ka abuzuar.
Spartak Braho: Kur ishit në AKKP ka një vendim pronësie ku janë kërkuar për t’u kthyer 220 hektarë, ndërsa janë dhënë 1220. 1000 ha janë dhënë për baxhanakun tënd.
Elvis Çefa: Unë nuk kam baxhanak për fat të mirë.
Taulant Balla: U kërkua kompensim për 220 hektarë tokë. Por një ditë të bukur iu shtua një njësh para. Ku diku i është futur një copë pylli pa fund. Ke dosje nga Policia e Krimit Ekonomik në atë kohë nën kujdesin e Agron Kuliçajt.
Elvis Çefa: Nuk ka në Shqipëri një sipërfaqe kaq të madhe të lirë… Është arrestuar një ish-drejtor agjencie rajonale, i cili më pas u la i lirë me vendim gjykate. Sot e keni këshilltar pranë ministrit të Drejtësisë, Naço… Po ju lexoj një qëndrim të një ish-anëtari të KLD. Kushtetuta i jep të drejtën Kuvendit vetëm për emërimin e anëtarëve të KLD-së, por jo të shkarkimit. Qëndrimi është mbajtur në mbledhjen e KLD, e thënë më 20 korrik të vitit 2006 nga Armando Subashi.
Armando Subashi: Por po të lexonit raportin e komisionit hetimor ndaj Kreshnik Spahiut do të ndryshonit mendim.
Taulant Balla: Keni pasur mëri personale me zonjën Ina Rama?
Elvis Çefa: Nuk kam mëri personale, por kam vlerësim të jashtëzakonshëm për aftësitë profesionale, por dhe nga njohja personale që kam me të.
Armando Subashi: Z. Lelçaj, kur janë shpallur vendet vakante? Keni dijeni? Me aq sa keni gërmuar nuk keni parë se kur ishin shpallur vendet vakante në gjykata?
Lulzim Lelçaj: Unë nuk kam gërmuar. Jam me profesion jurist. Në radhë të parë bëj vlerësimin dhe gjykimin për veten. Edhe ju si deputet, nëse ka rebel, maksimumi e hiqni nga grupi, por nuk i hiqni mandatin. Për Ina Ramën kam dhënë vlerësimin tim

BRAHIM SHIMA

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button