☀️
Tiranë 29°C · Kthjellët 13 July 2026
S&P 500 7,537 ▼0.5%
DOW 52,505 ▼0.25%
NASDAQ 25,988 ▼1.12%
NAFTA 74.72 ▲4.64%
ARI 4,022 ▼2.24%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1405 EUR/GBP 0.8519 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.7837 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3463 EUR/TRY 53.6393 EUR/JPY 184.62 EUR/CAD 1.6155 EUR/USD 1.1405 EUR/GBP 0.8519 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.7837 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3463 EUR/TRY 53.6393 EUR/JPY 184.62 EUR/CAD 1.6155
₿ CRYPTO
BTC $62,604 ▼ -2.4% ETH $1,779 ▼ -2.32% XRP $1.0735 ▼ -2.62% SOL $75.9200 ▼ -2.04%
S&P 500 7,537 ▼0.5 % DOW 52,505 ▼0.25 % NASDAQ 25,988 ▼1.12 % NAFTA 74.72 ▲4.64 % ARI 4,022 ▼2.24 % S&P 500 7,537 ▼0.5 % DOW 52,505 ▼0.25 % NASDAQ 25,988 ▼1.12 % NAFTA 74.72 ▲4.64 % ARI 4,022 ▼2.24 %
EUR/USD 1.1405 EUR/GBP 0.8519 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.7837 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3463 EUR/TRY 53.6393 EUR/JPY 184.62 EUR/CAD 1.6155 EUR/USD 1.1405 EUR/GBP 0.8519 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.7837 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3463 EUR/TRY 53.6393 EUR/JPY 184.62 EUR/CAD 1.6155
13 Jul 2026
Breaking
Opinion

Algoritmi dhe Altin Likja

Nga THOMA GËLLÇI

Në një ditë të nxehtë gushti, Shefi i Madh postoi në Facebook një foto nga bregdeti i Vlorës. Në foto dukej deti, disa varka, një anije, Sazani në horizont dhe poshtë saj kishte shkruar një fjali të thjeshtë: “Vlora është e mrekullueshme.”
Nuk kishte kaluar asnjë sekondë nga postimi, kur fotografia u shoqërua me një zemër. Shefi i Madh klikoi mbi të dhe pa se vlerësuesi i parë ishte një person me emrin Altin Likja.

Nga kureshtja, hapi profilin e tij. Altini ishte një kolonjar në pension, i larguar prej vitesh në Gjermani. Në foton e profilit kishte një pamje serioze, me flamurin shqiptar në sfond dhe një buzëqeshje të matur, si njeri që e dinte shumë mirë ku duhej vendosur zemra e ku duhej shkruar komenti.
Pak çaste më vonë erdhi edhe komenti i parë:
“Bravo! Lum vendi që të ka! Vlora shkëlqen falë teje!”

Shefi i Madh buzëqeshi. E lexoi dy herë komentin dhe, i kënaqur, i ktheu një falënderim të shkurtër. Por para se të mbyllte telefonin, Altini komentoi përsëri. Këtë herë shkruante se kishte parë detin e Vlorës me sytë e tij dhe se vetëm një udhëheqje me vizion mund ta bënte detin të dukej aq bukur. Sazani, sipas tij, dukej sikur ishte pikturuar me dorën e Shefit të Madh.
Që nga ajo ditë, Altin Likja nuk mungoi më kurrë.

Kur Shefi i Madh postonte për bujqësinë, Altini ishte aty. Kur postonte për arsimin, Altini ishte aty. Kur postonte për rrugët, portet, aeroportet, turizmin, pemët, retë apo perëndimin e diellit, Altini ishte përsëri aty, gjithmonë i pari, gjithmonë i frymëzuar, gjithmonë me të njëjtën zemër të kuqe.
Një ditë, Shefi i Madh postoi fotografinë e një maceje që rrinte pranë një dritareje. Altini nuk u vonua:
“Edhe kjo mace rritet ndryshe nën qeverisjen tuaj. Ishte një kohë që macet ishin larguar nga vendi. Por që kur erdhët ju, macet po shtohen çdo ditë e më tepër. Shikoje sa e lumtur është?”

Një komentues tjetër, si duket agjent i ndonjë fuqie të huaj, shkroi se macet ishin shtuar sepse ishin shtuar minjtë. Kjo e tërboi Altinin dhe e bëri që të mos mjaftohej vetëm me lavdërime. Ai filloi të merrte përsipër edhe mbrojtjen e çdo postimi. Nëse dikush shkruante se deti kishte qenë gjithmonë aty, Altini i përgjigjej se duhej syri i duhur për ta parë. Nëse dikush ankohej për rrugën me gropa, Altini ia kthente se problemi nuk ishte rruga, por propaganda kundër zhvillimit dhe kundër turizmit në Shqipëri. Nëse një gazetar kritikonte qeverinë, Altini shfaqej menjëherë dhe e kthente diskutimin te turizmi, Sazani, Vlora, dielli dhe arritjet historike.

Dalëngadalë, Altin Likja u bë më shumë se një komentues. Ai u bë prani e përhershme. Dukej sikur nuk ishte një njeri i vetëm, por një repart i tërë digjital. E njëjta gjuhë, e njëjta zemër, të njëjtat fjali, i njëjti përkushtim.
Një mëngjes, shefi i stafit i solli Shefit të Madh një raport mbi aktivitetin në rrjetet sociale.
Në raport shkruhej se postimi i fundit kishte marrë 1560 pëlqime. Nga këto, 1559 vinin nga punonjës të administratës. Vetëm një vinte nga jashtë administratës: Altin Likja.

Më poshtë ishte analiza e komenteve. Nga 1142 komente gjithsej, 1141 ishin shkruar nga Altin Likja.
Shefit të Madh i ngriu buzëqeshja.
Në fillim e kishte marrë si shenjë mbështetjeje. Pastaj si humor. Pastaj si besnikëri qytetare. Por tani Altini po bëhej problem shtetëror. Ai ishte kudo. Në çdo postim. Në çdo fotografi. Në çdo fjali. Edhe kur nuk kishte lidhje me temën, Altini e gjente një mënyrë për ta lidhur gjithçka me suksesin e qeverisë.
Shefi i Madh nuk po ndihej mirë. Çdo ditë filloi të shihte në ëndërr Altin Liken. Një herë pa në ëndërr rrugët e Vlorës të mbuluara me postera ku shfaqej fytyra e Altin Likes. Në një miting, turma nuk kishte njerëz të ndryshëm. Ishte vetëm Altini, i shumëfishuar në mijëra kopje, që duartrokiste dhe thoshte pa pushim: “Bravo! Respekte! Lum vendi që të ka!”

Shefi i Madh vuri re se çdo koment në çdo postim të tij dukej sikur vinte nga i njëjti njeri. Disa profile kishin fotografi fëmijësh, disa makina luksoze, disa flamurin kombëtar, disa pamje nga diaspora. Por fjalitë ishin të njëjta. Ritmi ishte i njëjtë. Zemra ishte e njëjtë.
I shqetësuar, thirri stafin dhe kërkoi që Altin Likja të ndalohej. Të bllokohej. Të fshihej. Të largohej nga faqja zyrtare, nga komentet, nga njoftimet, nga ëndrrat, mundësisht edhe nga kujtesa.

“Ma zhdukni këtë Liken nga faqet e mia!”, dha urdhër të prerë.
Shefi i komunikimit ngriti kokën, buzëqeshi dhe tha:
“Bravo, shef! Lum vendi që të ka! Si do bënte ky vend pa ty?”
Shefi i Madh mbeti pa fjalë.
Një tjetër këshilltar shtoi se vendi dukej shumë bukur nga larg dhe se edhe perëndimi i detit ishte ndryshe nga disa vite më parë, edhe flamingot që kishin marrë arratinë më parë, tashmë të gjitha ishin kthyer në Zvërnec. Edhe Sazani ishte bërë mrekulli.
Atëherë Shefit të Madh i ra stilolapsi nga dora. Nuk arriti të shqiptonte asgjë tjetër, por tha me zë të mekur:
“Të gjithë përjashta!”

I tmerruar, e kuptoi se nuk ishte më vetëm Altini. Edhe njerëzit rreth tij kishin filluar të flisnin si ai. Fjalia ishte përhapur nëpër zyra, nëpër ekrane, nëpër statuse, nëpër mbledhje dhe nëpër raporte. Altin Likja nuk ishte më një komentues.
Facebook-u ishte mbushur me profile të ngjashme: “Altin L. Zemra”, “Altin L. Patriotikja”, “Altin L. Qytetaria”, “Altin L. i Detit”, “Altin L. i Sazanit”. Çdo postim, pavarësisht temës, kishte të njëjtin varg lavdërimesh: bravo, respekte, lum vendi që të ka. Shiko sa të bukur e ke bërë këtë malin! Po retë! Po si munde ta bësh qiellin kështu, si të jetë i pikturuar nga dora jote! Etj., etj.

Në një mëngjes të lodhur, Shefi i Madh postoi një foto të vetes duke pirë kafe dhe duke shkruar: “Dhe me këtë kafe të qetë buzë detit, po ju uroj mirëmëngjes!”
Për herë të parë, askush nuk komentoi menjëherë. Ai priti disa minuta. Pastaj edhe disa të tjera.
Heshtja iu duk e padurueshme.
Pa u menduar gjatë, hapi komentet dhe shkroi vetë: “Bravo! Respekte! Lum vendi që të ka! Me ty edhe kafeja ka lezet tjetër.”
Pastaj i vendosi dy zemra postimit të tij.
Në atë çast e kuptoi se kush ishte Altin Likja.
Altin Likja ishte ai vetë!

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.