☀️
Tiranë 32°C · Kthjellët 13 July 2026
S&P 500 7,575 ▲0.42%
DOW 52,637 ▲0.29%
NASDAQ 26,282 ▲0.29%
NAFTA 73.69 ▲3.19%
ARI 4,073 ▼0.98%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1405 EUR/GBP 0.8519 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.7837 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3463 EUR/TRY 53.6393 EUR/JPY 184.62 EUR/CAD 1.6155 EUR/USD 1.1405 EUR/GBP 0.8519 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.7837 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3463 EUR/TRY 53.6393 EUR/JPY 184.62 EUR/CAD 1.6155
₿ CRYPTO
BTC $62,549 ▼ -2.34% ETH $1,770 ▼ -2.13% XRP $1.0711 ▼ -2.64% SOL $75.7900 ▼ -1.98%
S&P 500 7,575 ▲0.42 % DOW 52,637 ▲0.29 % NASDAQ 26,282 ▲0.29 % NAFTA 73.69 ▲3.19 % ARI 4,073 ▼0.98 % S&P 500 7,575 ▲0.42 % DOW 52,637 ▲0.29 % NASDAQ 26,282 ▲0.29 % NAFTA 73.69 ▲3.19 % ARI 4,073 ▼0.98 %
EUR/USD 1.1405 EUR/GBP 0.8519 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.7837 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3463 EUR/TRY 53.6393 EUR/JPY 184.62 EUR/CAD 1.6155 EUR/USD 1.1405 EUR/GBP 0.8519 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.7837 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3463 EUR/TRY 53.6393 EUR/JPY 184.62 EUR/CAD 1.6155
13 Jul 2026
Breaking
Opinion

Kur dyshimi paraqitet si investigim

Nga Altin Ketro

Disi me vonesë mësova se isha bërë pjesë e një shkrimi të një portali që prezantohet si media investigative. Në pamje të parë dukej se objekti i tij isha unë. Në thelb, ai vinte në dyshim autorët që botojnë opinione në gazetën “TemA”. Nuk më shqetëson fakti që dikush, qoftë edhe një gazetare investigative, kërkon të dijë se kush jam. Kush zgjedh të shkruajë publikisht duhet të pranojë edhe pyetjet, edhe kritikat.

Ajo që më shqetësoi ishte përpjekja për të krijuar përshtypjen se pas meje fshihet një mekanizëm propagandistik, një autor që aktivizohet në periudha krizash politike për t’i shërbyer qeverisë. Ky është një dyshim që kërkon prova. Dyshimi, sado i artikuluar, nuk është provë.

Historia ime si autor nuk ka nisur dje dhe as me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet. Shkrimin e parë e kam dërguar në gazetën “TemA” më 12 korrik 2011, kur në pushtet ishte Sali Berisha. Trajtoja një nga zhvillimet më të debatueshme të asaj kohe, garën për Bashkinë e Tiranës mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Besoja se mënyra se si u administrua ai proces zgjedhor, ku liderit të opozitës iu grabit fitorja, krijonte një precedent të rrezikshëm për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.

Ky fakt është i rëndësishëm, sepse rrëzon idenë se unë jam shfaqur vetëm në momentet kur qeveria ka pasur nevojë për mbështetje mediatike. Kam shkruar edhe kur në pushtet ishte kundërshtari politik i qeverisë së sotme dhe vazhdoj të shkruaj edhe tani.

Që nga viti 2011 kam botuar rreth 450 artikuj opinion në gazetën “TemA”. Në këto vite nuk kam pretenduar të jem gazetar dhe nuk e kam parë shkrimin e opinionit si profesion. Kam shkruar sepse kam pasur interes për politikën dhe zhvillimet publike, jo sepse kjo ka qenë puna ime.

Po aq i qartë është edhe raporti im me administratën publike. Angazhimin tim e kam mbyllur në janar të vitit 2007, kur dhashë dorëheqjen sepse ndjeva se puna e ndershme dhe përkushtimi nuk vlerësoheshin. Që atëherë kam punuar në sektorin privat dhe prej tij kam siguruar jetesën. Nuk kam kërkuar poste, favore apo përfitime nga politika dhe nuk kam pasur asnjë marrëdhënie pune me ndonjë institucion shtetëror pas asaj date.

Prandaj më duket e padrejtë që një aktivitet publik, i zhvilluar për pesëmbëdhjetë vjet dhe i dokumentuar me qindra shkrime, të reduktohet në dyshimin se duhet të ketë patjetër një interes të fshehur. Jo çdo njeri që shpreh një bindje politike është pjesë e një fushate të koordinuar. Jo çdo autor që mbështet ose kritikon një forcë politike shkruan sepse paguhet për këtë. Të pretendosh të kundërtën kërkon prova, jo hamendësime.

Në një demokraci, edhe qytetarët e thjeshtë kanë të drejtën të kenë bindje politike dhe t’i shprehin ato publikisht. Të kesh një qëndrim nuk është problem. Problemi do të ishte të shtireshe sikur nuk e ke.

Unë nuk kam bërë kurrë sikur jam neutral. Lexuesit e mi e dinë se shkrimet e mia kanë një këndvështrim politik. Por po aq e dinë se kam kërkuar gjithmonë ta mbështes atë me argumente, me fakte dhe me një gjuhë që i shërben debatit publik.

Gjatë gjithë këtyre viteve, marrëdhënia ime me gazetën “TemA” ka qenë vetëm ajo e një autori opinioni me një redaksi që ka zgjedhur të botojë shkrimet e mia. Ato janë botuar sepse redaksia ka vlerësuar përmbajtjen e tyre, jo sepse unë kam pasur ndonjë marrëdhënie tjetër me median. Po kështu, nuk kam shkruar kurrë për shpërblime financiare. Ky ka qenë një vendim personal. Nuk kam asgjë kundër atyre që e kanë gazetarinë apo analizën politike profesion dhe paguhen për punën e tyre. Përkundrazi, kjo është krejt normale. Por unë kam zgjedhur një rrugë tjetër.

Për mua, shkrimi ka qenë gjithmonë një formë angazhimi qytetar dhe një pasion personal. Nëse do ta shihja si mjet përfitimi, do të humbiste pikërisht ajo që për mua ka qenë më e rëndësishme, liria për të shprehur atë që mendoj, pa iu detyruar askujt. Ndoshta për disa kjo duket e pazakontë, sepse jetojmë në një kohë kur pothuajse çdo veprim kërkohet të shpjegohet me ndonjë interes të fshehtë. Por unë nuk e kam parë kurrë kështu.

Nuk kam shkruar për të fituar diçka nga politika. Kam shkruar sepse politika ndikon jetën e çdo qytetari dhe besoj se edhe një qytetar që nuk mban asnjë post publik ka të drejtë të marrë pjesë në debatin shoqëror.

Është e vërtetë se shumë nga shkrimet e mia janë botuar gjatë fushatave zgjedhore ose periudhave të krizave politike. Kjo nuk ka ndodhur sepse dikush më ka “aktivizuar” në ato momente, por sepse pikërisht në këto periudha jeta politike bëhet më intensive dhe lind natyrshëm nevoja për ta komentuar e analizuar. Një autor opinioni nuk shkruan në vakum. Ai reagon ndaj zhvillimeve të kohës në të cilën jeton. Kjo shpjegon ritmin tim të botimeve, pasi gazetaria nuk është profesioni im dhe koha ime ndahet me angazhime të tjera.

Në shkrimet e mia nuk i kam fshehur kurrë prirjet politike. Kam qenë kritik ndaj Sali Berishës dhe Lulzim Bashës në periudha të ndryshme, ashtu siç kam mbështetur edhe qëndrime të Partisë Socialiste kur kam menduar se kanë qenë të drejta dhe nuk e konsideroj këtë një gabim. Përkundrazi, mendoj se është më e ndershme të pranosh hapur pikëpamjet e tua sesa të ndërtosh një imazh artificial neutraliteti. Neutraliteti i shtirur nuk e bën një opinion më të besueshëm. Ajo që ka rëndësi është mënyra se si mbrohen pikëpamjet. Nëse një autor argumenton me fakte, shmang shpifjen dhe nuk merr rolin e gjobëvënësit, ai ka të drejtën të jetë pjesë e debatit publik, edhe kur të tjerët nuk bien dakord me të.

Gjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve jam përpjekur që kritika ime të jetë e fortë, por jo denigruese. Kam kundërshtuar ide, vendime dhe sjellje politike, jo dinjitetin e njerëzve që i përfaqësojnë ato. Sigurisht që mund të kem gabuar në analiza, sepse askush që shkruan nuk është i pagabueshëm. Koha është ajo që korrigjon shumë prej nesh. Ama kam shkruar gjithmonë atë që kam besuar, jo atë që aludohet se më është kërkuar të shkruaj.

Nëse dikush nuk pajtohet me mendimet e mia, e mirëpres kundërshtimin. Besoj se një shoqëri demokratike jeton nga përplasja e argumenteve. Por argumentet nuk zëvendësohen me hamendësime dhe as me etiketime. Nëse kam gabuar në analizat e mia, le të më kundërshtojnë me fakte. Nëse dikush pretendon se kam shkruar me qëllime të fshehta, atëherë le të sjellë prova. Debati publik nuk ndërtohet mbi dyshime për autorin, por mbi atë që ai ka shkruar.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.