Ekonomia

“Alpha Bank” s’ka plan të ikë, por të zgjerohet në Shqipëri

Alpha-Bank-320x179Banka planifikon të lëvrojë 201 mln euro në ekonomi në tri vitet e ardhshme

Komisioni Europian i ka miratuar grupit “Alpha Bank” strategjinë e zhvillimit të filialit të saj në Shqipëri, i cili parashikon 210 milionë euro investime. Kështu i deklaroi gazetës “Shqip” përfaqësuesi zyrtar në Tiranë i “Alpha Bank”. I pyetur lidhur me planet për largimin e kësaj banke nga Shqipëria, të publikuara nga media greke, zyrtari i “Alpha Bank” tha se, jo vetëm që nuk kemi në plan të largohemi, por kemi gati një plan që përfshin rritje të konsiderueshme të portofoleve të huas për individë dhe biznese gjatë viteve të ardhshme. Në përgjithësi, në kuadrin e këtij plani shumë të rëndësishëm brenda periudhës së parë trevjeçare, “Alpha Bank” do të livrojë për ekonominë reale mbi 210 milionë euro. Një sërë projektesh teknologjike, si bankingu nëpërmjet telefonit, ofrimi i kartave Mastercard dhe pagesave me to në rrjetin e terminaleve të “Alpha Bank”, si edhe shtimi i përgjithshëm i gamës së produkteve drejtuar bizneseve dhe individëve, janë disa nga elementet e kësaj strategjie të parashikuara nga grupi i “Alpha Bank” dhe të paraqitura tek Autoriteti i Përgjithshëm i Konkurrencës në Komisionin Europian dhe autoritete të tjera mbikëqyrëse europiane.

“Jemi të vetëfinancuar”

Në kushtet e rigjallërimit të ekonomisë shqiptare, të rikthimit të konsumatorit ndaj konsumit, pra në kushtet e rritjes së shpenzimeve jetike dhe nivelit të investimeve personale, si dhe në kushtet e rritjes së besueshmërisë së partnerëve të huaj e të agjencive ndërkombëtare ndaj ekonomisë dhe financave në vend, “Alpha Bank” në Shqipëri është ripozicionuar me hartimin dhe miratimin e një plani zhvillimi ambicioz në të gjitha drejtimet e biznesit bankar, i cili është pranuar jo vetëm nga autoritete lokale, por edhe nga autoritete europiane dhe siguron një rritje të shpejtë të bankës, një qëndrueshmëri të aktivitetit të saj të kredidhënies e të investimeve, vetëfinancimin e bankës duke gjeneruar të ardhura të mjaftueshme për amortizimin e rreziqeve që merr përsipër, dhe rritjen e kapitalit në përputhje me standardet lokale e ndërkombëtare.

“Alpha Bank” në Shqipëri është një nga bankat më të mëdha të vendit, shumë mirë e kapitalizuar dhe një nga bankat më likuide në treg, e cila është vetëfinancuar gjatë gjithë kohës që nga viti 1998, kur ka filluar të operojë në Shqipëri. Ajo është mbështetur vazhdimisht me kapital dhe investime nga grupi i “Alpha Bank”. Investimet direkte të këtij grupi në Shqipëri janë të konsiderueshme. Kështu, për shembull, kapitali i investuar dhe kontributet e tjera në “Alpha Bank” Shqipëri arrijnë në mbi 95 milionë euro, ndërkohë që kreditimi direkt i grupit ndaj shtetit shqiptar e tejkalon shumën prej 100 milionë eurosh.

Bizneseve të suksesshme, 30 milionë euro kredi

Në kuadër të planit pesëvjeçar dhe të zgjerimit të veprimtarisë bankare, kredia për individë dhe biznese të vogla gjatë gjysmës së parë të vitit 2014 u rrit me 11%, duke kapur shifrën prej 90 milionë eurosh, në kah të kundërt me të dhënat e tregut që tregojnë një tkurrje të kësaj kategorie portofolesh. Kredia e re konsumatore për individët shënoi rritjen më të madhe me 426% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë që kredia e re për strehim dhe kredia e re për biznese të vogla shënuan një rritje me 96% dhe 213% përkatësisht. Ndërkohë, rritje patën gjithashtu edhe depozitat për individë, të cilat shënojnë një rritje prej 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një sërë projektesh të rëndësishme vijojnë të trajtohen në kuadrin e kreditimit të bizneseve të mëdha në vend, me fokus tek industritë e rëndësishme, siç janë prodhimi i çimentos, tregtia, shërbimet, peshkimi, hoteleria dhe turizmi etj. Vetëm këta muajt e fundit, “Alpha Bank” në Shqipëri po mbështet bizneset e suksesshme me kredi të re, vlera e miratuar e së cilës e kapërcen shumën prej 30 milionë eurosh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button