Ambasadori bullgar viziton Pukën, premton mbështetje në disa fusha
Ambasadori i Bullgarisë në vendin tonë, Dimitar Arnaudov zhvilloi ditën e enjte, më 10 maj 2017, një vizitë në Pukë ku premtoi mbështetje në ndihmë të kësaj zone në veri të vëndit.
Në takimin e zhvilluar me kryetarin e Bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj, diplomati bullgar u shpreh se ishte njohur për resurset dhe zhvillimet që po ndodhin në zonën e Pukës si rrallë në ndonjë zonë tjetër të Shqipërisë, dhe ndaj kishte vendosur që të vinte ta shikonte më nga afër qytetin verior të vendit.
Ambasadori Arnaudov shprehu dëshirën që bashkia e Pukës të binjakëzohej me një bashki të Bullgarisë me qëllim ndihmën e ndërsjelltë dhe shkëmbimin e eksperiencave.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Gjonaj e falenderoi diplomatin bullgar për vizitën, ndërsa e njohu atë me përpjekjet për t’i dhënë qytetit të Pukës dhe zonave rurale, një dimension tjetër me qëllim zhvillimin në funksion të mirëqenies së banorëve.
Gjonaj i parashtroj ambasadorit të Bullgarisë fushat në të cilat mund të bashkëpunohej kryesisht në fushën e turizmit malor, atë të përpunimit të produkteve vendase dhe bimëve medicinale që Puka ka shumë si dhe bashkëpunimin për ndërtimin e spitalit të sëmundjeve pneumonare, që do i shërbente të gjithë Shqipërisë.
Në shenjë mirënjohje, Gjonaj dhe ambasadori Dimitar Arnaudov shkëmbyen dhe dhurata. Diplomati bullgar premtoj mbështetjen e tij të vazhdueshme për Pukën duke vënë theksin kryesisht tek fushat e bashkëpunimin që parashtroi kreu i Bashkisë.
Ai e falenderoi kryebashkiakun për pasionin nga i cili udhëhiqej në drejtimin e bashkisë, ndërsa inkurajoi atë të vijonte me këtë frymë që siç tha diplomati bullgar jo të gjithë kolegët e tij në Shqipëri e kanë.
Në këtë vizitë Ambasadori Arnaudov shoqërohej nga bashkëshortja dhe Konsulli i Nderit i Republikës së Bullgarisë në Shqipëri, zoti Selim Hoxhaj.