Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca: “97 për qind e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE”
Lidhur me perceptimin që kanë qytetarët e Shqipërisë për integrimin evropian, 97 për qind e tyre mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian(BE), sipas një sondazhi të fundit të prezantuar sot na Delegacioni i BE-së në Shqipëri.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, në një konferencë për mediat ka folur për metodologjinë e re të Komisionit Evropian(KE) për negociatat e anëtarësimit si dhe ka publikuar disa nga gjetjet kryesore të sondazhit vjetor mbi perceptimin për BE-në në Shqipëri.
Soreca tha se do të shikohen të gjitha detajet e kritereve dhe kushteve të cilat duhet të përmbushin shtetet kandidate për anëtarësim.
“Është e rëndësishme që shtetet anëtare të jenë të përfshira në punën monitoruese të këtyre arritjeve. Procesi po ashtu do të jetë edhe më dinamik, duke krijuar grupime kapitujsh të ndryshëm. Ne kemi propozuar që të kemi gjashtë fusha kryesore me më shumë se 35 kapituj. Ideja është që këto kapituj të vihen në grupe dhe pasi janë më pranë njëri-tjetrit do të jetë puna më dinamike. Natyrisht edhe për negociatat puna më pas do të jetë më gjithëpërfshirëse dhe nuk do të jetë e ndarë në nënfusha të ndryshme që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën”, u shpreh Soreca.
Ai tha se është bërë një thirrje e fortë nga shtetet anëtare në mënyrë që të kenë mundësi që të kthejnë pas procesin e negociatave. Në lidhje me këtë Soreca shtoi se “kjo në rast se nuk do të ketë ecuri apo përparim apo në rast se do të ketë hapa pas, do të ketë edhe veprim nga Bashkimi Evropian që do të thotë që BE do të mund të pezullojë madje edhe të ndalojë negociatat në rast se kjo do të jetë e nevojshme. ”
“Kjo metodologji po diskutohet në Këshill, me shtetet anëtare dhe ne kemi besim që kjo metodologji e re i përmbush të gjitha kërkesat e atyre shteteve anëtare, në veçanti të atyre shteteve anëtare që ishin hezituese në tetor për hapjen e negociatave. Në këtë mënyrë besoj që ne do te jemi duke ecur në rrugën e duhur në lidhje me hapjen e negociatave në pranverë”, theksoi ambasadori Soreca.
Soreca prezantoi edhe rezultatet e një sondazhi vjetor të realizuar vitin e kaluar mbi perceptimet për BE-në që kanë shqiptarët, ku sipas këtij sondazhi hapja e negociatave dhe e ardhmja e vendit në BE është një objektiv të cilin e ka pjesa dërmuese e shoqërisë në Shqipëri.
“88 për qind e qytetarëve thonë që kanë mendim pozitiv për BE-në. 97 për qind e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha ambasadori i BE-së në Shqipëri duke prezantuar rezultatet e sondazhit.
Disa ditë më parë Komisioni Evropian(KE) shpalosi metodologjinë e re që do të zbatohet për fillimin e negociatave të anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor. Sipas kësaj metodologjie, negociatat e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndërtohen mbi marrëdhënie politike më të besueshme dhe më të forta dhe mbi një proces më dinamik.
Kujtojmë se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2014 dhe është në pritje të vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit.