Bota

Ambasadorja amerikane në OKB Power, e indinjuar për kërkesën e Rusisë

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara shprehu indinjatë ndaj Rusisë, që kërkoi mbrëmë vonë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit, për të diskutuar për një sulm amerikan me bombë në Siri, që siç duket kishte gabuar objektivin. Në atë sulm mbetën të vrarë disa trupa të qeverisë siriane.

Ambasadorja Samantha Power tha ky veprim i Rusisë ishte një “marifet” i përdorur me synimin për të shpërqëndruar vëmendjen nga disa prej “akteve sistematike më mizore të kryera në disa dekada.”

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara janë duke zhvilluar hetime për sulmin, dhe citoi incidente të përsëritura, të sulmeve mizore të kryera nga qeveria siriane, siç janë sulmet ajrore ndaj spitaleve dhe shkollave. Ambasadorja Power tha se të gjitha këto raste, Moska nuk kërkoi asnjëherë mbajtjen e një takimi urgjen të Këshillit të Sigurimit.

Rusia, aleate e Sirisë, ka bërë thirrje për një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të diskutuar sulmet ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, që besohet se kanë vrarë gabimisht dhjetëra luftëtarë të qeverisë siriane, që po luftonin ekstremistët e Shtetit Islamik afër kufirit me Irakun.

Thirrja e Rusisë ndodhi pak orë pasi që avionët e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, bombarduan pozicionet e armatës siriane në lindje të vendit duke vrarë mbi 80 luftëtarë qeveritar që po luftonin me ekstremistët e IS-it për kontrollin e zonës së aeroporti në Deir Ezzor.

Në një deklaratë të komandës qendrore amerikane, thuhet se një avion i koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara qëlloi afër Deir Ezzorit, duke besuar se kishte vënë në shënjestër luftëtarët e IS-it, të cilët i kishte ndjekur “për një kohë” para se të qëllonte.

Në deklaratë nuk jepen hollësi rreth viktimave, por theksohet se “sulmi është ndërprerë menjëherë pasi që zyrtarët e koalicionit u informuan nga autoritetet ruse se është e mundur që personeli dhe automjetet e shënjestëruara janë pjesë e ushtrisë siriane”.

Deklarata e identifikon Deir Ezzorin, rreth 100 kilometra në perëndim të kufirit irakian, si një zonë të shënjestëruar nga avionët e koalicionit në operacionet e mëparshme. Aty thuhet se komandantët e koalicionit i kishin njoftuar më herët autoritetet ruse për sulmet e planifikuara.

Nga ana e saj, ministria ruse e mbrojtjes e përshkroi sulmin e forcave të koalicionit si dëshmi të “refuzimit kokëfortë” të Washingtonit për të bashkërenduar veprimet e tij me forcat ruse që luftojnë përkrah forcave qeveritare besnike ndaj presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Ishte e paqartë të shtunën në mbrëmje se si mund të ndikojë sulmi në armëpushimin që hyri në fuqi më herët gjatë javës dhe çfarë veprimesh mund të marrë Këshilli i Sigurimit.

Armëpushimi synonte ndërprerjen e operacioneve ushtarake nga forcat siriane, aleatëve të tyre rusë dhe kryengritësve të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara që synojnë rrëzimin e qeverisë së Assadit, për të hapur rrugën e depërtimit të ndihmave humanitare në zonat e rrethuara të vendit të copëtuar nga lufta. Qindra mijëra civilë në ato zona janë të shkëputur nga ndihmat nga jashtë dhe përballen me shkurtime të rënda të ushqimeve dhe ilaçeve.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se vendi i tij po e respekton marrëveshjen e armëpushimit në Siri dhe shprehu dyshime për respektimin e saj nga Washingtoni.

Kamionët me ndihma për në Aleppo hynë të shtunën nga pika kufitare Çilvegozu mes Turqisë dhe Sirisë. Është dita e gjashtë që kur armëpushimi i brishtë hyri në fuqi, ndërsa grupet rivale kanë pasur mosmarrëveshje mbi mënyrën e dërgimit të ndihmave.

Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara thonë se i kanë kërkuar leje qeverisë siriane, që ndihmat të shkojnë në zonat e izoluara, ku ato janë tepër të nevojshme për popullsinë.

Dy autokolona me ndihma prisnin që nga dita e martë të hynin në kufirin e Turqisë me Sirinë. Në to kishte miell të mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e më tepër se 150 mijë njerëzve, si dhe racione ushqimi për 35 mijë vetë për një muaj.

Në Aleppon Lindore mendohet se jetojnë rreth 300 mijë njerëz, ndërsa në zonën perëndimore të qytetit, kontrolluar nga qeveria mendohet se jetojnë më tepër se 1 milionë vetë.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button