Ambasadorja gjermane në krah të Xhafajt: Mbështetje në luftën kundër krimit
-“Lufta kundër krimit të organizuar është një ndër prioritetet kyçe për ecjen përpara të Shqipërisë në drejtim të integrimit në BE. Është diçka shumë e rëndësishme dhe dua që të them që ne do të vazhdojmë që të mbështesim në këtë drejtim”.
Kështu u shpreh sot ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz, e cila së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj zhvilloi sot një vizitë në zyrat e Task Forcës Speciale në Tiranë.
“Sapo pata një vizitë në ambientet e Task Forcës. Qëllimi i vizitës ishte që të informohem për punën e bërë nga Task Forca. Mund të them që dal me përshtypje shumë pozitive. Ne kemi filluar tashmë bashkëpunimin e ngushtë me Task Forcën. Kemi arritur rezultatet e para dhe do të vazhdojmë që ta mbështesim aktivisht këtë Task Forcë”, – tha ambasadorja Schutz pas vizitës.
Ndërsa ministri Xhafaj, falënderoi Ambasadoren për vizitën dhe për mesazhet që përcolli gjatë takimit me drejtuesit e Task Forcës Speciale që operon në kuadrin e operacionit “Forca e Ligjit”, por dhe për Task Forcën “Anti-Skifter” që punon së bashku me Policinë gjermane në Shqipëri dhe në territorin gjerman.
“Është rasti për të theksuar mbështetjen e veçantë që Qeveria Federale e Gjermanisë, Ministria e Brendshme, Policia gjermane është duke i ofruar Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, drejtpërsëdrejti operacionit “Forca e ligjit” në luftën kundër krimit të organizuar. Mbështetja gjermane nuk ka qenë thjesht në kuadrin e këshillave konkrete, rekomandimeve konkrete, por një asistencë konkrete në hartimin e gjithë kësaj strategjie, e gjithë këtij plani veprimi dhe mbi të gjitha me kontribute konkrete në çështje konkrete. Ne kemi disa çështje, Task Forca në proces hetimi policor të përbashkët me autoritetet policore gjermane. Janë çështje shumë të ndjeshme edhe për publikun shqiptar”, – tha Xhafaj.
“Pala gjermane, homologët tanë, kolegët e Policisë gjermane janë duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, jo thjesht asistence, por edhe shkëmbim informacion, hetim të përbashkët, për të pasur sukses në hetimin e këtyre çështjeve të rëndësishme për publikun shqiptar dhe jo vetëm për publikun shqiptar”, – u shpreh Xhafaj.
“Unë e vlerësoj shumë prezencën e Ambasadores edhe për mesazhet që ajo përcolli në mbështetje të Task Forcës edhe për mesazhet e qeverisë së saj për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe unë besoj që marrëdhëniet ndërmjet dy Policive, ndërmjet dy Ministrive në këtë fushë do të forcohen më tej dhe besoj se do të jenë marrëdhënie model edhe për tu ndjekur në raport me vendet e tjera europiane që janë gjithashtu të interesuara në funksion të këtij bashkëpunimi”, – tha Xhafaj.