Anije tjetër me azilkërkues në Itali
Një anije me më shumë se 440 azilkërkues arriti sot në Siçili, pjesë e një fluksi historik që ka goditur Italinë kohët e fundit. Ndërkohë, Kryeministri italian Matteo Renzi tha se Bashkimi Evropian duhet të japë ndihmesën e tij në frenimin e trafikut të emigrantëve nga vendet afrikane. Ai i bëri komentet pas ngjarjes tragjike në Mesdhe, ku të dielën u mbytën deri në 900 emigrantë.
Kryeministri Renzi foli sot përpara ligjvënësve italianë në Romë, një ditë para se udhëheqësit evropianë të mbajnë një takim urgjent për të diskutuar mbi krizën.
“Kjo lloj përparësie është diçka që ne duhet t’ia kërkojmë Bashkimit Evropian, ne duam diçka të ndryshme nga një mbledhje vendesh që janë anëtarë të një klubi ekonomik. Duam diçka të ndryshme nga një klub specialistësh teknikë që njohin të gjitha dinamikat kryesore gjeopolitike, por harrojnë të japin përgjigje në momentin e dhimbjes. Unë jam shumë optimist se Bashkimi Evropian më në fund mund të ndryshojë kurs,”tha kryeministri italian.
Deputetët mbajtën një minutë heshtje për ata që humbën jetën nga tragjedia në Mesdhe.
Grupi i të drejtave Save the Children njoftoi sot se rreth 60 adoleshentë ishin në anije kur ajo u përmbys. Organizata paralajmëroi se në qoftë se prirja e tanishme vazhdon, rreth 2500 fëmijë mund të humbin jetën në aksidente të ngjashme në Mesdhe këtë vit. Sipas organizatës, katër djem që thonë se janë nën 18 vjeç i mbijetuan aksidentit të së dielës, kur kapiteni i anijes me emigrantë gabimisht e përplasi mjetin e tij lundrues me një anije tregtare portugeze që po i vinte në ndihmë përballë brigjeve të Libisë.
Autoritetet thonë se kjo është fatkeqësia më e madhe e këtij lloji në Mesdhe. Vetëm 28 persona mbijetuan.
Prokurorët në Katania të Siçilisë e shfajësuan anijen tregtare nga çdo përgjegjësi për tragjedinë.
Një anije e dytë me emigrantë u përmbys të hënën pranë ishullit grek të Rodosit. Tre vetë u mbytën. Më shumë se 90 u shpëtuan.
Të 28 krerët e qeverive të Bashkimit Europian do të mbajë një takim të ngutshëm në Bruksel nesër për të diskutuar mbi krizën.
Bashkimi Evropian ka qenë nën kritika në rritje sepse nuk i është përgjigjur sa duhet fluksit të emigrantëve nga Afrika Veriore, Lindja e Mesme dhe Azia Jugore që kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë.
Vitin e kaluar BE-ja ndërpreu një program për kërkim-shpëtimin në Mesdhe për shkak të shqetësimeve të shprehura nga disa vende anëtare, sipas të cilave, operacionet detare po inkurajonin më shumë imigrantë për të ndërmarrë udhëtime të rrezikshme drejt brigjeve të Evropës.