Ankand 40 milionë dollarë, Albpetrol do të shesë 167 mijë tonë naftë
Albpetrol do të shesë 167 mijë tonë naftë bruto brenda këtij muaji, në një ankand i cili mund ketë një vlerë mbi 40 milionë dollarë.
Përmes një njoftimi zyrtar, kompania shtetërore e naftës bëri publike kushtet e shitjes së naftës dhe njoftoi se ankandi do të zhvillohet më datë 13 dhjetor.
Sipas kushteve të paracaktuara, çmimi dysheme i shitjes së naftës do të jetë sa 70.48 për qind e çmimit në tregjet ndërkombëtare, minus koston e magazinimit.
Koefiçenti prej 70.48 për qind vendoset pasi nafta shqiptare ka një cilësi më të dobët se ajo që shitet në bursë. Sipas të dhënave nga Bloomberg, aktualisht një ton naftë shitet rreth 350 dollarë, çka do të thotë se ofertat për të blerë naftën e Albpetrol do të nisin minimalisht nga çmimi 260 dollarë për ton.
Kjo është hera e dytë që Albpetrol po përpiqet të shesë naftën që disponon nga burimet e veta, por edhe depozitimet që rrjedhin nga marrëveshjet konçesionare.
Ankandi i mëparshëm u zhvillua dy muaj më parë, por dështoi për shkak se nuk pati oferta. Këtë herë komisioni i ankandit ka ulur çmimin e shitjes nga 72 për qind e çmimit në bursat ndërkombëtare në 70.4 për qind.
Kompania e vetme shteterore e naftës është përballur me një situatë jo të mirë financiare këtë vit për shkak të rënies së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare.
Kompania shpreson se përmes këtij ankandi të mund të gjenerojë të ardhura për të mbuluar shpenzimet por edhe për të transferuar fitim në buxhetin e shtetit.