Opinion

Arben Ahmetaj i persekutuari i madh i Partisë Socialiste !?

Nga PETRO DHIMITRI

Ec e besoje se një ish ministër dhe zëvendës kryeministër që kishte kyçet e ”thesarit” të shtetit, duke qenë  me vite njëherit delfini i Edi Ramës, po na del sot si i persekutuari i madh i Partisë Socialiste dhe vetë njëshit të saj?!

     Deri sa hetimet e SPAK-ut ishin fillestare dhe ndaj deputetit Ahmetaj nuk po praktikohej , si për të gjithë, masa e arrestit, ai ishte i qetë. Sapo mori vesh që do t’i viheshin prangat, u arratis. Bëri shumë bujë zhdukja e tij. Nuk qenë të paktë ata që menduan se e ndihmoi direkt  Edi Rama ose njerëzit e rrethit të tij. Nuk paska qenë kështu. Edi Rama e ka përsëritur disa herë se nuk ka për të ndihmuar asnjë njeri në përballjen me drejtësinë. Pikërisht kësaj përballje iu frikësua zoti Ahmetaj,  kur SPAK-u po ia nxirrte një e nga një petat e byrekut të korrupsionit të  ish numurit dy të qeverisë të socialistëve.
Pse e dinte që menjëherë kundër tij do të lëshohej një urdhër arresti ndërkombëtar, e mbajti tejet sekret vendndodhjen. Priti aq kohë  sa i duhej për të përgatitur kërkesën për strehim politik. Nga ai çast, deri sa vendi përkatës të shqyrtojë Çështjen Ahmetaj, Interpoli nuk ka të drejtë t’i prekë as dhe një qime floku e jo më ta kthejë pako postale në Shqipëri. Kjo siguri e bëri që së fundi të jepte shenja gjallese. Ndodhet në Zvicër. Madje ka firmosur një kontratë prej 150 mijë dollarësh që një kompani amerikane të lobojë për të në Washington. Iu dashka pa tjetër që SHBA të  njihet me versionin  e  pafajësisë së tij?! Ai harron se specialistët amerikanë që janë në SPAK janë më të besueshëm për Washingtonin se çdo kompani lobuese. Nejse, deri sa ka aq shumë para, pse të mos i shpenzojë!?
           Si mundet që  Zvicra,ky shtet demokratik në zemër të Evropës, t’i japi atij strehim politik kur ka qenë  ish numuri dy i partisë në pushtet dhe deputet i saj?! Statusin e azilantit politik e përfitojnë vetëm opozitarët ose cilido person tjetër që dokumenton se i rrezikohet jeta. Kjo është arsyeja që në intervistën me gazetarin Çim Peka të SYRI TV ( flitet se është e familjes Berisha) Arben Ahmetaj deklaroi se i qe kërcënuar jeta. Bëri të persekutuarin .Qeveria e partisë së tij e paska braktisur, duke ia përcjellë SPAK-ut që drejtohet nga Rama. Hakmarrje e egër e luftës brënda së njëjtës parti. Ahmetaj  mbase mendon se kjo EUREKA ka për ta shpëtuar nga përballja me drejtësinë e Shqipërisë.
           Ky njeri që arrin të gënjejë pa skrupull se i qenka rrezikuar jeta nga shokët që kishin besim të plotë në ndershmërinë e tij, si mundet që në një intervistë  në   një televizion kryekëput kundër qeverisë aktuale, të thotë vetëm të vërteta?! Ai zgjodhi SYRI TV  që botërisht të dihet se është një i persekutuar, prandaj dhe opozita po e mbështet. SYRI TV as kishte për ta transmetuar atë intervistë, në rast se Ahmetaj nuk kishte për të vjellë vrer për qeverinë dhe Edi Ramën. Edhe për ato gjëra që foli, sidomos për inceneratorët, nuk është se pruri fakte të reja ose prova. Vetëm hamendësime nga një proces ku me të vërtetë socialistët kanë vjedhur. Kush më shumë e kush më pak, këtë ka për ta treguar gjykimi i çështjes. Deri ku  ka për t’u ngjitur shigjeta, ende ka vetëm hamëndësime. Na mbetet të kemi besim te drejtësia e re që i ka ngritur shigjetat kaq lart, gjithmonë në mbështetje të ligjit dhe jo të politikës.
            Televizionet dhe shtypi gjerë e gjatë u morën me atë intervistë, thua se po fliste një njeri i ndershëm dhe i respektuar. Jo, po fliste një i korruptuar që iu shmang drejtësisë nga që SPAK e kishte  zënë mat vetëm me pak lëvizje. Po të ishte njeri që me të vërtetë e donte Shqipërinë, Ahmetaj duhej të përballej vetë me drejtësinë. Atje, në Prokurori dhe Gjykatë të demaskonte me fakte dhe prova veprimet antishqiptare ose antikushtetuese të qeverisë së Ramës, po qe se ka të tilla. Pastaj, si mundet që shtypi të bëjë aq zhurmë, disa edhe ta mbështesin zotin Ahmetaj, kur ai ka statusin e të burgosurit, që iu shmang arrestimit. Deponimet e çdo të burgosuri për vjedhje kundër të tjerëve për të lehtësuar veten, gjithmonë merren me rezerva ose nuk përfillen fare. Gjykatat kërkojnë fakte të pa disktueshme dhe prova.
             Do të ishte më bindëse po qe se Ahmetaj të thoshte se si për inceneratorët dhe rastet e tjera të korrupsionit të qeverisë aktuale, po të zbatoheshin normat e demokracisë, Ramës i takonte të jepte dorëheqje. Bashkë me mua duhet të përballen me  SPAK-un edhe titullarë të tjerë. Mundësisht të nxirrte edhe fakte. Nuk i nxorri se nuk kishte apo se frikësohej?! Nuk mund ta dimë saktësisht.
              Nga ajo intervistë natyrshëm na lind pyetja, po shteti Zviceran a ka për t’i gëlltitur pretendimet e pavërteta të Arben Ahmetajt? Besoj se kanë për t’u konsultuar me ambasadën e tyre në Tiranë. Po me drejtësinë e Shqipërisë, me SPAK-un? Në rast se faktet dhe provat që ka SPAK-u kanë për t’u marrë të mirëqena, Arben Ahmetaj patjetër para gjykimit ose pas tij, ka për t’u deportuar në Tiranë. Nuk besoj që Shteti Zviceran ka për ta ngrënë sapunin për djathë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button