Armë, municion, jelek antiplumb dhe 20 mijë euro në hotel, arrestohet 40-vjeçari me precedent penal në Krujë
Një 40-vjeçar me precedent të mëparshëm penal është arrestuar në Krujë, pasi gjatë një kontrolli në një hotel në pronësi të tij janë gjetur armë zjarri, municion, një jelek antiplumb dhe 20 mijë euro, të dyshuara se kanë burim të paligjshëm.
Operacioni i koduar “Implikimi” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh.
Kontrollet u kryen në ambientet e hotelit, në pronësi të shtetasit me inicialet Adrian Gjebeshi, 40 vjeç, i cili rezulton me precedent të mëparshëm penal.
Gjatë kontrollit, efektivët gjetën dhe sekuestruan:
-një armë zjarri, pistoletë;
-një krehër me 20 fishekë luftarakë;
-një jelek antiplumb;
-20 mijë euro, të dyshuara se janë përfituar nga veprimtari të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 40-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa sendet e gjetura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale të 40-vjeçarit dhe për përcaktimin e origjinës së parave dhe sendeve të sekuestruara.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.