Bota

Armët e Ballkanit po bien në duart e milicive irakiane

Një raport nga Amnesty International, i publikuar të enjten, thotë se armë nga vende të ndryshme – përfshirë Kroacinë, Serbinë, Bullgarinë dhe Rumaninë – kanë përfunduar në Irak te grupet ushtarake shiite, që i kanë përdorur armët për të kryer krime të rënda.

Kërkimet në terren dhe analizat fotografike dhe video të provave që nga korriku 2014 kanë zbuluar se këto milici kryesisht shiite, që luftojnë kundër Shtetit Islamik në Irak krah trupave qeveritare irakiane kanë akses të armëve të prodhuara në të paktën 16 vende, kryesisht SHBA, Rusi dhe shtete Europiane.

Sipas Amnesty, të ashtuquajturat Njësi të Mobilizimit Popullor, PMU, që iu bashkuan formalisht forcave të armatosura irakiane në 2016, i kanë përdorur ato armë për të kryer krime serioze, për të ndërmarrë sulme hakmarrjeje dhe masakra të tjera kundër sunive irakiane.

“Furnizuesit ndërkombëtarë të armëve, përfshirë SHBA-në, vendet Europiane, Rusinë dhe Iranin duhet të jenë të ndërgjegjshme për faktin se të gjitha transfertat e armëve në Irak përmbajnë një rrezik real të përfundimit në duart e grupeve milici me histori të gjata të shkeljes së të drejtave të njeriut,” tha Patrick Wilcken, kërkues për kontrollin e armëve dhe të drejtat e njeriut pranë Amnesty.

Grupi i të drejtave me bazë në Londër kujtoi se në 2015, Iraku ishte importuesi i gjashtë më i madh në botë i armëve të rënda.

Raporti tha se Njësitë e Mobilizimit Popullor zotërojnë të paktën 100 lloje armësh, duke variuar nga armët e rënda si tanket dhe artileria deri te armët e vogla përfshirë Kallashnikovë, automatikë M-16, mitralozë, armë dore dhe snajperë.

Mes armëve të identifikuara janë armët e dorës kroate dhe pushkët HS Produkt VHS-1, pushkët serbe M70, pushkët rumune të qitjes, si dhe mitralozë RPK që prodhoheshin në ish-Jugosllavi.

Armë më të fundit të zotëruara nga të njëjtat milici përfshijnë mitralozët bullgarë 152 mm D-20 dhe MQ-1M PK të prodhuar nga Arsenal, me gjasa të dërguara në Irak gjatë viteve 2008 dhe 2011, tha Amnesty.

Organizata e të drejtave shprehu shqetësim të madh rreth kapacitetit dhe vullnetit të autoriteteve irakiane për të siguruar dhe menaxhuar rezervat ushtarake.

“Çdo shtet që shet armë te Iraku duhet të tregojë se janë marrë masa strikte për të siguruar se armët nuk do të përdoren nga milicitë paraushtarake për të shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut. Nëse ato nuk e kanë bërë këtë, transferta nuk duhej të ndodhte,” tha Wilcken.

Amnesty i ka akuzuar vazhdimisht qeveritë perëndimore se kanë bërë një sy qorr për destinacionin përfundimtar dhe qëllimin e përdorimit të armëve të eksportuara në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Në maj 2016, Amnesty dënoi vendet e Ballkanit për shitje të armëve në Egjipt, që grupi tha se janë përdorur për vrasje dhe torturë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button