Ekonomia

Armo drejt rishtetëzimit, rafineria e mbytur në borxhe

Pas CEZ-it, Qeveria mund të vendosë shpëtimin e një tjetër kompanie strategjike, privatizimi i të cilës rezultoi po ashtu një dështim i madh financiar. Bëhet fjalë për ARMO-n, rafinerinë e vetme të naftës në vend, e cila ndodhet në një krizë të thellë financiare.

Ndonëse gëzon statusin e sektorit strategjik, Armo është në kolaps. Kompania ka ndërprerë aktivitetin dhe prej 6 muajsh nuk ka paguar punonjësit. Por veç kësaj ARMO është shndërruar në një patate e nxehtë për borxhet masive.

Kompania vlerësohet se ka mbi 470 milionë dollarë borxhe, nga të cilat 220 milionë dollarë ndaj Tatimeve ndërsa pjesa tjetër ndaj palëve të treta, veçanërisht bankave. Ekspozimi i madh i bankave e bën situatën edhe më delikate.

Pak javë më parë, kryeministri Rama ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm pune me përfaqësues të disa ministrive dhe Avokaturës së Shtetit. Brenda dy muajsh, grupi pritet të dërgojë në qeveri një dokument me propozimet për zgjidhjen e krizës. Por Top Channel ka mësuar se variantet e identifikuara janë vetëm tre, rishtetëzimi i kompanisë, likujdimi i saj ose shitja e mundshme nga investitori.

Zgjidhja e ARMO-s do të jetë një nga këto tre opsione. Varianti i parë, me gjasa nuk do të kishte kosto për buxhetin, pasi ARMO ka borxhe të mëdha në shtet. Por ai do të kërkonte arritjen e marrëveshjes me pronarët privatë.

Aktualisht 85 përqind e ARMO-s zotërohet nga një grup azer i quajtur Heni Asets dhe 15 përqind nga shteti shqiptar. Grupi azer e bleu kompaninë nga Rezart Taçi, por u largua sërish pasi u njoh me gjendjen e vërtetë financiare të saj.

Burimet i thanë Top Channel se grupi i punës ka tentuar të kontaktojë me kompaninë azere, por pa sukses. Në rast se pronarët nuk do të përgjigjen atëherë qeveria mund t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare për thirrje të detyruar për të vazhduar më pas negociatat për gjetjen e një zgjidhje.

Marrja në pronësi të shtetit do të mundësonte ristrukturimin e kompanisë dhe vënien e saj në punë.

Në rastin e dytë, atë të likujdimit, kompania do të çohej në faliment dhe nga shitja e aseteve do të shlyheshin disa prej detyrimeve sipas radhës.

Ndërsa varianti i tretë, ai i shitjes nga investitori do ishte më optimali, por përballë borxheve masive duket me pak gjasa.

Ende nuk ka një propozim apo vendim zyrtarë, por e sigurtë është se ashtu si CEZ-i, qeveria ka një tjetër patate të nxehtë në dorë, edhe kjo rezultat i një privatizimi të dështuar, opsionet për zgjidhjet e të cilit nuk janë të shumta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button