Ekonomia

“Arnat” e buxhetit në mes të vitit, si do riorientohen shpenzimet, a do rriten pagat e pensionet..

Edhe viti 2016 nuk arriti dot t’i shpëtonte një ndryshimi që Ministria e Financave do t’i bëjë buxhetit të shtetit. Nëse problemet kryesore një vit më parë ishin mungesa e të ardhurave, këtë herë vijon të mbetet shqetësim mënyra sesi shpenzohen paratë. Sipas të dhënave të publikuara të treguesve fiskalë, shpenzimet publike nuk janë realizuar në masën 150 milionë dollarë për 4 muajt e parë të vitit, duke e bërë të pashmangshëm rialokimin e fondeve.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se rishikimi i buxhetit do të bëhet dhe se do të ketë një rialokim të fondeve, por jo pa marrë më parë një miratim nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Deri në prill të këtij viti, qeveria duhet të kishte shpërndarë 129 miliardë lekë fonde, por nga kjo shifër janë alokuar vetëm 114 miliardë lekë. Rënia është me 10 miliardë lekë ose me 8.5% edhe nga viti i mëparshëm, i cili në fakt nuk u shqua për një ecuri të mirë të shpenzimeve. Qeveria u detyrua të ndryshonte fokusin e veprave publike 3 herë gjithsej.

Por cilat kanë qenë arsyet në vonesën e hapjes së punimeve publike? Financat kanë pohuan se ka pasur probleme me hapjen e prokurimeve të veprave të mëdha.

Në tërësi, për katër muajt e parë, shpenzimet nuk janë realizuar në të gjitha drejtimet. Fondet për investimet në vepra publike kanë një rënie 2.4 miliardë lekë krahasuar me planin, 2.3 miliardë mungojnë te shpenzimet operative dhe 2.7 miliardë lekë u mungojnë buxheteve të pushtetit vendor.

 

Veprat publike që do të fillojnë punë

Janë gjithsej 4 projekte të mëdha të qeverisë të cilat së fundi janë zhbllokuar dhe do të nisë zbatimi i tyre. Burime nga Ministria e Financave thonë për Revistën Monitor se alokimi i këtyre fondeve pritet të përmirësojë ecurinë e shpenzimeve në buxhet.

 

Skema e ndihmave në bujqësi.

Janë 15 milionë euro të cilat do të fillojnë të shpërndahen në formë subvencioni për fermerët. Numri i aplikimeve shkoi në 1500 dhe pas shqyrtimeve, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të nisë shpërndarjen e tyre. Me këto para financat besojnë se do të përmirësohet ecuria e shpenzimeve, por po ashtu pret edhe rritje të prodhimeve të fermerëve, të cilat do të rritin ekonominë.

 

Punimet për Unazën e Madhe, me paratë e INSIG.

11 milionë dollarë, 50% e parave që janë derdhur në buxhetin e shtetit nga privatizimi i kompanisë së sigurimeve INSIG do të shkojnë për fillimin e punimeve të Unazës së Madhe të kryeqytetit. Ministria e Financave thotë se pjesa tjetër e këtyre parave do të shkojë për uljen e borxhit publik. Gjithsej, shteti shqiptar mori nga INSIG 22 milionë dollarë.

 

Ku duhet të shkojnë paratë e buxhetit?

Debate të shumta ka pasur lidhur me mënyrën sesi qeveria “Rama” është duke përdorur paratë e buxhetit të shtetit. Opozita e ka akuzuar shpesh për mungesë vizioni dhe për shkurtim të fondeve në buxhet që sjellin në të vërtetë rritje ekonomike. Në fakt, e vërteta është se buxheti për investime publike është shkurtuar ndjeshëm dhe prioritet kanë pasur vepra të vogla, të cilat lidhen më shumë me fasadat…

Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, thotë se shqetësimi kryesor i këtyre viteve të fundit ka qenë pesha specifike që shpenzimet kapitale kanë pasur nëse krahasohen me shpenzimet e tjera. Nëse dikur, shpjegon ai, investimet në vepra të mëdha renditeshin të parat sa i përket volumit të parave që ndaheshin në buxhet, sot ato janë në vend të tretë. “Problemi më i madh janë fondet të cilat janë dhënë në këto vite për shpenzime kapitale. Orientimi që u është bërë këtyre parave nuk ka pasur në fokus lehtësimin e jetës së qytetarëve, pasi paratë e buxhetit janë taksat që ata paguajnë. Këto shpenzime kanë shkuar për zbukurime fasadash, projekte të vogla nëpër qendrat e qyteteve apo rikonstruksione zyrash. Që të rritet punësimi dhe përmirësimi i jetesës së qytetarëve është e dëshirueshme që qeveria të investojë para në vepra publike, të cilat kanë në fokus infrastrukturën”, shprehet Zef Preçi.

Por për Gjergj Buxhukun, qeveria duhet patjetër që të përfundojë veprat e nisura në infrastrukturë, përndryshe ato do të sjellin dëme të konsiderueshme, pasi do të kërkojnë para shtesë nga buxheti. “Nuk janë realizuar shpenzimet, njëherë duhet të mbyllin problematikat që ka. Mënyra më e mirë për t’i përdorur me efektivitet është të përfundojnë veprat publike, sepse vetëm kështu merr oksigjen ekonomia!”

Por administratori i Konfindustrisë është skeptik nëse në gjashtë muajt e parë, qeveria do të përmbushë apo jo planin e të ardhurave. “Kjo rishpërndarje duhet të bëhet gjithmonë me kushtin nëse do të realizohen të ardhurat. Duhet parë 6-mujori! Jam skeptik nëse do ta realizojnë planin. Edhe pse e kanë bërë pak më të ulët, po t’i marrësh në krahasim si 4-mujorë ka një ndryshim në thelb. Një vit më parë u ulën zhdoganimet për shkak të rritjes së akcizave dhe ndryshimeve që ka pasur kjo taksë, prandaj biznesi bëri më parë importin e mallrave, ndërsa këtë vit importet janë konstante dhe problematika mund të dalë në fund të majit dhe qershorit!”

Nëse buxheti do të ndryshohet, ekspertët kërkojnë që të merren masa edhe në drejtim të uljes së borxhit publik. “Paratë të cilat do të rishpërndahen do të ishte mirë që të shkonin edhe për uljen e borxhit”, – thotë Zef Preçi.

Ndërsa Gjergj Buxhuku thotë se nuk është koha të kemi luksin për të ulur borxhin publik, për të kryefjala e financave në këto kohë që po kalojmë është shpenzime sa më të shumta. “Paratë nuk duhet të shkojnë për uljen e borxhit, sepse ritmi i rritjes ekonomike është i ulët dhe ka nevojë për injektim të parave në ekonomi. Këto janë vite kritike, prandaj më shumë shpenzime dhe jo para për borxhin”, sqaron Buxhuku.

 

 

Zef Preçi

Orientimi që u është bërë investimeve kapitale nuk ka pasur në fokus lehtësimin e jetës së qytetarëve, pasi paratë e buxhetit janë taksat që ata paguajnë. Këto shpenzime kanë shkuar për zbukurime fasadash, projekte të vogla nëpër qendrat e qyteteve apo rikonstruksione zyrash.

 

Gjergj Buxhuku

Paratë nuk duhet të shkojnë për uljen e borxhit, sepse ritmi i rritjes ekonomike është i ulët dhe ka nevojë për injektim të parave në ekonomi. Këto janë vite kritike, prandaj ka më shumë shpenzime dhe jo para për borxhin.

 

A duhet të rriten pagat dhe pensionet?

Në vite elektorale, Shqipëria ka njohur gjithmonë politika populiste të qeverive, të cilat kërkojnë të joshin sa më shumë votuesit. Një prej më të njohurave të qeverisjes së shkuar është rritja e pagave dhe pensioneve. Edhe pse Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër këtyre politikave, kabineti ‘Berisha’ nuk ngurronte që gjithmonë, sidomos në vitet kur kishte zgjedhje, të rriste pagat dhe pensionet. Përdorimi i një fondi të tillë “elektoral” në buxhet, ishte më tipik vitin e fundit të kësaj qeverisjeje, kur vendimi nuk hyri në fuqi në fillim të vitit, por në muajin korrik.

Që prej ndryshimit të tatimit të pagave dhe futjes së progresivitetit, kabineti ‘Rama’ ka deklaruar se nuk kishte si politikë të saj rritjen e pagave në administratë. Megjithatë, kohët e fundit po flitet gjithnjë e më shumë për një vendim të qeverisë që do të rrisë pensionet dhe pagat. ‘Monitor’ ka mësuar se një skenar që Ministria e Financave do ta diskutojë me Fondin Monetar Ndërkombëtar është rritja e pensioneve, pas rishpërndarjes së fondeve që do të bëhen në buxhetin e këtij viti. Ministri Arben Ahmetaj e ka lënë të hapur një variant të tillë. “Shijojeni pranverën e lënies mbrapa të krizës, sepse nuk mund t’i marrim njëherësh të gjitha këto informacione të mira. Le t’i konsumojmë ngadalë-ngadalë. Le të shijojmë lënien mbrapa të krizës, le ta shijojmë rritjen e konsumit, le ta shijojmë atë rritje kredie modeste. Që kur të vijë një lajm i mirë i dytë dhe i tretë të kemi mundësi t’i shijojmë”. Por kjo deklaratë u konfirmua edhe nga vendimi që mori qeveria ditën e mërkurë për rritjen e pensioneve për 20 mijë persona që kanë dalë në pension gjatë viteve 1993 – 1996. “Nga vendimi i Këshillit të Ministrave përfitojnë përllogaritje 19,655 persona nga të cilët, 10355 persona të dalë në pension pleqërie në harkun kohor 1993-1996, me një shumë mesatare prej 8400 lekë në muaj; Përftojnë 500 ish-ushtarakë, me një shumë mesatare prej 5000 lekë në muaj; Përftojnë 8800 minatorë dhe arsimtarë, që kanë kaluar tashmë në pension të plotë pleqërie, me një shtesë mesatare që arrin deri në vlerën e 40 mijë lekë të vjetra në muaj”, – ka deklaruar në një konferencë për shtyp ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi. Efekti financiar që ka kjo masë në buxhet është 3.2 milionë dollarë.

Po ashtu, ‘Monitor’ ka mësuar se edhe Këshilli Kombëtar i Punës, institucion që varet nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka kërkuar rritje të pagave në administratë, në mënyrë që të nxitet edhe sektori privat në rritjen e tyre.

Ekspertët janë të mendimit se rritja e pagave dhe pensioneve, edhe nëse do të bëhej sot, do të ishte një vendim i vonuar. “Është një masë e vonuar, sepse duhet të ishte bërë më parë. Pagat në sektorin privat do të reflektonin rritje nëse do të rriteshin ato të administratës”, – thotë Zef Preçi.

Ndërsa bizneset janë të mendimit se kjo do të rrisë likuiditetin në ekonomi. Për Konfidustrinë, masa më e fundit për rritjen e pensioneve në vitet e para 90’ është modeste. “Është e mirë si masë, por duhet të dihet sa është toleranca që do t’i lërë në dorë qeverisë Fondi Monetar Ndërkombëtar. Po ashtu nuk duhet të bëhet për qëllime politike! Çdo rritje pagash dhe pensionesh është rritje likuiditeti në ekonomi, edhe pse është në nivele të ulëta, vetëm për 20 mijë veta për periudhën e parë të viteve 90’. Është pak modeste por çdo rritje është për t’u vlerësuar”,- shprehet Gjergj Buxhuku.

Në kohën që konsumi është në rënie, rritja e pagave shihet si një element i cili do të përmirësonte blerjet dhe optimizmin e qytetarëve. Për Zef Preçin, qeveria duhet të bëjë kujdes në këtë drejtim që të mos e përdorë si një incentivë elektorale. “Pagat mesatare të Shqipërisë janë më të ulëtat në rajon. Duhen rritur, por jo duke i përdorur politikisht, pasi nuk do të sillnin efekte në ekonomi. Qeveria duhet të orientohet në zhvillimin e ekonomisë. Si pagat dhe pensionet duhet të kenë në fokus luftën kundër varfërisë, për pensionet është e nevojshme rritja e pensionit minimal”,- thotë ai.

 

 

 

Pagat

Këshilli Kombëtar i Punës, institucion që varet nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka kërkuar rritje të pagave në administratë, në mënyrë që të nxitet edhe sektori privat në rritjen e tyre.

Pensionet

Një skenar që Ministria e Financave do ta diskutojë me Fondin Monetar Ndërkombëtar është rritja e pensioneve, pas rishpërndarjes së fondeve që do të bëhen në buxhetin e këtij viti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button