Arrestime edhe në ditët e ardhshme: 150 persona në listën e kërkimit, mes tyre edhe femra
Gjykata e Prishtinës u rrethua të mërkurën me masa të rrepta sigurie gjatë shoqërimit të 40 të arrestuarve si të dyshuar për terrorizëm dhe si pjesëmarrës në luftërat në Irak e Siri.
Gjykata vendosi 48 orë arresti për të arrestuarit, ndërsa vendimi për ta pritet që të merret sot ose nesër për shkak të numrit të lartë të tyre. Avokatët e të dyshuarve thonë se të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm, e ndërsa 4-5 prej tyre kanë pranuar që kanë marrë pjesë në ushtrinë çlirimtare të Sirisë, ushtri kjo e cila sipas tyre nuk konsiderohet si ushtri terroriste.
Avokatët e të akuzuarve janë shprehur optimistë se klientët e tyre do të shpallen të pafajshëm pasi Prokuroria nuk ka prova për akuzat e ngritura.
Por, nga ajo që Top Channel ka parë në kërkesën e prokurorit special Blerim Isufaj, pothuajse të gjithë të dyshuarit akuzohen për vepra të ngjashme penale, si organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes, rekrutim për terrorizëm etj. Mbi këto dyshime, prokurori Isufaj ka kërkuar masën e paraburgimit për të gjithë të arrestuarit e një dite më parë.
Po ashtu, Top Channel ka mësuar nga burime brenda policisë se aksionet për arrestimin e personave që dyshohet se janë infiltruar nëpër organizata terroriste do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme.
Mësohet se në listën e kërkimit të Policisë janë edhe mbi 150 kosovarë dhe në këtë numër në polici thonë se ka edhe femra.
Njëri prej të arrestuarve dyshohet se kishte në plan të kryente një sulm në Doku Fest, ngjarja më e madhe kulturore në Kosovë, tha për Top Channel një burim zyrtar në kushte anonimati.