Kronika

Arrestohet ish kryebashkiaku socialist i Fushë-Arrëzit

Në Shqipëri, ish kryebashkiaku socialist i Fushë Arrëzit Fran Tuci, është arrestuar me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Për të njejtën akuzë, ka përfunduar në arrest shtëpie, dhe ish administratori i Njësisë administrative Iballë, Ndoc Marku.

Gjithshka lidhet me hapjen e një segmenti të ri rrugor rural, të pamiratuar më parë nga autoritetet kompetente, nga ana e e një shoqërie private, për administratorin e së cilës është dhënë masa e “Detyrim paraqitjes”.

Veprimet e para proceduriale kanë nisur nga Prokuroria e Pukës e cila më pas ja ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Posaçme. Nga hetimet ka rezultuar se “në territorin nën juridiksionin administrativ të Bashkisë Fushë Arrëz, në kundërshtim me të gjithë kuadrin ligjor në fuqi, është hapur një segment i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor”.

Vlerësimet e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit flasin për një dëm prej më shumë se 2 milionë euro, të shkaktuar nga dëmtimi i terrenit dhe shpyllëzimi i sipërfaqes nga e cila është përfituar rruga e hapur privatisht.

Prokuroria e posaçme ka shpjeguar se nga hetimet “ka rezultuar e provuar se ish titullari i Bashkisë Fushë Arrëz, në bashkëpunim më ish Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe pasojë të rëndë materiale për shtetin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar më parë nga autoritetet kompetente”.

Po ashtu Prokuroria bën të ditur se kompania private “duke vepruar në terren me mjete të rënda, pa patur asnjë leje nga organet kompetente, ka shkaktuar shkatërrimin e pronës, duke kryer gërmime në volume të konsiderueshme dhe njëkohësisht duke shpyllëzuar fondin pyjor në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz”.

Ish kryebashkiaku Truci, ka drejtuar pushtetin vendor në Fushë Arrëz për dy mandate, si i zgjedhur partisë socialiste, nga viti 2015 deri para pak muajsh. Muajin e kaluar, kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, u arestua nën akuzën për korrupsion, pas publikimit të një videoje ku ai shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua, me të cilën më pas bisedonte për financimin e mundshëm nga ana e Bashkisë të një projekti të propozuar prej saj. Më herët, në qershor, u arrestua dhe ish kryebashkiaku tjetër socialist Vangjush Dako, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës, në të paktën dy raste.

Ndërsa në muajin mars të këtij viti, në pranga përfundoi kryetari socialist i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, nënkryetarja, si dhe 6 zyrtarë të tjerë të kësaj Bashkie, të cilët akuzohen për veprat penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”,“Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikim i formularëve”.

\

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button