Kronika

Arrestohet polici, kapet me 3.6 kg kokainë, pjesë e grupit që trafikonte drogë në Kosovë

Hamëz Demushi investonte në apartamente dhe autovetura luksoze

Detaje

CV-ja – Hamëz Demushi është 36 vjeç dhe ka lindur në Tropojë. Ai ka gradën kryeinspektor dhe punon te patrulla e përgjithshme në Komisariatin Nr. 6. Më parë ka qenë me detyrë agjent në disa komisariate

Rekrutimi – Krahas aktivitetit kriminal, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm do të verifikojë edhe rekrutimin e tij. Mësohet se Demushi ka rreth 10 vite në Policinë e Shtetit. Në pyetje do të merren edhe eprorët e tij

Nga Sokol Çobo

Polici trafikant

Policia e Shtetit thotë se Hamëz Demushi, me origjinë nga Tropoja, punonte në patrullën e përgjithshme te Komisariati Nr. 6 në Tiranë. Më parë ka qenë te Komisariati Nr. 3, duke mbajtur disa detyra, ndërsa ai mban gradën e kryeinspektorit. Zyrtarisht, Ministria e Brendshme thotë se “ky punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, në kohë dhe vende të ndryshme, ka trafikuar në drejtim të Kosovës lëndë narkotike të llojeve të ndryshme”.

Ai është ndaluar në banesë, ndërsa kolegët e tij i kanë gjetur edhe një sasi të mëdha kokaine, e cila kishte si destinacion Kosovën. “Në banesën e Hamëz Demushit është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike prej 3.6 kg e dyshuar e llojit kokainë, dhe 0.5 kg e dyshuar heroinë. Gjithashtu, janë sekuestruar një presë që shërbente për presimin e lëndës narkotike, dy kompjuterë lap-top, gjashtë telefona celularë dhe mbi 30 karta SIM të kompanive celulare shqiptare e kosovare”, thotë ministria. Duke qenë se atij i janë gjetur shumë celularë apo karta, policia dyshon se “porositë” i merrte nëpërmjet telefonit, ndërsa ndaj tij ka edhe shumë përgjime. Megjithatë, edhe kompjuterët e Demushit po kontrollohen, për të parë se me kë ka komunikuar në rrjetet sociale, pasi si pjesëtarë të këtij grupi dyshohen edhe disa persona të tjerë.

Pastrimi i parave

Krahas trafikut të drogës, 36-vjeçari me origjinë nga Tropoja dyshohet se pastronte paratë e këtij grupi kriminal. Ai merrej me shitblerje apartamentesh dhe automjetesh. Në banesë, sipas policisë, i janë gjetur shumë dokumente të tilla, që hedhin dyshime se ai merrej edhe me pastrim parash. “Në banesën e Demushit janë gjetur një sasi e madhe dokumentacioni, si akte shitblerjeje apartamentesh e automjetesh, si dhe dokumente të tjera të rëndësishme për hetimet.

Hetimet janë zhvilluar nga SHÇBA, në bashkëpunim me Task-Forcën në Prokurorinë e Tiranës dhe Prokurorinë për Krimet e Rënda, duke aplikuar metodat speciale të hetimit. Nga këto hetime, rezultoi se punonjësi i policisë, Hamëz Demushi, është pjesë e një grupi kriminal, që ushtronte aktivitetin e trafikut të lëndëve narkotike, të të gjitha llojeve, e shtrirë kjo në Kosovë e Shqipëri”, thanë burimet zyrtare, ndërsa shtojnë se po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, si dhe bashkëpunëtorëve.

Demushi, certifikatë për “Drejtuesit e agjentëve të infiltruar” 

Në morinë e dokumenteve të sekuestruar në banesën e Demushit, është edhe një certifikatë, e dhënë kohët e fundit. Ai ka marrë pjesë në një seminar, me temë “drejtuesit e agjentëve të infiltruar”. Seminari është zhvilluar nga misioni Pameca IV, ndërsa firmëtarë të kësaj certifikate janë nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe drejtori i Akademisë së Policisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button