Arsimi, Rama: Nuk ka më diploma me para, disa universitete do mbyllen
Kryeministri Edi Rama, ka paralajmëruar sot mbylljen e disa shkollave dhe universiteteve private e shtetërore fantazmë. Në aktivitetin për paraqitjen e Raportit të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në Institucionet e Arsimit të Lartë, kreu i qeverisë ka akuzuar qeverinë “Berisha”, për një rrokopujë me hapjen e shkollave dhe universiteteve private e shtetërore në vend.
“Ne do hapim rrugën e rilindjes së universiteteve në Shqipëri, – theksoi Rama, – sepse avantazhi ynë është dashuria e familjes për arsimin. Universitetet që e kalojnë testin e ligjshmërisë, do të përballen me testin e cilësisë dhe akreditimit”.
Rama sulmoi qeverinë e mëparshme për hapjen pa fund të universiteteve pa asnjë kriter: “Qeveria e mëparshme, blinte qetësi, që të mos përballej me papunësinë e të rinjve. E transformoi vendin në një vend që prodhonte nivel të lartë arsimor, por jo profesional. Diplomat janë kthyer në copa letre që prodhojnë para, por asnjë vlerë në treg”.
Kryeministri nga ana e tij, duke i cilësuar këto institucione si ‘skema piramidale’, shprehu keqardhjen për investimin e familjeve për fëmijët e tyre në këto shkolla. “Më vjen keq për familjet që i kanë derdhur paratë në shumë skema piramidale dhe mashtruese. Se po të kishin bërë kontroll më parë në bazë të ligjit, do kishin kursyer qindra milionë lekë dollarë investime të prindërve”.
Në fund, ai shtoi: “Nuk do kemi ndarje artificiale të dëmshme në arsim mes shtetit dhe privatit. Kontrollit do t’i nënshtrohen të gjithë njëlloj në kushte të barabarta. Ne duam një arsim të ekselencës dhe jo të deficensës”.
Rama ka propozuar për mbyllje disa shkolla dhe universitete private e shtetërore, që sipas tij, nuk i plotësojnë kushtet.
Propozim për mbyllje
Akademia e Arteve Shkodër
Propozim për mbyllje të filialeve
Filiali Kukës, Universiteti i Tiranës
Filiali Sarandë
Filiali Peshkopi, UAMD
Filiali Pogradec, UK
Filiali Lushnje, Universiteti Bujqësor
Filiali Gjirokastër, Universiteti Bujqësor
Universitete privat për pezullim license
Universiteti ‘Kristal’
Universiteti ‘Vitrinat’
Universiteti ‘Justiniani I’
Universiteti ‘Albanian University’, i njohur më pare më emrin, ‘UFO’