Libri

Assia Djebar , “Liria e trupit”

Liria e trupit

Nga Alda Bardhyli

Assia DjebarNë Algjerin e viteve 1960, Assia Djebar kërkonte një jetë tjetër nga ajo e femrave të qytetit të saj. Në librat që kishte lexuar herët e kishte gjetur atë jetë. Femrat në librat e Scot Fixherald, visheshin me fustane të lehta, dhe mund të kalonin mbrëmje në shtëpinë e një burri, duke pirë verë e folur për politikë apo letërsinë. Te librat e Faulkner një grua mund të ndahej lehtë nga një burrë. Teksa shihte shoqet apo nënën e saj, Assia nuk mund ta mendonte se një ditë jeta e saj do të ishte si në librat që kishte lexuar. Por, Assia donte të ndryshonte. Në shënimet e mbajtura gjatë atyre viteve ajo ka shkruar kaq shumë për ëndrrat. Asgjë nuk është më e bukur se ëndrrat e një vajze që jeton në një qytet provincial, ku pjesa më e madhe e ditës kalon në një dhomë ku gjenden vetëm disa libra. Por ata libra Assian e shpëtuan. Kaq vite më pas, në Paris Assia Djebar nuk e ka harruar të shkuarën. Në veshjen apo letërsinë që shkruan, Algjeri është aty si 30 vite më parë. Çdo mbrëmje, ku errësira jashtë pushton gjithçka, ajo ulet në tavolinën e saj të punës, për t’u dhënë jetë shpirtrave të imagjinatës. “Çdo mbrëmje unë shkoj në Algjer”, shprehet ajo. Në shtëpinë e vogël të fëmijërisë, ajo dëgjon zërat e së shkuarës, të cilët janë përgjithmonë aty dhe nuk duan të ikin. Assia do t’u japë një jetë tjetër atyre zërave, që vijnë nga trupat e femrave që nuk e kanë lënë asnjëherë Algjerin. Ato femra që nuk kanë ikur asnjëherë prej mendjes së saj, dhe kur ka qenë në sallonet e larta franceze. “Të shkruaj për pjesën më të madhe të motrave të mia është njësoj si të përplasesh pas murit të heshtjes dhe të së padukshmes. Në të njëjtën kohë lind një urgjencë për të shkruar për to, domethënë të thur një betejë pasionante. Kam urgjencë për të shkruar, për të thënë fjalën, para se të ndodhë fatkeqësia”, shprehet ajo. Përmes librave që shkruan Assia i zbulon botës, atë çfarë fshihet përtej veshjeve të gjata dhe perçes në fytyrë të grave myslimane. Gjithë ajo botë e mistershme, e fshehtë dhe shpesh torturuese vjen në librat e Djebar, bashkë me apelin për të ndryshuar. Një unazë e smeraldtë në duar, është shenja që i kujton shpesh që ajo mund të ishte një nga ato. Ishte 15 vjeç kur e gjyshja e hoqi nga dora për t’ia dhënë vajzës që e shihte me ata sy të mëdhenj, të shtrirë në shtrat. Një unazë ka një simbolikë të veçantë në Algjeri. Fati i atij që e ka pasur bashkohet me fatin tënd, dhe të ndjek gjithë jetën. E lindur në Algjeri, në vitin 1936, Assia Djebar(emri i saj i vërtetë është Fatima Zohra Imalayen) është femra e parë algjeriane që është pranuar në Shkollën Normale Superiore Franceze. Mbështetëse e emancipimit femëror në botën islamike, pasi mori pjesë në Lëvizjen për Liri të Algjerisë, vendos të shkruajë në gjuhën franceze, duke rrëfyer historitë e botës nga ajo vjen. Si mënyrë për t‘u shprehur (librat e saj janë përkthyer në shumë gjuhë të botës), ajo ka përqafuar poezinë, publicistikën, dramaturgjinë dhe regjinë e veprave dokumentare e kinematografike. Gjatë karrierës së saj është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilave me Çmimin për Paqen në vitin 2000. Në themel të krijimtarisë së saj është gjendja e grave në botën e tretë. Janë gra që flasin në dialekt arab, janë zëra gojëdhënash, të cilat Assia i përkthen në gjuhën franceze, duke reflektuar dhe duke përcjellë para botës mbarë fantazinë femërore arabe. Më 1996 ajo u nderua me çmimin ndërkombëtar “Neustadt” për letërsinë. Në moshën 21-vjeçare ajo botoi romanin e parë “Etje” nën emrin Assia Djebaer, nga frika se i ati nuk do ta pranonte që e bija të shkruante. Një vit më vonë ajo do të botonte një tjetër libër. “Gjithë sa kam bërë, unë e konsideroj një rrugëtim të gjatë…,shprehet ajo. Jetën e saj e ndan në dy periudha. E para nis pas romanit të katërt, “Dashuria, lufta” e publikuar në vitin ‘67, pas pavarësisë së Algjerisë, kur ndodhej në Paris. Është një libër që përmbledh eksperiencën e saj përgjatë luftës për pavarësi. Aty ka shumë personazhe dhe pikërisht në mes të historisë, aty ku trajtohet lufta, rreth 50 faqe ia ka kushtuar lumturisë së një çifti. Pa e kuptuar as vetë, libri kishte nisur të ishte autobiografik. Atëherë kuptoi se ajo që shkruante po e vinte në rrezik. Ishte e re. Ende nuk i kishte mbushur të 30-at. Atëherë të shkruaje për të folur ishte njësoj si të dilje kundër. Nuk shkroi më për thuajse 10 vjet. Iu kthye më pas falë eksperiencës kinematografike dhe kjo ishte periudha e dytë. “Por përtej eksperiencës kinematografike kuptova vështrimin e grave të vendit tim, atë vështrim që nuk ishte çliruar asnjëherë. E ndoshta pikërisht sepse kam sjellë këtë temë, librat e mi nuk do të jenë asnjëherë bestseller në Europë, në kuptimin komercial të fjalës, sepse kur erdha në Europë, dekada më parë, të gjithë thoshin “është algjeriane…” dhe më shihnin si një zog të rrallë. Por tani gjithçka ka marrë fund. Mendoj se lexuesit kërkojnë detajin e vogël ‘tipik‘”, shprehet Assia. Ajo thotë se nëpërmjet shkrimeve të saj është një liri e dyfishtë që duhet fituar, ajo e fjalës dhe e trupit. Por në të vërtetë kjo mund të bëhet vetëm duke dialoguar mes grave. Kështu, narrativa e saj kthehet në një lloj pyetësori për të vendosur pikërisht këtë dialog, për të parë se cila është pika ku mund të kërkohet ky çlirim i vetvetes në mënyrë që të lirosh edhe të tjerat dhe në të njëjtën kohë t‘i dëgjosh e të kthehesh prapë te vetja jote. Vetëm kështu dialogu merr kuptim, por jo kuptimin letrar, por kuptimin e dialogut të vërtetë, të atij që mund të nisin thellësisht të bëjnë dy persona së bashku. Për këtë arsye, Assia thotë se rrëfimi autobiografik nuk mund të ekzistojë në vendet myslimane, aty ku gruaja ende nuk e gëzon mbështetjen e nevojshme për t‘u shfaqur ashtu siç në të vërtetë është. “Kur një grua flet për veten, flet edhe për mua dhe kur unë flas për veten ajo mundohet të më kuptojë”. Për këtë arsye, Assia Djebar ka zgjedhur të shkojë deri në thellësi të problemit. Ajo nuk mund të qëndrojë në sipërfaqe, sepse dëshiron të solidarizohet me të vërtetë me këto gra, të vështrojë përtej perçes së heshtjes. Dhe Assia beson se vërtet mund ta arrijë këtë. Libri i saj i parë “La Soif”, 1957, shkruar në gjuhën franceze, ashtu si edhe gjithë vepra e saj i ka kushtuar megjithatë akuzën e antipatriotizmit pas pavarësisë së Algjerisë. Pas tij vijon “Les Impatients” (1958) dhe “Les enfants du noveau monde” (1962), të dy të përqendruar në temën e luftës, të pavarësisë kombëtare dhe të raportit të lirisë me temën patriarkale. Tema e rebelimit femëror kundrejt patriarkatit është eksploruar sidomos në “Les Alouettes Naìves” të vitit 1967… Në qendër të krijimtarisë së saj mbetet Algjeria. Pas një martese që përfundoi shumë shpejt në divorc në vitin 1958 më Ahmed Ould Rois, ajo duket se gjen dashurinë kur njihet me poetin algjerian, Malek Alloula. Në vitin 1980 ata martohen në Paris, ku ende sot ndajnë jetën. Këto ditë, emri i Assia Djebar, kësaj gruaje portreti i të cilës të kujton Algjerin, përmendet nga media ndërkombëtare si një nga kandidatet për çmimin Nobel në letërsi. Ky nuk është viti i parë që emri i saj përflitet si favorit për këtë çmim. Më vitin 2009 ajo ishte shumë pranë këtij çmimi, të cilin e mori shkrimtarja Herta Muller.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button