Politika

Ati i Shenjtë vendos lulet e Qendrës Betania në Bazilikën e Shën Mërisë

papa-foto-lule-320x174“Papa falënderoi Zonjën e Bekuar që vizita në Shqipëria shkoi me sukses të plotë”

Ati i Shenjtë vendos lulet e dhuruara nga Shqipëria në Bazilikën e Shën Mërisë së Madhe. Sipas një njoftimi zyrtar të Selisë së Shenjtë, lulet e dhuruara nga fëmijët jetimë të Qendrës Betania në Bubq të Krujës, janë vendosur në Vatikan, në Bazilikën e Shën Mërisë së Madhe nga duart e vetë Atit të Shenjtë, Papa Françeskut. Radio Vatikani gjithashtu njofton se “Papa Françesku, sipas zakonit, deshi ta falënderojë Zojën e Bekuar për mbrojtjen dhe suksesin e plotë të shtegtimit të tij në Shqipëri”. “Sot paradite, rreth orës 12:00, njofton një notë zyrtare, Papa shkoi në Bazilikën e Shën Mërisë së Madhe dhe u gjunjëzua në lutje të heshtur në kapelën e Zonjës Salus Popoli Romani, ku vuri tufën me lule, që i dhuruan dje në Shqipëri, në çastin e takimit me fëmijët e Qendrës Betania. Lule shqiptare, në elterin romak të Zojës, ndërkohë që besimtarët e pranishëm u bashkuan me Papën në lutje, për të përfunduar me këngën ‘Të falem Mbretëreshë’. Papa vendosi në Bazilikë një buqetë nga Shqipëria. Buqeta me lule iu dhurua nga fëmijët në Qendrën Betania. Lutjes dhe falënderimit iu bashkuan edhe besimtarët e pranishëm”.

Mediat

Shtypi botëror vijon t’i bëjë jehonë vizitën së Papës në Shqipëri, duke u fokusuar më tepër tek arsyet se pse Papa Françesku ndërmori një nismë të tillë dhe mbi të gjitha për mesazhet që u dhanë nga sheshi “Nënë Tereza”, vendi që u mbajt mesha e shenjtë e së dielës. “Kur vizita rrufe e Papa Françesku u njoftua në Shqipëri, kriza në Irak nuk e kishte rënduar dhe projekti shkatërrues ISIS nuk ishte aq në qendër të vëmendjes si sot. Arsyet që kishin nxitur Papën për të pranuar ftesën për të vizituar vendin e shqiponjave, ishin në thelb dy: për të inkurajuar një shembull të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit mes sekteve të ndryshme të krishtera dhe komunitetit mysliman, ai shpreh afërsinë e tij në vendin ku kohët e fundit ishte larë në gjakun e martirëve, që ka pësuar një nga regjimet më të egra komuniste. Papa Françesku, në Shqipëri riafirmoi dhe përditësoi fjalët me të cilat që nga tetori i vitit 2001 në Assisi, Papa Gjon Pali II denoncoi përdorimin instrumental të emrit të Perëndisë për të arsyetuar terrorizmin, dhunën dhe diskriminimin. Ai e përcaktoi si një “sakrilegj të madh” vrasjen dhe përbuzjen për dinjitetin e njeriut në emër të fesë. Dhe ai e bëri atë në një vend që ka përjetuar prova të vështira, i goditur nga një prej regjimeve më të këqija totalitare dhe tani, pavarësisht nga vështirësitë, hendeku mes të pasurve dhe shumë pak të varfër, rreziku për të zëvendësuar ideologjinë komuniste me ideologjinë e konsumizmit – është një shembull i bashkëjetesës dhe vëllazërisë”, shkruajnë mediat italiane. Por vizita e Atit të Shenjtë u komentua edhe nga agjencia e lajmeve ANSA, e nis me një përshkrim të gjithë aktivitetin e Papës në Shqipëri. “Në Tiranë qan për martirët, apelon për dialog, inkurajon të rinjtë. Papa Françesku ishte ditën e diel në Shqipëri për të promovuar bashkëjetesën paqësore mes besimeve, që në këtë vend është realitet, dhe për ta shpërndarë këtë model në të gjithë botën”, shkruan ANSA.

Në qendrën shëndetësore të Pallatit të Kongreseve kishte tre mjekë kardiologë

Vizita e Papës, Rrjepaj: 173 persona morën kujdes mjekësor

Pas vizitës së Papa Françeskut, Ministria e Shëndetësisë bën edhe bilancin e personave, të cilët morën kujdes shëndetësor nga qendra e ngritur për këtë aktivitet. Bëhet me dije se gjatë asaj dite kanë marrë kujdes shëndetësor 173 qytetarë, ku 18 prej tyre janë dërguar në spital, për shkak se gjendja e tyre ishte disi më e rënduar se të tjerët. Zëvendësministri Klodian Rrjepaj tha se pjesë e personave që morën shërbim ishin edhe dy fëmijë. “Që në orën 07:30, pa filluar aktiviteti, ne shkuam me ministrin për të bërë një inspektim. Ambulanca e parë është dërguar në spital, para edhe gjatë natës, përpara kemi pasur prezencë në të gjithë perimetrin e vendit. Gjithsej, janë trajtuar 173 persona, dy kanë qenë fëmijë, njëri prej të cilëve ka qenë në gjendje shumë të rëndë. Ndërkohë, fatmirësisht, përgjigjja shumë e shpejtë ka bërë të mundur që të stabilizohet gjendja e fëmijëve për të mos rrezikuar jetën”, tha zëvendësministri i Shëndetësisë. Përpos të dhënave statistikore në lidhje me shërbimin e ofruar për qytetarët, Rrjepaj shtoi se te qendra shëndetësore e ngritur në Pallatin e Kongreseve, kanë qene tre kardiologë, po aq edhe infermierë të përforcuar. Ndër të tjera ai shtoi se faktor suksesi në menaxhimin e mirë të situatës, ka qenë bashkëpunimi me disa institucione dhe organizma të huaj e shqiptarë. Pas kësaj, ai theksoi se që në muajin korrik ka nisur puna përgatitore për ngritjen e kësaj qendre, me rastin e vizitës historike të Papa Françeskut. “Kemi që në muajin korrik që planifikojmë. Gjatë planifikimeve kemi qenë të fokusuar drejt parandalimit. Gjithmonë në grumbullimet në masë, është shumë e vështirë që të menaxhosh faktet mbrapa, për shkak se turmat janë të pamenaxhueshme nëse ndodh diçka. Pikërisht për këtë, kemi pasur edhe vullnetarë shtesë për të shpërndarë ujë”, përfundoi zëvendësministri Rrjepaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button