Kronika

Audiopërgjimi, tipik mafioz: Askush nuk mund të më shantazhojë

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka deklaruar sot se  do të vazhdojë të bëjë detyrën në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, pavarësisht shpifjeve dhe qëndrimit të opozitës.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë konferencës për shtyp shpjegon të vërtetën e ndalimit të vëllait të tij të dënuar nga drejtësia italiane

Ministri Xhafaj tha se shumë kanë folur këto ditë në emër të ligjit dhe të moralit, në lidhje me pozicionin e tij si ministër i Brendshëm, në raport me një vendim penal të drejtësisë italiane për të vëllain, Agron Xhafaj, si dhe kundrejt një bisede të tij me një “bashkëpunëtor X” për trafik droge.

“Sharlatanët politikë dhe të çdo lloji tjetër, shpifësit dhe spekulantët politikë dhe të çdo lloji tjetër, shantazhuesit politikë dhe ata të çdo lloji tjetër, intrigantët politikë dhe të çdo lloji tjetër dhe shkelësit e ligjit, të gjithë së bashku, për asnjë shkak dhe për asnjë arsye morale, apo më shumë akoma për arsye ligjore, nuk e meritojnë asnjëherë t’u respektosh kërkesën për shpjegime kundrejt tyre. Bërë kështu edhe kur je funksionar publik dhe i mveshur me detyrimin për shpjegime”, – shtoi ai.

Më tej ai tha se disa prej kategorive më sipër, meritojnë injorim dhe përbuzje dhe të tjerët ballafaqim të plotë me ligjin dhe përballje me pasojat që prodhon veprimi dhe forca e ligjit kundrejt tyre, për çfarë ata në shkelje të ligjit kanë bërë.

“Si funksionar i lartë publik, si përfaqësues politik i interesave publike e qytetare, po e vendos sot veten time në pozicionin natyror të llogaridhënësit, vetëm në respekt të plotë të së drejtës legjitime që kanë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, për t’i kërkuar shpjegime çdo zyrtari publik. Si ministër i Brendshëm i akuzuar si “i lidhur përmes vëllait tim me trafikun ndërkombëtar të drogës”, obligimi im për sqarime dhe shpjegime kundrejt opinionit publik, bashkëpunëtorëve të ndryshëm vendas dhe të huaj, bëhet edhe më detyrues”, – tha Xhafaj.

Si qëndron e vërteta në lidhje me akuzat?

“Serioziteti dhe përgjegjësia institucionale e ligjore që i mvesh vetes sa herë që mbaj një zyrë publike, më detyrojnë që këtë shpjegim ta bëja në mënyrë profesionale bazuar në fakte dhe prova”.

“Siç është e njohur vëllai im ka marrë një dënim penal në Itali. Ngjarja ka ndodhur në vitet 2002. Vëllai im ka qenë rreth 25 vjeç në atë kohë. Autoritet italiane e kanë ndaluar për rreth 1 muaj dhe e kanë liruar duke urdhëruar largimin e tij nga Italia. Në atë kohë, unë kam qenë ministër i Turizmit në qeverinë me Kryeministër z. Pandeli Majko. I pa detyruar nga ndonjë normë kushtetuese, apo ligjore, në respekt të moralit, i kam kërkuar kryeministrit të kohës dorëheqjen”, – tha ai.

Ndjekja penale në Shqipëri

Xhafaj sqaron se “për ligjin shqiptar në fuqi, ndjekja penale dhe dënimi penal që duhet ekzekutuar në rastin e vëllait tim është parashkruar. Rrjedhimisht, në Shqipëri për asnjë shkak dhe për asnjë rrethanë ligjore, Agron Xhafaj nuk do të bënte asnjë ditë burg. Pra, e thënë më shkurt, për ata që nuk e njohin të vërtetën ligjore: Nëse im vëlla do të bënte njohjen e vendimit të tij këtu dhe do të priste ekzekutimin e tij për dënimin në ngarkim të tij, sipas ligjit shqiptar, ai nuk do ta vuante fare atë, pasi periudha prej 4 vjetësh e mbetur për ekzekutim është në afatin 5-vjeçar të parashikuar nga ligji shqiptar. Një precedent ky i zbatuar normalisht në praktikën gjyqësore në Shqipëri”.

Lidhur me falsifikimin e Kodit të Procedurës Penale

Ministri Xhafaj sqaron më tej se është akuza më qesharake që kam dëgjuar për veten time. “Unë akuzohem se si kryetar i Komisionit të Ligjeve, për të shpëtuar vëllain tim nga burgu, kam ndryshuar draftin e nenit 491 të K.Pr.P., të miratuar në komisionin parlamentar (pra në çdo rast ka “falsifikuar” një draft) dhe për votim Kuvendit i është paraqitur, jo drafti i komisionit parlamentar, por drafti “i falsifikuar” nga unë. Dhe deputetët e kanë votuar “pa e parë”. Se kështu i bie sipas logjikës Shvejkjane. Dhe tani, pas disa muajve, disa prej këtyre deputetëve pa pikë turpi, duke pranuar që janë sylesh vetëm e vetëm që të arrijnë qëllimin e tyre të mbrapsht politik, thonë që na e hodhi Fatmir Xhafaj. Po këtë e thonë me delikatesë. ‘E falsifikoi’ – thonë. Komplet qesharak”, – shton Xhafaj.

Detaje të mëtejshme sqaruese nga Xhafaj: “Nuk ka asnjë kontribut timin teknik në këtë çështje, si në njërin variant të draftit, ashtu edhe në variantin tjetër. Por e mbroj fort atë, si një nen që është në përputhje me konventat, me Kushtetutën dhe të dobishëm për qytetarët shqiptarë; Kjo pikë e nenit 491, është një standard ndërkombëtar. Nuk e kemi shpikur dhe as jemi ne të vetmit. Është mot a mot(motamo) përcaktimi i nenit 3, të Protokollit të Dytë Shtesë të Konventës Europiane për Ekstradimin. Për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, Shqipëria e ka ratifikuar këtë konventë që në vitin 1998, pra ky lloj kushti ishte, gjithsesi i zbatueshëm në sajë të përparësisë që marrëveshjet ndërkombëtare kanë mbi legjislacionin vendas, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.

“Pra, edhe amendimi i Kodit, i cili reflekton protokollin e dytë është thjesht një rregullim; nuk është risi, pasi kjo disiplinë është në fuqi që nga viti 1998”, – theksoi ai.

Lidhur me akuzat për përfshirje të vëllait tim në trafikun e drogës në Shqipëri

“Është komplet një mashtrim dhe shpifje e ulët ajo që thuhet në lidhje me përfshirje të vëllait tim në këtë veprimtari. Marr të gjitha përgjegjësitë ligjore dhe morale nëse ka qoftë edhe një grimcë të vërtetë në lidhje me këto akuza. Prej viti 2002 vëllai im Agron Xhafaj ka jetuar në Shqipëri dhe është një ndër qytetarët e shumtë të këtij vendi, që nuk ka asnjë problem me ligjin”, – sqaroi Xhafaj.

Audiopërgjimi

Ministri sqaroi se “Audiopërgjimi i servirur me pompozitet publikut është një sajesë (MASHTRIM) e plotë. Nga fillimi deri fund. Është një manipulim dhe i bërë keq, madje. Nëse opozita nuk e ka bërë vetë këtë, dhe sinqerisht nuk dua ta besoj se është ajo nxitësja dhe realizuesja e këtij akti skandaloz, ajo ka rënë viktimë e të tjerëve. Gjithsesi, kushdo i përfshirë në këtë skandal të madh, do të marrë përgjigjen e merituar. Veprimi është tipik mafioz. Ndaj, do t’i kërkoj sot publikisht Prokurorisë veprime të shpejta dhe energjike për gjetjen të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë aferë kriminale dhe dënimin në mënyrën më të merituar”.

Qëndrimi i opozitës, shprehje e frikës nga drejtësia

Ministri Xhafaj shprehet se “ligësia politike e njerëzore e një pjese të opozitës dhe kryesisht lidershipit të saj, diletantizmi politik i opozitës në tërësi, interesat meskine të kësaj opozite janë bërë bashkë, me interesa të grupeve kriminale dhe subjekteve të caktuara brenda e jashtë sistemit të drejtësisë së kalbur. Opozita, me keqardhje e them, por ka rënë në batakun e intrigantëve dhe shantazhuesve të rëndomtë”.

“E kuptoj, që shumë janë të frikësuar nga çfarë po ndodh me Reformën në Drejtësi dhe me punën dhe rezultatet që po arrin Policia e Shtetit. Por, dua t’i garantoj të gjithë këta, se edhe nëse unë dje do të kisha ikur nga kjo zyrë, çfarë është bërë nga unë, nga kolegë dhe bashkëpunëtorë të mi, nga partnerët ndërkombëtarë, nuk mundet të zhbëhet”, – u shpreh ai.

Më tej Xhafaj theksoi se “… shumë shpejt edhe SPAK e BKH do të jenë në funksionim. Kështu, gjithnjë e më shumë, krimi do të humbasë terren. Unë jam këtu për ta përmbushur sa më mirë këtë mision që kam marrë përsipër. Dje si ideues dhe drejtues i procesit të Reformës në Drejtësi dhe sot si ministër i Brendshëm”.

Do vazhdoj të ushtroj detyrën, nuk trembem nga sulmet

Nëse mendoni të më mposhtni me sulmet tuaja, gaboni. Thjesht nuk kam frikë! Askush nuk mund të më shantazhojë! Askush nuk do të mund të më pengojë në arritjen e qëllimeve të larta, të asaj çfarë kam marrë përsipër të bëj sa bashku me bashkëpunëtorët e mi dhe me mbështetjen e partnerëve: luftë pa kompromis me krimin, gjithmonë në zbatim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe vetëm të qytetarëve. Këtyre të fundit u jam shumë mirënjohës për mesazhet e shumta mbështetëse dhe inkurajuese që kam marrë prej tyre këto ditë”.

Pyetjes se opozita do të protestojë për dorëheqjen nga posti i ministrit, Xhafaj iu përgjigj se do të vazhdojë të bëjë detyrën në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button