Ekonomia

Autoritetet: Gjobiten 70 subjekte, përfshirë edhe shtetin

Ligji antiduhan 

Faqe on line, ku qytetarët mund të denoncojnë me foto bizneset ku pihet cigare

Shqiperia Jo DuhanitNë të gjithë Shqipërinë janë vënë deri më tani 70 gjoba për të gjithë shkelësit e ligjit antiduhan. Ndërkohë vetëm në Tiranë, nga monitorimi i 500 subjekteve, janë gjobitur 13 të tilla, ku përfshihen edhe institucione shtetërore që janë kapur në shkelje të ligjit. Të dhënat bëhen të ditura nga kreu i inspektoratit shtetëror shëndetësor, Eltar Deda, në takimin me titull “Shqipëria Jo Duhanit”, të organizuar dje në bashkëpunim me shoqërinë civile. Kryeinspektori theksoi se ligji i ri antiduhan do të gjejë zbatim, pasi janë shtuar disa elementë, të cilët mungonin në ligjin e mëparshëm. Së pari ai renditi mungesën e një institucioni që do të merrej me zbatimin e ligjit, ndërsa tashmë ky institucion funksionon dhe ka kompetenca të plota për këtë çështje. Më tej, Deda renditi se në ligjin e miratuar në 2007-ën nuk parashikoheshin penalitete për duhanpirësit, gjë e cila ekziston në ligjin e ri dhe kjo gjobë është 5 mijë lekë të reja. Ndër të tjera, kryeinspektori shtoi se dy risi të rëndësishme janë faqja on line e hapur posaçërisht për denoncimet e qytetarëve, në rastet kur konstatojnë që në biznese të caktuara lejohet konsumimi i duhanit, në kundërshtim të plotë me ligjin si edhe përfshirja e programeve sensibilizuese në televizion. “Ligji i vjetër nuk parashikonte programe edukuese kundër duhan pirjes aktive dhe asaj pasive. Ndërkohë ligji i ri detyron Radio televizion shqiptar të transmetojë 90 minuta në muaj reklama në formën e një fushate sensibilizimi kundër duhanit. Përveç kësaj janë ashpërsuar ndëshkimet për shkelësit e ligjit”, tha kryeinspektori. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i pranishëm në takimin e djeshëm, ftoi të gjithë shqiptarët për të zbatuar ligjin dhe ajo që, sipas tij, është më e rëndësishmja, është ulja e numrit të duhanpirësve, duke qenë një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve. “Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, tumoret që vijnë nga duhan pirja janë një shkallë më lart. Ne, për fat të keq në Shqipëri, e kemi të vonshme shkallën e zbulimit. Besoj se dhe kjo, së bashku me përpjekjet e tjera që po bëjmë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor, do të jetë një vlerë e shtuar”, sqaroi ministri i Shëndetësisë. Nisma “Shqipëria jo duhanit”, është një iniciativë e lançuar nga shoqëria civile, që ka si synim kryesor të ulë numrin e duhanpirësve në vendin tonë. Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Zamir Dedej, ndër të tjera tha se kjo ka qenë një plagë e shoqërisë sonë. “Shqipëria është një vend duhanpirës dhe për ta çrrënjosur nuk është e lehtë. Ky është një rrugëtim i gjatë dhe fushatat sensibilizuese janë të nevojshme”, tha Dedej.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button