“Baby gun” dhe të tjerët
FATOS BAXHAKU
Me kalimin e pushimeve të beharit sa vjen e bëhet më i vështirë një klasifikim i “lajmeve të vogla”. Kjo sepse lajmet e mëdha kanë nisur të fitojnë pikë sa më tepër që shkurtohet dita, kështu që për “të voglat” kujtohen gjithnjë e më pak. Jo vetëm kaq, por java që kaloi ka pasur superlajme: atentate me telekomandë, arrestime të reja për vjedhjen e BSH, policët kanë përveshur mëngët në Dukagjinin që duket sikur është në një planet tjetër, të tjerë policëve u është dashur që të merren me ndërtimet pa leje, të cilat tani, sikurse e tha edhe Kryeministri Rama, duhen konsideruar njësoj si vrasjet e mbase edhe ca më keq. Ndodhitë e vogla kurioze u hallakatën dhe humbën në hullitë e ndërlikuara të mediave sidomos pas Konferencës së Berlinit mbi Ballkanin. Ah, ky po që qe lajm! Madje ky nuk qe thjesht lajm, kjo qe atmosferë, gjendje, ëndërrim, fantazi, diskutime të ndezura. Konferenca e shtypit ku Rama u shfaq në krah të Merkelit dhe Barrosos për shumë prej nesh ishte fundi i halleve të tejzgjatura. Një vello optimizimi përfshiu vendin anekënd duke përfshirë edhe kundërshtarët më të vendosur të vetë Ramës. Një ndjesi mikluese nga ato që ndillnin Odisenë kur kalonte në krah të ishullit të sirenave na bëri që të jetojmë disa ditë me optimizmin që na kishte munguar prej dekadash.
Të gjitha këto lajme të mëdha i rreshtuam jo se nuk dihen, përkundrazi. Por thjesht për të treguar se sa e vështirë ka qenë këtë javë që të jetojmë në botën e vogël të lajmeve të vogla. E megjithatë, me durim, çoç edhe mund të bëhet. Më poshtë vijon një lloj klasifikimi, i brishtë dhe i cenueshëm si çdo gjë që bëhet nga një individ i vetëm.
Vendi III
Aksident vdekjeprurës me biçikletë
Jeta është e çuditshme ajo të gëzon atje ku s’e pret, njësoj sikurse të godet ashpër kur nuk e ke aspak mendjen. Lajmet tona kanë qenë këto muajt e beharit të stërmbushura me aksidente automobilistike aq shumë, saqë për disa nga kolegët që raportonin, por edhe për publikun e gjerë nuk përbënin fare lajm, as të madh e as të vogël. Aksidentet tragjike automobilistike nisën t’i ngjajnë aq shumë njëri-tjetrit saqë nganjëherë të duhej të pyesje veten: More, po unë këtë lajm sikur e dëgjova një herë një javë më parë!? Çdo gjë ishte njësoj, rruga e nxirosur nga njollat e vajit, makinat e shtrembëruara në të njëjtën mënyrë, portretet e vrerosura të policëve në vapë, kuriozët që nuk mungojnë asnjëherë, madje dhe kallamishtet në anë të rrugës. Më e rëndësishmja nga të gjitha, identiteti i viktimave kalonte pa u vënë re. Për të interesoheshin vetëm njerëzit e afërm të familjes. Me një fjalë një monotoni verore pa anë e pa fund.
Mirëpo këtë monotoni e prishi këtë javë një “lajm i vogël”. Ky lajm që vinte nga një fshat i Librazhdit provoi se jeta është e larmishme edhe kur vendos të vrasë. Kishte ndodhur kështu në një vend të ngushtë, me sa duket në një vend të pjerrët, ishin përplasur dy biçiklistë, një nga të cilët kishte përplasur kokën në mënyrë fatale në truall. Lajmi është i trishtë vërtet, madje deri diku edhe absurd. Të vdesësh mbi biçikletë në një vend ku vdesin me mijëra nga makinat?! Ky është kulmi i tersit, andaj lajmi mbi aksidentin vdekjeprurës me biçikleta besojmë se e meriton plotësisht vendin e tretë në klasifikimin e javës.
Vendi II
Një trim në Tepelenë
Sikur televizonet mos të kishin shfaqur pamjet makabre të një nuseje të re të shfytyruar nga druri, ky lajm, me siguri, do të kishte shkuar në hullinë me titullin e madh “një tjetër rast i dhunës në familje”. Mirëpo pamjet që dolën përpara na treguan se një person në Tepelenë ka shkuar edhe më larg të ashtuquajturës dhunë në familje, ky njeri, me siguri ndonjë trim nga ata të qëmotit, e ka bërë përshesh nusen e nipit të tij të ndjerë. Në qendër të sherrit duket se është kujdestaria e fëmijëve të vejushës 26-vjeçare. U raportua se 26-vjeçarja kishte marrë prej kohësh një urdhër mbrojtjeje, por askush nuk e mbrojti, as Policia dhe as kalimtarët e rastit. Trimi bëri atë që kish ndërmend, derisa nëna e re u shtrua me urgjencë e traumatizuar rëndë në spital.
Lajmi i Tepelenës na vërteton se sa fuqi të madhe gjeneron ende në shpirtin e shumë vetëve inati i dhunshëm, urrejtja vrastare. Imagjinoni sikur e gjithë kjo energji të shndërrohej në punë, në dashuri, në vullnet, në dëshirë për të ndërtuar diçka…
Normalisht “dhuna në familje” nuk përbën ndonjë gjë të jashtëzakonshme, kështu që edhe te lajmet e vogla mezi hyn, por për nga egërsia, absurdi, mungesa e çdo kuti dhe sidomos për nga vetmia e pafund e viktimës, këtë javë mbase dhuna e një trimi ndaj 26-vjeçares në Tepelenë e meriton të paktën një vend të dytë.
Vendi I
Baby gun
Kjo është një histori në fillim e frikshme, por me fund të lumtur. Për të mos u zgjatur shumë, në Peshkopi një 13-vjeçar është plagosur rrezikshëm teksa luante me pistoletën e të atit. Nuk po u hyjmë diskutimeve të kota se ç’punë kishte i ati me pistoletën, nëse e kishte me leje apo jo, përse e kishte lënë kaq lirshëm nëpër shtëpi e të tjera detaje të panevojshme si këto. Ajo që duhet të na shqetësojë është lloji i lodrave më të cilat luajnë ende shumë fëmijë anekënd Shqipërisë.
Andej nga mesi i viteve ’90 ka qenë shumë e përhapur në Tiranë një barsoletë e tillë. Dy shokë fëmijërie, njëri i pasur e tjetri i varfër, vendosin që të çojnë bashkë një të diel dy djemtë e tyre në pishina. Meqë i varfri nuk kishte rroba banje, atëherë hidhet nudo në pishinë. Të njëjtën gjë bën edhe djali i pasur, meqë e pa se rrobat e banjës jo gjithnjë janë të domosdoshme. Kur dalin dy fëmijët nga uji, dy prindërit vunë re një diferencë të madhe mes dy fëmijëve. I varfri ishte ku e ku më i zhvilluar nga gjenitalet sesa i pasuri. “Eh more shok – tundi kokën babai i varfër – po ky i imi me veten është marrë. Është rritur pa lodra ditëziu!”. Nëse e vazhdojmë edhe më tej këtë histori, atëherë i duhet rekomanduar babait nga Peshkopia, por edhe mijëra të tjerëve që i kujtojnë armët vrasëse lodra për fëmijë, që t’ua zëvendësojnë sa më parë lodrat e tyre fëmijëve, përndryshe nga pistoleta do kalojmë te kallashi, pastaj te mitralozi, më pas akoma te kundërajrori e kështu me radhë, sepse, me sa duket, sa më shumë që rritet fëmija, aq më shumë rritet edhe lodra përkatëse. Dhe kur kjo bëhet vrastare, atëherë është problem i madh dhe jo thjesht një lajm i vogël.