Balfin ble 49% të aksioneve të distributorit ITD (pjesë e grupit Infosoft) për 270 mijë euro
Grupi më i madh në vend, Balfin, pas interesave në tregti me pakicë, pasuri të paluajtshme, supermarket, bujqësi, veshje, etj., ka hyrë edhe në segmentin e distribucionit të pajisjeve të informatikës (IT).
Muajt e fundit, Balfin ka blerë 49% të kuotave të kompanisë ITD, që ishin të zotëruara nga “Investment Joti – Infosoft Group”.
Transaksioni është regjistruar në dhjetor të vitit të kaluar. Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, më 28 dhjetor, në kompaninë ITD sh.p.k. është shtuar ortaku “BALFIN”, me përqindje në kapital 49% dhe kontributi në para 36.750.000 lekë dhe kanë ndryshuar të dhënat për “Investment Joti – Infosoft Group” ku vlera e Kontributit nga 66.000.000 lekë u bë 29.250.000 lekë dhe përqindja e kapitalit nga 88% u ul në 39%.
“Çmimi i kuotës në shitje, që do të paguhet nga blerësi, përfaqëson vlerën nominale të kuotës në shitje dhe është 36,750,000 lekë”, thuhet në kontratë, apo rreth 270 mijë euro.
Kuotat e mbetura prej 12% zotërohen nga Rudenc Sina dhe Enkeleida Salillari me nga 6% secili.
IDT sh.p.k. është krijuar në vitin 1996 dhe ka si objekt të aktivitetit tregtim pajisjesh kompjuterike, software dhe hardware dhe pajisje zyrash, si dhe shërbime të tjera. Ai është pjesë e grupit Joti- Infosoft. Për vitin 2016, të ardhurat e kompanisë ishin 2.57 miliardë lekë, apo rreth 19 milionë euro, me një rënie prej 1.3% me bazë vjetore. Fitimi i ITD para tatimit ishte 109 milionë lekë, nga 112 milionë lekë vitin e mëparshëm. Sipas faqes së internetit të grupit Infosoft, ITD ka 20 vite përvojë në distribucionin e produkteve IT. ITD tashmë është distributor i autorizuar i Microsoft, Hewlett- Packard, Cisco, IBM, Lenovo, Epson, Samsung dhe shumë kompanive të mëdha globale.
Balfin Group është grupi më i madh në Shqipëri, me aktivitet në fushën e tregtisë me pakicë, zinxhirit të supermarketeve Spar, pasurive të paluajtshme e turizmit, kromit, veshjeve etj. Për vitin 2015, të ardhurat e grupit në Shqipëri e jashtë ishin rreth 350 milionë euro, ndërsa numëron rreth 3 mijë të punësuar. Tri kompanitë më të mëdha të grupit janë Albchrome, me xhiro rreth 53 milionë euro në vitin 2015, NEPTUN, me të ardhura 42 milionë euro dhe Mane TCI, me xhiro rreth 12 milionë euro.
Aksionerët e “Investment Joti – Infosoft Group” janë Grigor Joti dhe Marjeta Joti me përkatësisht 80 dhe 20% dhe i grupit “Balfin” është Samir Mane me 100% të aksioneve. Mane bleu së fundmi dhe 45% të aksioneve të INSIG JETE.




