Banka Botërore: Ekonomitë e vendeve në zhvillim, rritja ekonomike 4.4%
Vitet e fundit, parashikimi ekonomik për shumë vende në zhvillim ishte pozitiv. Por Banka Botërore ka ulur parashikimet e saj për vitin 2015, duke thënë se këto vende tani përballen me një sërë sfidash të vështira. Banka Botërore parashikon që vendet në zhvillim do të rriten 4.4 për qind këtë vit dhe jo 4.8 siç u parashikua më parë. Ayhan Kose, drejtor i Grupit për Perspektivat e Zhvillimit në Bankë, jep një arsye themelore për uljen e parashikimit.
“Vendet në Zhvillim si grup kanë qënë në ulje që nga viti 2010. Por ajo që ndodhi në vitin 2014 dhe që vazhdoi për një pjesë të këtij viti, ishte një rënie e madhe në çmimet e naftës që filloi të dëmtojë veçanërisht ekonomitë e vendeve eksportuese të naftës”.
Raporti i Bankës Botërore mbi Prespektivën Ekonomike Globale ve në dukje problemet në të ashtuquajturat ekonomi me rritje të shpejtë. “Brazili pritet të kalojë në recesion. Rusia po kalon në një recesion të dhimbshëm. Të dyja këto vende janë ekonomi që konsiderohen me rritje të shpejtë. Në Kinë, ndonëse në mënyrë të kontrolluar, rritja ekonomike është ulur. Afrika e Jugut ka probleme serioze strukturore. Të gjitha këto të marra së bashku na çuan në një rishikim të parashikimit”, thotë zoti Kose.
Ai shton se lajmet e këqija për vendet në zhvillim që eksportojnë naftë janë lajme të mira për importuesit e naftës.
“Është një fat i papritur për ekonominë globale. Dhe ne ende mendojmë se përfitimet e rënies së çmimit të naftës do të materializohet gjatë 12 apo 18 muajve të ardhshëm. Për ekonomitë eksportuese të naftës është një zhvillim i dhimbshëm. Por për ekonomitë importuese nuk ka dyshim se ky është një zhvillim pozitiv”.
Rënia e çmimeve të naftës është duke shkaktuar një ndryshim ekonomik global. “Në fund të fundit, me rënien e çmimit të naftës ajo që shohim është një transferim të ardhurave nga ekonomitë eksportuese të naftës tek ekonomitë importuese, tek konsumatorët dhe përdorruesit,” thotë zyrtari i lartë i Bankës Botërore. Ai shton se, megjithatë, konsumatorët janë ende në mëdyshje për të përdorur kursimet e tyre nga çmimet e ulëta të naftës për të blerë mallra konsumi. Shpenzimet nxisin ekonomitë, por ka ende një mungesë e besimit të konsumatorëve. Ç’po ndodh me vendet eksportuese të naftës si Nigeria dhe Angola që i kanë shpresat e tyre të lidhura me rezervat e naftës?
“Për këtë vit, ne ulëm parashikimin e rritjes për Nigerinë dhe Angolën. Në të dyja këto vende ka nevojë për përshtatje të politikave. Nigeria uli shpenzimet fiskale. Angola gjithashtu. Ata po marrin masa për t’u përshtatur me mjedisin e ri. Në të njëjtën kohë, në aspektin afat-mesëm presim që ata të fillojnë diversifikimin – të mendojnë për më shumë investime në infrastrukturë dhe në kapitalin njerëzor”, thotë zoti Kose. Parashikimet e Bankës për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore janë vetëm 2.2 për qind këtë vit. Zyrtartë po monitorojnë kriza të ndryshme që mund të cojnë në rritje të cmimit të naftës. Një faktor tjetër që pritet të ketë ndikim negative në shumë vende në zhvillim është pritshmëria e rritjes së normave të interesit në Shtetet e Bashkuara. “Normat e interesit në Shtetet e Bashkuara shërbejnë si referencë. Kur norma afatshkurtër e interesit në Shtetet e Bashkuara rritet, kjo ka një ndikim në koston e huamarrjes së vendeve të tjera. Kështu që mund të ketë një efet të gjerë tek konsumatorët në vende të ndryshme”, thotë zoti Kose.
Një rajon që duket ndryshe në parashikimin e Bankës Botërore është Azia Jugore. Ajo ka një parashikim rritje prej 7.1 për qind këtë vit. “Azia Jugore po bëhet rajoni me rritjen më të shpejtë. Faktori kryesor aty është India me një kornizë të fortë të politikave monetare dhe gadishmërinë për reforma. Të gjitha këto dërgojnë një sinjal të fortë për prespektivën afatmesme të rritjes”, thotë zyrtari i Bankës Botërore.. Raporti i Bankës Botërore për prespektivën ekonomike globale është më optimist për vitin 2016 dhe 2017. Parashikimi i rritjes për vendet në zhvillim për këto dy vite është respektivisht 5.2 dhe 5.4 për qind.