Ekonomia

Bankierët: Kompanitë “zombi” të dalin nga tregu; të lirohet territori për bizneset normale

Teksa Banka e Shqipërisë po zbaton një plan për reduktimin e kredive me probleme, që përfshin ndër të tjera dhe ristrukturimin apo falimentin e sipërmarrjeve më të mëdha që zotërojnë rreth 60% të kredisë së keqe, bankierët janë të prerë: të shpëtohen vetëm ato kompani që ia vlejnë dhe do të arrinin të mbijetonin në treg dhe të lirohet territori për sipërmarrjet normale.

“Ne lexojmë në gazeta për rreth 35 kompani, që janë debitorët kryesorë që kanë peshën më të madhe të kredive me probleme. Në rast se ekziston mundësia për të rikuperuar disa prej tyre – me rikuperim nënkuptoj ato kompani që janë në gjendje të mbijetojnë, – kjo do të ishte shumë pozitive. Në rast se jo, atëherë këto kompani thjesht duhet të zhduken; ky është rregulli i tregut. Në rast se u jepni jetë artificiale, nuk ka asnjë mënyrë për ta zgjidhur problemin, dhe ky është realiteti i ashpër me të cilin ne duhet të përballemi”, pohon z. Z.Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank, Albania.

I të njëjtit mendim është dhe Gazmend Kadriu, drejtor i Union Bank. “Në afatin e mesëm, primare për rritjen e kreditimit do të jetë intensifikimi i aktivitetit ekonomik, sidomos investues, në vendin tonë. Që duhej të ndodhte pas një ristrukturimi të brendshëm ekonomik: eliminimin nëpërmjet falimentit të “zombi” kompanive që kot ndotin ambientin konkurrues, duke mos shlyer as bankat, as furnitorët, as taksat, dhe lirimin e territorit për kompanitë normale”.

Pasi arriti në 24% gjatë vitit të kaluar, niveli më i lartë që pas fillimit të viteve 2000, kur sistemi u pastrua nga huatë e këqija të bankave shtetërore, kreditë me probleme zbritën në rreth 18% në fund të 2015-s, kryesisht si rrjedhojë e fshirjeve nga bilanci të huave të humbura.

Por, rritja e tyre filloi sërish, duke arritur në 18.4% në shkurt, teksa një valë e kredive të mira, filloi të bëhej problematike. “Shqetësimi për NPL-të e larta që ishin ndër më të lartat në rajon dhe u reduktuan në mënyrë të konsiderueshme në vitin 2015 nëpërmjet nismave të Bankës së Shqipërisë do të vijojë të mbizotërojë në të ardhmen e afërt”, thotë z. Seyhan Pencapligil, drejtor i përgjithshëm i Bankës Kombëtare Tregtare.

Bankierët pohojnë se parësore për përmirësimin e portofolit të kredisë është reforma në drejtësi. “Sfida kryesore mbetet sërish ekzekutimi i kolateraleve dhe për këtë presim nga reforma e drejtësisë”, thotë z. Christian Canacaris, drejtor i Raiffeisen Bank.

“Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që një nga elementët kyç për të reduktuar në mënyrë domethënëse NPL-të lidhet me përmirësimin domethënës të eficiencës së ekzekutimit të kolateralit”, pohon z. Frédéric BLANC, drejtor ekzekutiv i Societe Generale.

Banka e Shqipërisë bëri publike vitin e kaluar se janë 35 kompani apo grupe të mëdha, që kanë rreth 60% të huave të pakthyera në afat. Një prej tyre është ristrukturuar tashmë, disa të tjera janë në proces ristrukturimi.

Rafineria e naftës, ARMO, është kompania e vetme më e madhe që ka borxhin e keq më të lartë në vend.

Këtë vit, në listën e më të mëdhenjve u shtua dhe Kurum, që shpalli falimentin në shkurt. Prodhuesi i çelikut dhe energjisë ka kredi rreth 130 milionë euro, nga e cila rreth 50 milionë euro janë në bankat shqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button