Basha nga Korça: PD është garancia për ta bërë realitet aspiratën e shqiptarëve për ndryshim
Kryetari në detyrë dhe kandidati për kryetar i PD, Lulzim Basha zhvilloi takime me demokratë të qarkut Korçë.
“Përgjegjësia që kemi marrë mbi supe kur kërkuam dhe primë betejën për ndryshim, është një mision të cilin nuk mund ta realizojë askush përveç nesh, përveç jush. E vërteta është që e vetmja forcë politike që mund ta vazhdojë këtë betejë deri aty ku e duan shqiptarët, deri aty ku e deshën më 25 prill dhe sot e duan edhe më shumë, edhe ata që kanë parë me sytë e tyre se çfarë po i kushton familjeve të tyre, komunitetit dhe mbarë Shqipërisë. Pengimi i dhunshëm i ndryshimit më 25 prill”, tha Basha.
“Parakushti për kthimin e demokracisë me të cilën këto zgjedhje s’kishin asnjë lidhje, mbetet pra, vazhdimi i kësaj qëndrese, vazhdimi i këtij bashkimi krah më krah me njëri-tjetrin. Ky është për mua dhe objektivi numër një i kësaj gare të brendshme e cila diktohet nga rregullat statusore. Kjo është kërkesa ime e parë që nga kjo garë të dalim po kaq të bashkuar, në fakt edhe më të bashkuar sesa hymë, sepse përgjegjësia historike me të cila na kanë ngarkuar shqiptarët, fatet e vendit, fatet e këtij qyteti, të këtij qarku shkojnë përtej interesave dhe fateve të çdo individi”, theksoi ai.
Në takimin në Pogradec, Basha theksoi se, “jo vetëm do jem përjetësisht mirënjohës, por do të luftoj deri në frymën time të fundit në çfarëdo pozite që çdo pikë djerse dhe sakrificë e çdo demokrati të Pogradecit dhe të gjithë Shqipërisë mos të shkojë dëm. Megjithatë nxitimi dhe paqartësia që mund të sundojë në zemrën e dikujt, nuk mund të kthehet në arsye për të hedhur poshtë atë që kemi ndërtuar me sakrificë, me djersë, me vuajtje dhe me gjak, së bashku këto vite. Unë e dua Partinë Demokratike kështu siç e doni ju, të fortë, të pandarë e të bashkuar. Ndaj, dhe synimi kryesor i çdo demokrati është që nga kjo garë të dalim po kaq të bashkuar, madje edhe më të bashkuar sesa futemi në këtë garë. Vetëm kështu mund të vazhdojmë betejën tonë të luftojmë dhe të mundim armikun e Shqipërisë dhe shqiptarëve, regjimin dhe njeriun që kryeson këtë regjim Edi Ramën”.
Gjatë takimit në Maliq, Basha u shpreh se, “një moment i cili është një moment reflektimi, i pari por jo i vetmi, moment vendimmarrje më 13 qershor, për mua më i rëndësishmi një moment ringritje, bashkimi dhe vazhdimi të betejës. Sepse pavarësisht gjithçka që ka ndodhur, dy gjëra janë të qarta si drita e diellit, regjimi bëri gjithçka për ta ndalur ndryshimin dhe në fund diferenca midis dy kampeve tona, është sa gjysma e votave të pavleftësuara nga një nga marifetet që përdori, heqja e emrave nga fletët e votimit. Dhe e dyta, ne dolëm më të fortë, më të bashkuar nga kjo betejë. Ndaj, ftesa ime të dashur miq që e njihni fare mirë historinë 30-vjeçare të kësaj familjeje politike, që jeni dëshmitarë jo vetëm sa herë jemi rrëzuar në betejë, por dhe sa herë jemi ngritur duke gjetur brenda vetes fuqinë e shpirtit dhe duke e projektuar atë tek çdo qytetar, është e thjeshtë dhe e qartë: unë kërkoj që së bashku ta vazhdojmë këtë betejë deri në arritjen e stacionit final që është rrëzimi i këtij regjimi, sepse për mua ka vetëm një kundërshtar, një dhe vetëm një objektiv që duhet rrëzuar një orë e më parë dhe ky është Edi Rama, i cili qartësisht nuk do që ne ta vazhdojmë këtë betejë”.
Gjatë takimit në Devoll, Basha u shpreh se, “nuk mund të kemi dy vizione të ndryshme. Ose 25 prilli ishte fitorja e Edi Ramës, ose 25 prilli ishte një masakër zgjedhore. Të dyja bashkë nuk qëndrojnë. Në qoftë se ishte një masakër zgjedhore e cila përkohësisht ndali ndryshimin të cilit i primë me betejën tonë, atëherë detyra jonë është të vazhdojmë betejën. Dhe detyra juaj e parë është të vendosni me votë drejtimin e vazhdimit të kësaj beteje. Kërkesa ime është të vazhdojmë këtë betejë së bashku për ta çuar deri në fund. Dua që nga kjo betejë të dalim të bashkuar, më të bashkuar seç hymë në këtë betejë”.