Kronika

Bashkohen dosjet e Shullazit. Në kërkim të provave për në Gjykatën e Lartë

Në kohën kur mbrojtja e Emiljano Shullazit pritet t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me kërkesën për lirimin e 38-vjeçarit, Prokuroria e Krimeve të Rënda po bashkon të gjitha dosjet ku është përmendur emri i të dyshuarit vitet e fundit.

Një burim pohoi se, ky veprim po kryhet për të verifikuar nëse ka pasur apo jo kallëzime për gjobëvënie nga persona të ndryshëm prej Shullazit, i kthyer në një mit për të cilin askush nuk flet para autoriteteve të drejtësisë.

Grupi i hetimit shtoi se, kallëzimit të një gruaje në Tiranë për përvetësimin e biznesit të saj pranë ish-kafe “Florës” i është bashkëngjitur edhe një dosje tjetër nën hetim prej pak muajsh te Krimet e Rënda.

Në këtë kallëzim të marrë në fillim të vitit, një biznesmen nga Lushnja ka njoftuar se Shullazi e kishte kërkuar në takim gjatë muajit shkurt, ndërsa ai nuk ka pranuar. Nga dëshmia e një punonjësi të tij është kuptuar se, personi i prezantuar si Emiljano kishte qëndruar pranë biznesit të kallëzuesit në afërsi të Lushnjes.

Në pritje për të ripyetur biznesmenin, që ndodhet jashtë vendit, prokurorët kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në vendin ku kishte pritur personi i prezantuar si Shullazi. Por, sipas burimeve, kamera e asaj dite nuk ka asnjë filmim, që do të mund t’i ndihmonte hetuesit për identifikimin e të dyshuarit, ndërkohë që pas kallëzimit të gruas për gjobëvënie, ende nuk është marrë një përgjigje nga hipoteka, nëse ekziston apo jo ndonjë pasuri e tillë në emër të Shullazit dhe Gilmando Danit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button