Bota

Bastisjet e reja në Rripin e Gazës: sulmohet një shkollë e OKB-së, 10 të vdekur

Tërheqja e trupave izraelite në Gaza pothuajse po shkon drejt përfundimit

gaza ilustrimProcesi i tërheqjes së trupave izraelite nga Gaza pothuajse po shkon drejt fundit. Ndërkohë, sulmet vazhdojnë: në orën e fundit, 45 palestinezë u vranë, dhjetë prej tyre në një shkollë të OKB-së e cila u sulmua nga një bombë. Një zyrtar i OKB-së tha se viktimat u shkaktuan me sa duket nga një sulm ajror izraelit kundër një objekti aty pranë. Dëshmitarët thanë se shpërthimi në Rafah ndodhi kur njerëzit ishin duke pritur në radhë për ushqim. Trupat e disa viktimave, mes tyre edhe fëmijë, u panë të shpërndara në rrugë, të mbytura në gjak. Ushtria izraelite nuk ka bërë komente. Është hera e tretë në 10 ditë që goditet një shkollë e OKB-së. Sulmet janë bërë objekt dënimi ndërkombëtar. Incidenti i sotëm u kritikua nga shefi i OKB-së, Ban Ki-mun, i cili e quajti atë “një skandal moral dhe vepër penale”. Ushtria izraelite tha se më shumë se 50 raketa u lëshuan nga Gaza në Izrael të dielën. Izraeli thotë se po u kundërpërgjigjet sulmeve me raketa të Hamasit që lëshohen nga afër objekteve të OKB-së. Një zëdhënës i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, tha se në shkollë janë strehuar rreth 3000 refugjatë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, për shkak të luftimeve në Gazë. Sulmi ajror në shkollë erdhi ndërkohë që Izraeli ka tërhequr disa trupa nga Gaza dhe ka dislokuar të tjera brenda kësaj enklave palestineze buzë Mesdheut. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se forcat e saj janë “shumë pranë” përfundimit të misionit për të shkatërruar tunelet e Hamasit, që ai i përdor për të fshehur armët dhe për të hyrë fshehurazi në Izrael. Tel Avivi kishte lajmëruar dhe më parë se duhej të ndodhte sa më shpejt shkatërrimi i tuneleve palestineze dhe duket se misioni i tyre ka mbaruar. Më shumë se 30 tunele dhe dhjetëra boshte aksesi janë zbuluar dhe janë hedhur në erë. Ndërsa ushtari hebre i rrëmbyer nga Hamasi, që pritej të lirohej, duket se ka gjetur vdekjen. Zyrtarë palestinezë konfirmuan se Hadari Goldin humbi jetën gjatë luftimeve dhe nuk është mbajtur në robërim nga ata. Autoritetet e Gazës deklaruan se 1740 palestinezë janë vrarë dhe 9080 janë plagosur nga fillimi i konfliktit më shumë se tri javë më parë.

BE kërkon ndaljen e gjakderdhjes në Gaza

Bashkimi Europian ka kërkuar ndaljen e “gjakderdhjes” në Gaza dhe ka bërë thirrje për negociata në mes të Izraelit dhe palestinezëve për të arritur zgjidhje politike si mënyra e vetme për të “arritur paqen”. Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, dhe Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, kanë thënë sot se BE-ja është e gatshme të përkrahë negociatat dhe rindërtimin. Ata thanë që “gjakderdhja duhet të ndalet”, sepse ciklet e mëparshme të dhunës në mes të Hamasit dhe Izraelit kanë treguar limitet e asaj që një operacion ushtarak mund të arrijë, duke e lënë mundësinë e krijimit të dy shteteve si zgjidhjen e vetme. Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thonë se mbi 1750 palestinezë, kryesisht civilë, janë vrarë gjatë luftimeve trejavore. Rreth 70 izraelitë, kryesisht ushtarë, janë vrarë në të njëjtën konflikt.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button