BE, monitorim nga afër zbatimit të reformave dhe strategjive
Bashkimi Evropian angazhohet të asistojë qeverinë shqiptare për të mirë menaxhuar financat publike, ndërsa do të vazhdojë të monitorojë nga afër zbatimin e reformave dhe strategjive.
Në ministrinë e Financave u prezantua të hënën progresi i strategjisë së menaxhimit të financave publike, ku të pranishëm ishin ministri i Financave Arben Ahmetaj, ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin dhe përfaqësues të tjerë të partnerëve ndërkombëtare.
Ministri i Financave, Ahmetaj vuri theksin në punën e bërë për përmirësimin e sistemit të IT-së në dy administratat fiskale atë doganore e tatimore. Ai veçoi platformën e riskut në DPT, që sipas tij, është kthyer në referencë e instrumenteve efektiv në duart e kësaj administrate për të alokuar burime aty ku risku është shumë i madh dhe të ardhurat shumë të mëdha.
Ministri evidentoi se progres serioz është bërë edhe për sa i përket përmirësimit të strukturës së borxhit, duke e cilësuar si një borxh me riskun më të ulët në periudhë afatgjatë, apo një nga stoqet e borxheve me më pak risk edhe pse niveli, vijoi ai, është ende i lartë. Por, që sipas ministrit Ahmetaj, është me një përbërje akoma më të shëndetshme, po krahasuar me rajonin dhe shumë më e shëndetshme se ajo strukturë që gjetëm në vitin 2013.
Ministri po ashtu informoi edhe për ndryshimet që po bëhen në ligjin organik të buxhetit, duke vendosur tha ai, instrumente të rinj të kontrollit që të na garantojnë që të kemi një llogari shpenzimesh, sidomos kapitale më të zgjuara në mënyrë që paratë e taksapaguesve të shkojnë në drejtimin e duhur de të prodhojnë impulse të reja zhvillimi.
Nga ana tjetër edhe ambasadorja e BE-së, në Tiranë, Romana Vlahutin vuri theksin tek mirë menaxhimi i parave të taksapaguesve. Sipas saj, qytetarët duhet të dinë se ku shkojnë paratë e tyre. Ajo foli gjithashtu për sfidat dhe parashtroi rekomandimet për tu përballur me to gjatë zbatimit të strategjisë për menaxhimin e financave publike.
“Ka vështirësi për sa i përket zbatimit, ka natyrisht edhe disa kufizime të rënda për sa i përket kapaciteteve, por ka edhe disa pjesë që kanë të bëjnë me monitorimin e programit”, tha ajo. Më tej, Vlahutin dha disa rekomandime për zgjidhjen e situatës dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike.
“Të fuqizohet struktura dhe pjesa e politikave dhe e monitorimit në mënyrë që të bëhet e mundur monitorimi dhe koordinimi i zbatimit të reformës, duke përfshirë këtu bashkëpunimin me institucione të tjera, por dhe me palët e tjera të jashtme. Rekomandimi i dytë ka të bëjë me përqendrimin në praktikat që bëjnë procesin më solid e që të tregojnë rezultate edhe në reforma të tjera të ngjashme me këtë. E kam fjalën për reformën në administratën publike, luftën kundër korrupsionit, qeverisjen vendore por edhe reformën në drejtësi”, deklaroi Vlahutin.
Më tej kryediplomatia evropiane në vendin tonë tha se e rëndësishme është edhe llogaridhënia nga ana e disa institucioneve. KLSH, tha ajo, duhet të përmirësojë cilësinë e raporteve të auditeve duke e sjellë në një gjuhë të kuptueshme për qytetarin, ndërsa Parlamenti tha ajo, duhet të mbikëqyrë nga afër raportet e auditit në mënyrë kompetente.
“Do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër zbatimin e reformave dhe strategjive. Ne mbetemi gjithnjë të hapur për tu mbështetur ju në këto. Ky bashkëpunim do të jetë i rëndësishëm edhe për sa i përket 5 sektorëve që janë përcaktuar që do të marrin mbështetjen buxhetore në një shumë prej 125 milionë euro për katër vitet e ardhshme”, deklaroi Vlahutin.