Politika

Berisha hedh hije dyshimi mbi operacionin në Lazarat: Pse policia veproi me vonesë?

Ish-kryeministri Sali Berisha u është rikthyer edhe njëherë tjetër ngjarjeve më të fundit në Lazarat. Përmes një postimi të gjatë në faqen e tij në “Facebook”, Berisha hedh hije dyshimi mbi aksionet e policisë, me zanafillë një vit më parë.

“Lazarati ishte kronikë e një ngjarje të paralajmëruar. Dyshohet se policia, si herën e parë, iu hapi shteg të lirë banditëve, të cilët këtë radhë vranë oficerin Ibrahim Basha dhe terrorizojnë Lazaratin”, shkruan Berisha.

Ish-kryeministri thotë se 21 personat e grupit të zjarrit, që ndodhen në listën e të kërkuarve të policisë, pasi janë ndaluar janë lënë sërish të lirë.

“Sot, pothuaj shume prej tyre, janë lënë të lirë, disa gjendeshin në qytete të tjera, ne burg ose shkuan dhe u dorëzuan vetë ose nga familjarët e tyre”, thotë Berisha.

Ish-kryeministri u rikthehet ngjarjeve të një viti më parë, kur hedh dyshime për operacionin antidrogë.

“Pasi Policia shpalli listën e personave në kërkim të grupit të zjarrit, Saimir Tahiri thirri në prani të 5 personave tjerë, ndër ta dhe prokurorë që ndiqnin çështjen, kryetarin e Komunës Dasho Aliko dhe i kërkoi t’iu përcillte banditëve mesazhin e tij, që të largoheshin nga shtegu i lënë i lirë për këtë qëllim nga Policia. Kryetari i komunës, Dasho Aliko refuzoi të kryente këtë detyrë kriminale dhe i tha Tahirit që nëse donte, t’i njoftonin ata pasi ai nuk do i njoftonte kurrë”, shkruan Berisha.

Berisha akuzon ministrin Tahiri se po përpiqet të realizojë të njëjtin skenar edhe këtë vit, por me një ndryshim. Sipas tij, reagimi i policisë në ditën e parë të operacionit dhe vendosja e rrethimit të fshatit me shumë vonesë të bën të dyshosh.

“Kësaj radhe Tahiri nuk thirri Dasho Alikon për t’i kërkuar të njëjtën gjë si një vit më parë. A ia ngarkoi ai këtë detyrë ndonjë tjetri apo vrasësit ikën sepse ditën e parë pas vrasjes së oficerit opercioni i policisë ishte pothuaj inekzistent? Kjo duhet hetuar. Mosveprimi i Policisë pas vrasjes dhe vendosja e rrethimit të fshatit me shumë vonesë, ka ngjallur dyshime të forta tek banorët”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri shkruan se, “banorët e Lazaratit janë të terrorizuar nga banditët, që ata besojnë se jetojnë në pyllin e Sopotit si kaçakë, apo që fusin armë në fshatin e tyre. Ata nuk flasin dot për ta sepse i tremben hakmarrjes së tyre të egër, pasi ata nuk janë pa lidhje me pushtetin dhe policia nuk i arreston”.

Berisha i kërkon Prokurorisë që të hetojë me përgjegjësi gjithçka lidhet me këtë ngjarje dhe të nxjerrë para drejtësisë autorët dhe të gjithë personat e përfshirë në vrasjen e efektivit, Ibrahim Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button