Berisha: Paralajmërimi i SHBA nuk është pa bazë, NATO të forcojë mbrojtjen ajrore
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ndaj paralajmërimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara për rreziqe të mundshme të sulmeve nga grupe të lidhura me Iranin, duke theksuar se një njoftim i tillë nuk mund të jetë pa bazë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se situata duhet marrë seriozisht dhe bëri thirrje për rritjen e sigurisë, veçanërisht në aspektin e mbrojtjes ajrore.
“Thirrja që lëshon ambasada amerikane nuk është pa substrat. Nuk mund të jetë pa bazë. Shqipëria është në një armiqësi të hapur me Iranin dhe kjo nuk fshihet”, deklaroi ai.
Në këtë kuadër, kryedemokrati i bëri thirrje NATO-s që të ndërhyjë për të garantuar sigurinë e vendit. “I bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut, ashtu siç po mbron Turqinë, të na garantojë mbrojtjen kundërajrore nga çdo kërcënim”, shtoi kryedemokrati.
Berisha theksoi se ndërsa mbrojtja ajrore është përgjegjësi e aleancës, siguria e brendshme duhet të garantohet nga institucionet shqiptare, duke kërkuar vigjilencë nga forcat e rendit për ruajtjen e qetësisë publike.
Ai kritikoi gjithashtu qeverinë për mënyrën se si ka reaguar ndaj paralajmërimit të ambasadës amerikane, duke e cilësuar si të papërshtatshme krahasimin e këtyre zhvillimeve me protestat e opozitës.
Sipas Berishës, paralajmërimi i ambasadës është i destinuar kryesisht për qytetarët dhe kompanitë amerikane që operojnë në Shqipëri, por kjo nuk përjashton nevojën për vëmendje dhe masa parandaluese nga autoritetet vendase.
“Çdo vend i NATO-s mbrohet nga aleanca dhe hapësira ajrore e Shqipërisë është pjesë e saj. Ne jemi të sigurt që NATO do të na mbrojë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të marrim masa edhe vetë”, theksoi ai.
Në përfundim, Berisha bëri thirrje për qetësi dhe vijim normal të jetës, duke nënvizuar se situata kërkon seriozitet, bashkëpunim me aleatët dhe masa konkrete për sigurinë kombëtare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.