Beteja e pashmangshme e Lulzim Bashës
Blendi Kajsiu
Heshtja duket se është strategjia kryesore e kryetarit të PD-së përballë fushatës që ka nisur Berisha… në bazë. Synimi i tij është të evitojë përballjen me Berishën dhe ta injorojë lëvizjen e tij derisa ajo të vdesë natyrshëm. Është një strategji që tregon qartë mungesë lidershipi. Por është edhe një strategji e gabuar sepse është thellësisht antidemokratike. Ajo jo vetëm e injoron, por edhe e mohon zërin e anëtarësisë. Deklarata e Bashës se nuk do lejojë mbledhjen e Kuvendit, është absurde për sa kohë diçka e tillë parashikohet në status me mbledhjen e 1500 firmave.
Të ndalosh mbledhjen e një forumi partiak në shkelje të hapur të çfarëdolloj norme demokratike është të luftosh Berishën me berishizëm. Kështu, nga PD-ja largohet Berisha, por forcohet berishizmi, sikurse më të drejtë ka argumentuar Lubonja.
Në këtë mënyrë, Basha i lë fushë të hapur Berishës që të mobilizojë bazën me një koleksion të pacipë gënjeshtrash. Ndërkohë që legjitimon kauzën berishiste si një betejë demokratike përballë një kryetari që jo vetëm ka frikë të takohet me bazën, por i mohon asaj edhe të drejtën bazike për t’u mbledhur dhe për të diskutuar në forume.
Këta dy faktorë e bëjnë shumë të vështirë fikjen e fushatës së Berishës. Përkundrazi, ato prodhojnë mobilizim dhe entuziazëm në një anëtarësi që është tejet e demoralizuar nga humbja e 25 prillit dhe e pakënaqur me kryetarin aktual, të cilin e rivotoi me gjysmë zemre. Shtoji kësaj edhe vëmendjen mediatike që do marrë fushata e Berishës në mediat tona, që mbushen vetëm me politikë, dhe atëherë shpresa se Basha mund ta mundë Berishën me heshtje duket gjithnjë e më fantastike.
Ndaj, Basha duhet të ndërmarrë një debat parimor ku të sulmojë pa doreza Berishën dhe lëvizjen e tij si antidemokratike, regresive, hipokrite, për interes personal dhe në dëm të opozitës, dhe për pasojë të Shqipërisë. Këtu, Basha ka një avantazh të madh që ai ndoshta nuk e dallon dot: Të Vërtetën!
Lëvizja e Berishës është antidemokratike sepse ajo synon të bëjë copë e cikë një standard që PD-ja e ka vendosur në skenën tonë politike, largimin nga Parlamenti i atyre politikanëve që janë shpallur non grata nga SHBA-të (pavarësisht arsyeve). Është një lëvizje antidemokratike sepse e vendos Berishën mbi standardet politike që ai u kërkon politikanëve të tjerë, si brenda edhe jashtë PD-së.
Kërkesa për hedhjen në referendum të largimit të Berishës është një provë tjetër se Berisha kërkon për vete standarde që nuk janë aplikuar për asnjë deputet para tij. Ai e ngriu me vendim personal Ngjelën në vitin 2006, duke e përjashtuar nga grupi parlamentar dhe kurrë nuk e hodhi këtë vendim në referendum.
Lëvizja “Berisha” është gjithashtu sa hipokrite edhe regresive. Është hipokrite sepse ndonëse pretendon se do vendosë demokracinë në PD, në fakt synon rikthimin e partisë nën kontrollin e doktorit, në mënyrë direkte apo nëpërmjet ndonjë zari. Deklarimi i Bashës si peng i Ramës dhe rrëzimi i tij nga Berisha nuk mund të prodhojë asgjë tjetër veçse kontrollin e PDsë nga ky i fundit.
Në këtë aspekt, lëvizja e Berishës është regresive dhe antihistorike. Ajo synon ta kthejë mbrapsht rrotën e historisë dhe ta pozicionojë PD-në në përplasje të hapur me SHBA-të. Vendosja e Berishës në krye të PD-së jo vetëm e rrudh atë tek elektorati gri dhe rinor, por u shpall luftë të hapur edhe SHBA-ve, duke e betonizuar Edi Ramën si interlokutorin e vetëm të Perëndimit në Tiranë.
Për këto arsye, beteja e Berishës nuk është aspak në interes të opozitës apo Shqipërisë. Nëse ka sukses, ajo e dobëson opozitën dhe për pasojë edhe demokracinë shqiptare. Lëvizja “Berisha” është produkt i patologjisë së tij politike që e sheh PD-në si pronë private. Përndryshe, ai jo vetëm do ish tërhequr prej kohësh, por nuk do ta fuste partinë në një rrugë pa krye si me elektoratin edhe me SHBA-të.
Basha ka detyrimin moral dhe politik t’ia thotë të gjitha këto të vërteta anëtarësisë demokrate dhe shoqërisë shqiptare. Ato nuk janë të vështira as për t’u shtjelluar dhe as për t’u kuptuar. Dhe nuk ka vend më të mirë se takimet apo forumet e partisë që ai drejton për të diskutuar dhe sqaruar anëtarësinë mbi atë se çfarë është dhe se çfarë prodhon lëvizja “Berisha” dhe sa absurde janë kërkesat e saj.
Nëse Basha sot, kur ka me vete disa të vërteta ulëritëse dhe SHBA-të, është i paaftë të mundë një Berishë të plakur që lufton kundër kohës, aq më pak mund të mundë Ramën nesër. Sidomos nëse tregon se partinë ia dhuroi doktori dhe ia legalizoi ambasadorja Kim.