Politika

Beteja me KAS/ Berisha sulmon të tijtë: Krimineli elektoral Ilir Rusmali me urdhër të Ramës rrëmbeu edhe mandatin e Belshit

Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka kritikuar ashpër vendimet e KAS, i cili rrëzoi kërkesat e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për pavlefshmërinë e kutive të burgut të Rrogozhinës dhe zgjedhjeve në Kamëz.
Përmes një deklarate për shtyp, Berisha tha se KAS- i i partisë ka dëshmuar të jetë një institucion i verbër, që ka humbur çdolloj norme dhe parimi dhe tashmë u vërsulet kundër kandidatëve fitimtarë.

“Këto dy-tre ditët e fundit, KAS-i i partisë është dëshmuar një institucion i verbër, një institucion që shkelmon të vërtetat elektorale, një institucion i cili kryesohet nga një person i shkarkuar për korrupsion, ish-bashkëpunëtor i afërt i imi.

Dhe tani humbet çdo lloj norme e parimi dhe vërsulet kundër kandidatëve fitimtarë, se si e si t’i kthejë në të mundur, me meskinitetin, me qëndrimin e tij kriminal ndaj ligjit dhe të vërtetës. Ky person, me urdhër të Edi Ramës, legjitimoi në Rrogozhinë qendrën e ngritur në burg pa asnjë vendim dhe asnjë akt nënligjor të ndonjë institucioni për ngritjen e një qendre votimi.

Ngritja e një qendre votimi në një vend të caktuar ka kushte dhe akte mbi të cilat bazohet. Qendra e votimit në burgun e Rrogozhinës është ngritur pa asnjë vendim, pa asnjë akt, pa asnjë procedurë. Është ngritur në një burg që kishte vetëm 2 vetë dhe u mbush me urgjencë nga krimineli elektoral Ulsi Manja vetëm e vetëm për të ndihmuar me vota kallp kandidatin e PS.

Në burgun e Rrogozhinës u dërgua një Edmond i Drejtorisë së Burgjeve, ai do dërgohet në SKAP si kriminel elektoral, i cili kërcënoi të burgosurit se nëse nuk bind këta persona, me emër, do përfundosh në burgun e regjimit special.

Në këtë mënyrë, të burgosurit, përveç vëzhguesit, u detyruan të firmosin votat e kërkuara. Por përsëri them këtu, që qendra e votimit nuk është ngritur mbi bazën e vendimeve ligjore, por është ngritur vetëm nga drejtori i burgut që e kishte dhëndër këtë kandidatin socialist, me Ulsi Manjën që është dhe krimineli elektoral në krye të drejtësisë shqiptare. Në këtë mënyrë, ata morën, siç kanë marrë me dhjetëra mandate të tjera, vazhdojnë të marrin mandate të opozitës”- tha ai.

Në betejën me KAS për të provuar grabitjen e votave në zgjedhjet e 14 Majit, Berisha nuk ka kursyer as ish-zv. kryeministrin e tij Ilir Rusmali, aktualisht anëtar i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve që vendos për ankesat e subjekteve zgjedhore.

Ish-kryeministri tha se “krimineli elektoral Ilir Rusmali me urdhër të Ramës rrëmbeu edhe mandatin e Belshit”. Sipas Berishës, Rusmajli ëndërron të bëhet Avokat Populli për këtë arsye ai ndërmori çdo hap për të rrëmbyer votën e shqiptarve.

“I njëjti skenar është përdorur nga krimineli elektoral Ilir Rusmali me urdhër të Edi Ramës, i cili ëndërron të bëhet Avokat Populli, është vepruar me Dumrenë. 40 vota, të gjitha në çdo kriter ligjor të pavlefshme, janë shpallur të pavlefshme nga krimineli elektoral Ilir Rusmali me urdhër të Edi Ramës, për t’i rrëmbyer mandatin Bedri Qypit.

Ndërkohë 16 vota janë shpallur të pavlefshme pasi iu ishte vendosur vetëm një votë, kurse vota ku shkruhej me laps të kuq dhe bëheshin shënime, ato ishin për kriminelin elektoral Ilir Rusmali dhe Edi Ramën, të vlefshme.

Natyrisht ne do ndjekim çdo procedurë ligjore, përfshi Strasburgun. Kjo ka vetëm një rrugë, protesta dhe vetëm protesta.

Përballë kemi një armik të egër të lirisë së shqiptarëve, i cili pasi shpalli Kodin Zgjedhor një kinezëri, ndërmori çdo hap për të rrëmbyer votën e shqiptarve.

Ndaj dhe ne, duhet me këtë situatë të ndërmarrim një dialog të fuqishëm mediatik dhe direkt, në mënyrë që të ngremë në këmbë lëvizjen e fuqishme që presin shqiptarët nga ne.

Kjo që ndodh në Shqipëri nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës. Nuk ndodh kurrë që kryeministri të caktojë kryetarin e koalicionit opozitar. Nuk ndodh kurrë që fondet elektorale t’u jepen kandidatëve të mazhorancës dhe asnjë qindarkë kandidatëve të opozitës. Nuk ndodh kurrë që qeveria të dërgojë zarfe me 50 mijë lekë për 683 mijë pensionistë në mes të fushatës elektorale. Nuk ndodh kurrë dhe nuk mund të ndodhë që administrata të shndërrohet në një polici politike të votës së shqiptarëve. Nuk ndodh kurrë që të shndërrohen në zgjedhës shëtitës 540 mijë shqiptarë.”- tha Berisha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button