Beteja për Mosulin, shtohen viktimat civile
Forcat irakiane kanë marrë edhe dy lagje të tjera në juglindje të Mosulit, por përparimi i tyre është ngadalësuar ndjeshëm nga taktika famëkeqe e Shteti Islamik, militantët e të cilit përdorin civilët si mburoja njerëzore.
Kombet e Bashkuara bënë me dije se në spitalet rreth Mosulit janë dërguar qindra civilë gjatë dy javëve të fundit, ndërsa intensifikohen luftimet për fortesën e fundit të xhihadistëve në Irak.
Raportohet se forcat elitë të ushtrisë irakiane në lindje dhe veri të qytetit kanë përparuar ndjeshëm që prej nisjes së vitit të ri, ndërsa forcat e mbështetura nga SHBA kanë arritur për herë të parë në brigjet e lumit Tigër që ndan qytetin më dysh.
Por luftimet urbane brenda lagjeve të Mosulit janë ashpëruar ndjeshëm. Zyrtarë të ushtrisë irakiane thanë se përparimi i tyre është shumë i ngadaltë dhe i kujdesshëm, pasi luftëtarët e ISIS fshihen mes familjeve civile.
Sipas autoriteteve irakiane, pavarësisht masave që merren, viktimat dhe të plagosurit mes civilëve nuk shmangen dot, pasi Shteti islamik i vret nëse ata ia mbathin drejt ushtrisë që përparon.
Megjithatë, komandantët ushtarakë thonë se forcat irakiane kanë mundur që shtinë në dorë thuajse të gjithë gjysmën lindore të Mosulit duke afruar më shumë çlirimin final të qytetit.