Bijtë që s’e kuptojnë hallin e nanës

Shumë shqiptarë të Kosovës e kanë dëshmu se janë eksperta me i keqlexu situatat në Shqipni.
Shumë prej tyre e bëjnë këtë nga ndjenjat më të çiltra të atdhedashurisë dhe nga idealet më sublime të patriotizmit.
Shumë prej tyre e kanë dëshmu që kanë qënë të gatshëm edhe me i çu vitet e rinisë nëpër burgjet serbe për dashninë zemërdjegun dhe të përshpirtë për Nanën Shqipni.
Por, ka edhe shumë prej tyre që keqleximin e kanë të qëllimshëm e dashakeq – një pjesë të nxitur nga relatat biznesore-partiake, disa të yshtur nga inferioriteti provincial zilar karshi Tiranës, të tjerët nga neojugosllavizmi smirak që i urren “rrobelat” e “shipecat” në thelb, në palcë, pavarësisht se kush është atje në pushtet.
Cilatdo qofshin cytjet e kewtij keqleximi – dhe pavarësisht nëse ai keqlexim buron nga interesi, naiviteti apo mëria – rezultanten e kanë të njëjtë, rreshtimin e gabuar historik kundruall ngjarjeve politike në Shqipni.
Në shkurt 1991, kur studentët e Universitetit të Tiranës ishin fut në grevë për heqjen e emrit “Enver Hoxha” nga universiteti, shumë shqiptarë të Kosovës kanë reagu kundër tyre – të habitur qysh ata nuk e dun figurën e Enverit, i cili në Kosovë për shumëkë ishte idhull dhe shihej si frymëzim nga të rinjtë idealistë që po sakrifikonin për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në Jugosllavi me shtetin amë.
Studentët fitun. Emri i universitetit u hoq. Madje u rrëzu edhe momumenti i Enver Hoxhës.
Megjithëkëtë, një muj e capak më vonë, në zgjedhjet e 31 marsit, Partia e Punës i fitoi gati 60% të votave.
Nëse e ndërpret këtu leximin e historisë, ose nëse historinë e lexon në boshllëk, të krijohet bindja se ata shqiptarë të Kosovës patën të drejtë, ndjenin damarin e popullit, ndërkaq studentët grevistë ishin kryekrejë ahistorike.
Por, ja që historia lexohet si rrymërrjedhë dialektike.
Vetëm një vit më vonë, në prill 1992, Partia e Punës (tanimë me emrin e ri, Partia Socialiste) humbi përfundimisht zgjedhjet në mënyrë plebishitare dhe pushteti i saj thuajse 48-vjeçar mori fund.
Pra, mund ta përkrahësh dikë që përkohësisht ka mbështetje popullore, por kjo nuk do të thotë se je rreshtu në anën e drejtë të historisë.
Në pranverën e vitit 1997, shqiptarët e Shqipnisë, të sfilitun nga hallet e jetës, kalamëndjet e tranzicionit të hershëm dhe mashtrimet e firmave piramidale, kishin dalë si lukuni rrugëve për me kërku drejtësi, qoftë edhe përmes kaosit dhe shkatërrimit.
Fajtorin e kishin shigjetu. Ai kishte vetëm një emër: Sali Berisha.
Një pjesë e madhe e elitës politike e intelektuale të viteve ’90 në Prishtinë – “burra nën hije që lozin e kuvendojnë”, qysh kish me i qujt Çajupi – yrysh e me i mbajtë leksione një populli të lemeritun se qysh, në emër të institucionalizmit, duhej me duru korrupsionin nepsqar qeveritar dhe hajninë e firmave rentiere vetëm e vetëm mos të goditet Sali Berisha, aleati i tyre politik.
Më shumë propagandë kundër protestuesve më 1997 kanë gromësit kalemxhijtë e shkresuriçkave të varfra mediatike të Prishtinës se zwdhwnwsit e gazetave proqeveritare në Tiranë.
Për disa sajdisje që ua kish bo Berisha e shpura e tij nëpër kiosqe të Golemit, ata pretendonin se kishin të drejtë me i qortu hallexhijtë që i kishin humb krejt pasurinë e kursimet e jetës.
Njënjëshëm gabun edhe kur përkrahen Berishën për Projekt-kushtetutën e 1994-s ose grusht-shtetin e 1998-s.
Fundja, këto janë shembuj nga një epokë kur shoqëritë shqiptare këtej e andej kufirit nuk kishin kontakt direkt pikërisht sepse kufiri ishte i hekurt.
Për më tepër, atëbotë nuk kishte as internet, as TV kabllore për ta njohur më mirë njëri-shoqin.
Mbase mu për këtë, atyre shqiptarëve të Kosovës në ato raste edhe u falet ahistoriciteti.
Por, në epokën e informacionit dhe komunikimit instant e intensiv, seku na del ky keqrreshtim. E, kjo nuk falet.
Nuk jam prej atyre që kanë pohu se Edi Rama nuk ka të drejtë të përzihet në Kosovë, siç kanë pohu shume prej këtyre që nga Prishtina sot po përzihen në Tiranë.
Madje kam reagu edhe publikisht kundër kësaj mëndësie provinciale të feudeve, bajraqeve e vilajeteve.
As tash nuk mendoj që shqiptarëve të Kosovës nuk u takon të përzihen në Tiranë.
Jam thjesht kundër hipokritëve e servilëve që krupshëm e mbrojnë korrupsionin e Albin Kurtit dhe protestojnë kundër korrupsionit të Edi Ramës.
Siç jam kundër atyre që, nën ngasjen e jaranive e gostisjeve me Edi Ramën, njëlloj si babaxhanët institucionalistë te sytliashtoreve të Prishtinës së viteve ’90, sot besojnë se mund ta moralizojnë një riosh Gen-Z në rrugët e Tiranës se qysh ai s’ka të drejtë të protestojë kundër padrejtësive që i jeton çdo ditë.
Po ashtu, nëse mendoni se jeni duke i bo favor Edi Ramës duke e mbulu me emblemën e UÇK-së si parzmore prej heshtave të dyndallës së protestës, gaboheni rëndë.
Tashmë kur e keni humb betejën e levëzimit të UÇK-së si ndërmjetësuese të legjitimimit politik në Prishtinë, po prisni që një çun a një gocë 20 vjeçare në Tiranë nuk del nesër në protestë vetëm sepse filani apo fisteku paska qënë apo nuk paska qënë, qënka pagu apo jo, në UÇK?!
Tekefundit, Shqipnia sot nuk është e pambrojë dhe nuk ka nevojë për mbrojtjen tonë.
Bile s’ka nevojë as për protestuesit tonë sepse mjaftueshëm njerëz paskan qënë të pakënaqun sa për me mbush bulevardin gjigant “Dëshmorët e Kombit” për gatise 30 ditë me radhë.
Bulevardin s’po e mbushin shqiptarët e Kosovës dhe bulevardin nuk mund ta mbushin iranianët.
Po e mbushin vetë shqiptarët e Shqipnisë.
Njekohësisht, Shqipnia dhe Edi Rama nuk po sulmohen nga jashtë as prej grekut e as prej serbit sa për me u ngrit na dhe oburrani me mbrojtë.
Ka pakënaqësi qytetare. Qeveria e ka nje arsyetim dhe kontranarracion të saj.
Asnjëra palë s’ka nevojë për ne.
Kaq e thjeshtë.
Kjo nuk do të thotë që ne, shqiptaret jashtë Republikës së Shqipnisë, s’kemi të drejtë me pas opinion për atë çka ngjan atje. Përkundrazi.
Vetëm se duhet të kemi kujdes – atyre që u rreshtun gabimisht me 1991 dhe 1997 edhe u falet sepse asohere mungonte kontakti personal dhe komunikimi masiv. Sot i kemi dyjat.
Prandaj neve nuk na falet.
Personalisht besoj që asnjë shtet në botë nuk dobësohet prej protestave paqësore dhe qytetarisë aktive. Përkundrazi, forcohet.
Po ashtu, të gjithë shtetet që janë anëtarësu më parë në BE kanë pas protesta qytetare dhe asnjërës nuk i është mohu anëtarësimi se paska protesta.
Edhe Shqipnia do të dalë më e fortë prej këtyre protestave. Prandaj, tash po më ndërmëndet veç parulla që Adem Demaçi me shokë e kanë shkru më 1964 rrugëve të Kosovës:
“Rroftë Shqipnia, nana jonë!”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.