Birçe Hasko, aktori që e solli shpirtin e Labërisë në skenë dhe ekran
Nga Ilir Çumani
Sot, teatri dhe kinemaja shqiptare humbën një nga profilet më të dashura, një artist ikonik që nuk kërkoi kurrë të ishte i madh me zhurmë, por që në fakt, ai u bë i madh me shpirt, me talent dhe me një humanizëm të rrallë.
Sot, në moshën 84-vjeçare, u nda nga jeta Birçe Hasko, aktori që për dekada me radhë i solli skenës dhe ekranit aromën e jugut shqiptar, humorin e mençur popullor dhe fisnikërinë e njeriut të thjeshtë.
Padyshim, Birçe Hasko i përkiste kategorisë së aktorëve më të shquar të karaktereve në artin skenik dhe kinematografik, ngase ai nuk ishte vetëm aktor, por në radhë të parë ishte një rrëfyes i mençur i shpirtit shqiptar.
Në zërin e tij dëgjohej Labëria me gjithë mençurinë dhe humorin e saj, në mimikën e tij pasqyroheshin karaktere të njohura të jetës sonë rurale dhe asaj urbane, ndërsa në interpretimet e tij gjallonte njeriu i zakonshëm me hallet, ëndrrat dhe gëzimet e tij.

Rruga e tij nisi në Dukatin e Vlorës, mes peizazheve dhe traditave që do të mbeteshin përgjithmonë pjesë e identitetit të tij artistik.
Përpara se të ngjitej në skenë, ai iu përkushtua arsimit si mësues dhe drejtues shkolle. Ndoshta pikërisht aty, mes fëmijëve dhe jetës së përditshme të fshatit shqiptar, ai mësoi të njihte aq mirë natyrën njerëzore, të cilën më pas do ta sillte me aq vërtetësi dhe realizëm në art.
Kur hyri në Institutin e Lartë të Arteve, Birçja nuk solli vetëm talentin, por edhe përvojën e jetës. Kjo e bëri lojën e tij aktoriale krejtësisht të vërtetë dhe shumë të pasur me një individualitet të veçantë.
Personazhet e tij nuk dukeshin të krijuara për skenën, por sikur kishin dalë enkas nga rrugët, oborret, arat dhe odat shqiptare. Publiku nuk shihte një aktor që luante, por njeriun real që jetonte përpara syve të tij.
Në teatër dhe film, ai ndërtoi me mjeshtëri figura që do të mbeten të gjalla në kujtesën kolektive. Edhe kur rolet ishin të vogla, prania e tij ishte mjaft mbresëlënëse dhe domethënëse.
Si rrallëkush prej të ngjashmëve të tij, Birçe Hasko zotëronte atë dhunti të rrallë që vetëm artistët e lindur e kanë: të krijonte karaktere që nuk harrohen.
Një shikim, një buzëqeshje, një intonacion i veçantë dhe një pauzë shpotitëse, do të mjaftonin për t’i dhënë jetë një personazhi dhe për ta bërë atë të pavdekshëm.
Humori i tij nuk ishte thjesht për të shkaktuar të qeshura, ngase ai vinte natyrshëm nga mençuria popullore, nga vëzhgimi i hollë i përvojës jetësore dhe nga dashuria për njeriun.
Ai dinte të qeshte me dobësitë njerëzore pa fyer askënd, të ironizonte pa lënduar dhe të krijonte gëzim pa artific. Për këtë arsye, publiku e ndjeu gjithmonë si një personazh prej vetes.
Por kontributi i Birçe Haskos nuk kufizohet vetëm te rolet që la pas. Për dekada, ai formoi breza të tërë artistësh si pedagog dhe profesor i Akademisë së Arteve.
Në auditorët ku ligjëroi, ai mbolli jo vetëm dije profesionale, por edhe etikën e artistit, respektin për skenën dhe dashurinë për artin. Shumë aktorë që sot ndriçojnë skenën shqiptare mbajnë ende gjurmët e mësimeve të tij.
Titujt “Artist i Merituar”, “Profesor” dhe “Mjeshtër i Madh” ishin vlerësime të merituara për veprën e tij, por ndoshta titulli më i bukur që ai fitoi ishte ai që nuk jepet me dekret: dashuria e publikut. Kjo është pasuria që nuk shuhet dhe nuk harrohet.
Sot, ndërsa skena shqiptare ul perden në nderim të tij, mbetet një ndjenjë trishtimi, por edhe mirënjohjeje. Trishtim për largimin e një artisti të madh; mirënjohje sepse ai na la pas dhjetëra personazhe, qindra kujtime dhe një model të rrallë përkushtimi ndaj artit.
Birçe Hasko u largua fizikisht, por prania dhe zëri i tij do të vazhdojnë të dëgjohen në filmat që shohim, buzëqeshja e tij do të rikthehet sa herë të hapet arkivi i kinemasë shqiptare dhe shpirti i tij artistik do të mbetet pjesë e pandashme e kulturës sonë kombëtare.

Lamtumirë, mjeshtër i skenës dhe ekranit. Shqipëria humbi një artist, por arti shqiptar fitoi përjetësinë e emrit tënd.
Në kujtesën e publikut do të mbetesh gjithmonë ai njeri i dashur, i thjeshtë, që dinte të sillte dritë, humor dhe jetë në çdo rol që prekte. Pushofsh në paqe.
Tiranë, e shtunë, 23 maj 2026.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.