Biznesmeni u vra pas sherrit banal, prangosen dy persona, dy në kërkim
Zbardhet atentati ndaj biznesmenit vlonjat Vasil Dervishaj. Arrestohen dy persona ndërkohë dy të tjerë janë shpalluir në kërkim.
Policia ka vënë në pranga shtetasit Nekid Arapi dhe Amarildo Grembi Muka të cilët akuzohen për përkrahjen e autorëve të krimit.
Ndërkohë në kërkim janë edhe dy persona të tjerë që kanë marrë pjesë në atentatin ndaj 29-vjeçarit, ngjarje e cila erdhi pas një sherri për motive banale.
Detajet e operacionit policor:
Strukturat e Policisë së Shtetit të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore Vlorë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, prej datës 4 Qershor 2018, ku në lagjen “Pavarësia”, pas një konflikti për motive të dobëta mbeti i vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasi V.D., 29 vjeç, kanë zhvilluar hetime intensive me qëllim zbardhjen, dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e vënien para drejtësisë autorët e krimit.
Si rezultat i një punë të mire organizuar është bërë e mundur zbardhja në kohë rekord e ngjarjes, identifikimi i autorëve të cilët janë shpallur në kërkim si dhe kapja e arrestimi i shtetasve të cilët kanë përkrahur autorët e krimit pas ngjarjes.
Konkretisht, janë shpallur në kërkim dy autorët, të cilët dyshohen se kanë kryer vrasjen e 29-vjeçarit:
Ø E.A., 31 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë;
Ø A.C., 28 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë.
Në vijim të veprimeve hetimore është kryer arrestimin në flagrancë të shtetasve:
Ø Nekid Arapi, 21 vjeç, banues në Vlorë,
Ø Amarildo Grembi (Muka), 28 vjeç, banues në Vlorë, të cilët kanë përkrahur autorët e krimit pas ngjarjes.
Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë punën për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore.
Në cilësinë e provës materiale janë sekustruar:
– një armë zjarri kallashnikov model 56, me një krëhër me fishekë.
– një gëzhojë armë zjarri, model 9 mm,
– një pjesë predhe armë zjarri e dëmtuar.
– si dhe një automjet tip “Audi”, me të cilin dyshohet se janë larguar autorët pasi kanë kryer krimin.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, në ngarkim të:
– Shtetasve E.A., dhe A.C., për veprën penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” parashikuar nga nenet 78, 25 dhe 278 të Kodit Penal.
– Shtetasit Nekid Arapi dhe Amarildo Grembi për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal
“Policia e Shtetit gjen rastin të falënderoje qytetarët për besimin dhe mbështetjen tek Policia, si dhe i fton e nxit që në rastet kur konstatojnë veprimtari antiligjore të telefonojnë në numrin pa pagesë 129 duke siguruar për një reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
Policia e Shtetit, megjithë vështirësitë është e angazhuar me gjithë kapacitetet e saj për të përmbushur detyrimet ligjore për të siguruar një ambjent më të sigurt, qytete më të sigurta veçanërisht përgjatë sezonit turistik, duke vlerësuar kontributin e gjithëkujt.
Nga ana tjeter Policia e Shtetit garanton se do të ndëshkoje me Forcën e Ligjit çdo shkelje dhe paligjshmeri, duke ndërtuar një Shqipëri me të qetë e të sigurt”, thuhet në komunikatën e policisë.