Boçi kundërshton hartën e re territoriale: Thikë pas shpine për qytetarët
Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, Luçiano Boçi, e ka cilësuar draftin e ri të hartës territoriale të propozuar nga Partia Socialiste si një projekt politik dhe “një thikë pas shpine për qytetarët”. Në një reagim në rrjetet sociale, deputeti demokrat thotë se drafti nuk është produkt i punës së Komisionit, por një nismë e njëanshme e mazhorancës, duke e akuzuar se synon interesa elektorale dhe jo përmirësimin e pushtetit vendor.
Deklarata e plotë e Boçit
“Drafti i paraqitur nga deputetët e PS për ndarjen territoriale është një tekst politik, i ndërtuar për të legjitimuar një vendim të marrë paraprakisht.
Është thjesht e vetëm një Hartë elektorale 2.0 Si e tillë është një iniciativë jo institucionale shtetërore me vija politike dhe matematikë votash që dekonsideron qytetarin e shërbimin ndaj tij, zhvlerëson funksionin e pushtetit lokal dhe krijon një precedent të rrezikshëm për çdo reformë tjetër e ndërveprim institucional të kërkuar me ngulm nga BE.
Drafti qartazi është një projekt për centralizimin të mëtejshëm të qeverisjes lokale, përkundrejt decentralizimit të kërkuar me insistim nga autoritetet ndërkombëtare si KiE, BE e Kongresi i autoriteve vendore.
Drafti është një produkt unilateral, i paraqitur nga PS pasi Komisioni ka mbyllur mandatin e tij, pa diskutim, debat apo miratim dhe pa një raport të përbashkët apo veçmas.
Vetë drafti pranon se propozimi depozitohet vetëm nga deputetët e mazhorancës, pasi mandati i Komisionit kishte përfunduar. Ky fakt mjafton për të rrëzuar pretendimin se kemi të bëjmë me një produkt institucional. Drafti brenda tij mashtron disa herë se mazhoranca kërkoi bashkëpunim dhe konsensus. Por faktet janë krejt të kundërta. Komisioni nuk mori kurrë një vendim mbi hartën. Nuk votoi asnjë variant. Nuk miratoi asnjë raport qoftë dhe të pjesshëm apo vlerësimi për 2014.
Nuk pati konkluzione të ekspertëve të paraqitura. Dhe dështoi me vullnetin e PS, dëgjesat tematike me grupet e interesit, me shoqatat e bashkive, shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare.
Dështoi dhe dëgjesat me komunitetet sipas kërkesave të tyre. Prandaj nuk mund të përdoret kurrsesi puna e Komisionit, për të legjitimuar një projekt që është ekskluzivisht politik.
Drafti pretendon se ulja nga 61 në 46 bashki mbështetet mbi analiza objektive. Por askund nuk publikohet: -Metodologjia e pikëzimit -Pesha e secilit indikator. -Analiza krahasuese për secilën bashki.
-Arsyet pse disa bashki shkrihen, ndërsa të tjera me tregues më të dobët mbeten. Në mungesë të metodologjisë së verifikueshme, vendimmarrja frikshëm është tërisisht politike dhe jo shkencore dhe as me frymë europiane.
Drafti pranon se problemi kryesor është shpopullimi, pabarazitë territoriale dhe mungesa e zhvillimit. Të gjitha këto pasoja të reformës së 2014. Por zgjidhja që propozon është alogjike, përsëri e njëjta që solli këto pasoja.
Pra më pak bashki. Në vend që t’i japë më shumë kompetenca, më shumë financa dhe më shumë autonomi pushtetit vendor, drafti zgjedh t’i largojë edhe më shumë institucionet nga qytetari.
Kështu ai trajton pasojën dhe jo shkakun. Në draft mungon tërësisht çdo analizë që provon se bashkitë e mëdha janë më efikase, qytetarët marrin më shumë shërbime në to, se kostot administrative bien, apo se investimet rriten.
Nuk ka asnjë provë që bashkitë më të mëdha japin shërbime më të mira Këto janë thjesht vetëm deklarata. E një reformë nuk mund të ndërtohet mbi deklarata. Ndërtohet mbi evidenca të sakta. Kjo mënyrë e të bërit reformë bie ndesh me filozofinë europiane të decentralizimit. Drafti përpiqet ta lidhë reformën me integrimin europian dhe pretendon se 70% e legjislacionit të BE zbatohet nga pushteti vendor. Por mos harrojmë që pikërisht për këtë arsye, Bashkimi Europian kërkon më shumë autonomi vendore, më shumë kompetenca, më shumë financa lokale, konsultim real.
BE nuk kërkon më pak bashki. Këshilli i Europës njëherazi në rekomandimet e fundit nuk kërkon reduktim të numrit të bashkive, por forcim të decentralizimit. Ky draft politik nuk u përgjigjet këtyre rekomandimeve.
Drafti flet për 3500 pjesëmarrës në dëgjesa. Por 3500 qytetarë për një vend me afro 2.4 milion banorë nuk mund të quhen konsultim kombëtar. Mbi të gjitha asnjë nga qëndrimet nuk publikohet kur dihet shumë mirë që në dëgjesat e bëra, (jo të plota) shumica dërmuese e zërave, gati 90%, ishin kundër uljes së numrit të Bashkive. Drafti pretendon se në propozime merren parasysh kriteret e largësisë, minoriteteve, identitetit, aksesit, vazhdimësisë gjeografike.
Por menjëherë përjashton disa bashki nga këto kritere si Përrenjasi, Dimali, Poliçani, Belshi, Cërriku Pra këtu kriteret vlejnë vetëm kur i leverdis mazhorancës. Kur nuk i leverdis atëherë ato nuk janë kritere.
Quhen përjashtime politike. Pra kriteret përdoren në mënyrë selektive Drafti krijon një strukturë të re ‘Bashki-Qytet-Njësi Administrative’. Por ai nuk sqaron as kompetencat as përgjegjësitë, as financimin, as marrëdhënien me këshillin bashkiak, as ndikimin në kostot administrative. Pra krijohet një hallkë e re burokratike pa analizë financiare.
Nga ana tjetër drafti nuk përmban koston e tranzicionit, koston e administratës, ndikimin mbi punësimin, ndikimin mbi buxhetet vendore, ndikimin mbi shërbimet. Kemi një draft kuturu nga pikpamja financiare. Një reformë territoriale pa analizë financiare është një eksperiment i paralajmëruar si dështim. Mazhoranca kërkon që bashkitë të japin mendim brenda 60 ditëve.
Shumë qesharake. Harta është shpallur tashmë dhe ‘konsultimi’ nuk mund të shërbejë për të legjitimuar një hartë që tashmë është fakt. Qartazi ky dokument nuk është një reformë e pushtetit vendor. Është një reformë e pushtetit qendror.
Është thikë politike mbi territorin si domen politik. Ai nuk forcon decentralizimin, por e dobëson atë. Nuk afron administratën me qytetarin, por qytetarin me administratën e largët. Nuk ndërton konsensus, por kërkon ta zëvendësojë atë me faktin e kryer. Nëse reforma e vitit 2014 u kritikua se u bë pa dialog të mjaftueshëm, kjo reformë po përsërit të njëjtin gabim fatal.
Po ndryshon hartën e Shqipërisë jo mbi një marrëveshje kombëtare, por mbi vullnetin e një shumice parlamentare. Drafti duhet të konsiderojë Kartën Europiane e Vetëqeverisjes Vendore dhe Kushtetutën e Shqipërisë të cilat orientojnë e kërkojnë domosdoshmërisht referendum në rast ndarje apo bashkimi territoresh. Vota e ‘deleve’ nuk mjafton për të legjitimuar këtë thikë mbi territorin dhe fatin e shqiptarëve.
Nëse deri dje arsyet për të protestuar ishin 100, nga sot ato janë 1000! Vetëm protesta e rrëzimi i thikë-gjuajtësit Ramë, e bën hartën sipas asaj që duan qytetarët.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.