Borusia mund Bajernin, i rrëmben përsëri Superkupën e Gjermanisë
23’ Mkhitarian, 62’ Aubamejang
Bajern Mynih 0
B. Dortmund: Langerak, Pizhçek, Sokratis, Ginter, Shmelcer (46’ Durm), Kehl, Kirsh (84’ Bender), Hofman, Mkhitarian, Aubamejang (64’ Ramos), Imobile.
Tr: J. Klop
B. Mynih: Nojer, Martinez (31’ Dante), Boateng, Alaba, Bernat, Rode, Gaudino, Hojbjerg (60’ Gëtce), Shaqiri, Myler (46’ Lahm), Levandovski.
Tr: P. Guardiola
b: Hojbjerg, Boateng, Lahm
Gjyqtar: Peter Gagelman
Jurgen Klop mposht Pep Guardiolën për të dytin edicion radhazi
Borusia Dortmund ka fituar për herë të pestë në historinë e saj Superkupën e Gjermanisë, duke mposhtur për të dytin vit radhazi Bajern Mynih, këtë herë me rezultatin 2-0. Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klop u dorëzua përballë bavarezëve të drejtuar nga Guardiola si në Bundesligë, ashtu edhe në Kupën e Gjermanisë në edicionin e kaluar. Por në këtë fillim sezoni, “kanarinat” janë shfaqur përsëri shumë më në formë se bavarezët, të cilët kishin mungesa të shumta në formacion për shkak të dëmtimeve apo fillimit me vonesë të fazës përgatitore nga lojtarët që morën pjesë në Botëror.
Një gjë e tillë dukej qartë në formacionin titullar të kampionëve në fuqi të Bundesligës, me Gëtze e Lahm që ishin në pankinë, ndërsa në tribunë kishin përfunduar Roben, Riberi, Shvajnshtajger e Tiago. Kjo bëri që Guardiola t’i besonte një vend në formacion disa të rinjve si Rode, Hojbjerg e Gaudino, ndërsa përballë ish-tifozëve të vet në “Iduna Park” luante nga e minuta e parë Robert Levandovski. Nga ana tjetër, te Borusia Dortmund mungonin Humels, Gundogan e Rojs, por skuadra e Klop nuk dukej se vuante nga këto mungesa, duke dominuar në këtë sfidë. Me përjashtim të disa driblimeve e tentativave të Shaqirit në minutat e para, Bajerni u dorëzoi frenat e lojës kundërshtarëve, duke vuajtur kombinimet e shpejta të treshes Mkhitarian-Aubamejang-Imobile, të cilët falë ndryshimeve të shpeshta të pozicioneve, vunë në vështirësi të dukshme prapavijën e bavarezëve. Imobile provoi disa herë me gjuajtjet e tij nga distanca, ndërsa Nojer u detyrua të shpëtonte portën e tij nga një gjuajtje e fortë e Kirsh me një devijim vendimtar. Por gardiani i pakalueshëm i Gjermanisë në Botërorin 2014 nuk arriti të bënte asgjë ndaj gjuajtjes së Mkhitarian në minutën e 23-të, pas një aksioni të shpejtë të vendasve. Trysnia e “kanarinave” para portës bavareze vazhdoi me tentativat e Aubamejang, Kehl dhe Hofman, që vunë në provë përsëri reflekset e Nojer. Nga ana tjetër, bavarezët e kishin thuajse të pamundur të krijonin diçka domethënëse, aq sa gjëja e vetme që mund të mbahej mend nga pjesa e parë e tyre ishte dëmtimi i Havi Martinez që i la vendin në formacion Dantes.
Dy tentativa të Levandovskit në kufirin e secilës pjesë loje nuk përbënë shqetësim për portierin Langerak, me sulmuesin polak që dukej qartësisht se ndiente trysninë që po ushtronin mbi të vërshëllimat e ish-tifozëve sa herë prekte topin. Planet e Guardiolës për të ndryshuar diçka në lojën e skuadrës së tij dështuan plotësisht në pjesën e dytë pas golit të Aubamejang në minutën e 62-të të ndeshjes, falë një aksioni perfekt të vendasve. Sulmuesi 25-vjeçar përshëndeti tifozët duke vendosur në kokë maskën e “Njeriut Merimangë”, për t’i lënë menjëherë më pas vendin në fushën e lojës blerjes së re të Borusias, Adrian Ramos. Por ky gol i dytë mbylli praktikisht ndeshjen, pasi Bajerni thuajse nuk rrezikoi asnjëherë seriozisht portën e Langerak, ndërsa Mkhitarian dhe Imobile shpërdoruan disa mundësi të mira për të siguruar një fitore më të thellë për skuadrën e tyre. Megjithatë, rezultati 2-0 ishte më se i mjaftueshëm për Borusian që filloi në mënyrë të shkëlqyer sezonin, duke treguar se pavarësisht largimit të një tjetër ylli në drejtim të bavarezëve, diferenca me Bajernin është ngushtuar.
Dëmtimi
Bajern Mynih mund të ketë humbur shërbimet e Havi Martinez për një kohë të gjatë. Pas dëmtimit të mesfushorit spanjoll në minutën e 31-të të sfidës dhe largimit të tij me barelë nga stadiumi, mediat gjermane bënë të ditur se dyshohet për një dëmtim në ligamentet e gjurit të majtë. Nëse vërtetohet një gjë e tillë, lojtari mund të mungojë për të paktën tre muaj nga fushat e lojës.
Real Madrid
Lojtarët që luajtën në Superkupën e Europës kushtuan 364 milionë paund
Ançeloti aktivizoi 11-shen më të shtrenjtë të historisë
Real Madrid ka nisur sezonin duke fituar trofeun e parë nga gjashtë të mundshëm që mund të sigurojë në edicionin 2014-2015, me triumfin në Superkupën e Europës. Për të bërë realitet një start të tillë, Karlo Ançeloti i ka besuar atij që ka hyrë në librin e rekordeve si formacioni më i kushtueshëm i të gjitha kohëve. Në total, 11 lojtarët që zbritën në fushën e lojës që nga minuta e parë përballë Seviljes në stadiumin e Kardifit, u kanë kushtuar madrilenëve 364 milionë paund.
Në formacionin titullar të Realit, vetëm Iker Kasijas nuk u ka kushtuar asgjë madrilenëve, pasi ka dalë nga akademia e klubit. Fabio Koentrao është blerja më e shtrenjtë në prapavijë, pasi u ka kushtuar 27 milionë paund, 3 milionë më shumë se Serxhio Ramos (24 mln paund), ndërsa Pepe (6 mln paund) dhe Karvahal (5 mln paund) kanë kushtuar shumë më pak. Mesfusha është reparti ku çmimet ngrihen ndjeshëm me Toni Kros (20 mln paund), Luka Modriç (30 mln paund) dhe Hames (60 mln paund). Ndërsa sulmi regjistron shifra të frikshme me Ronaldon (80 mln paund), Beil 85 mln paund) dhe Benzema (28 mln paund).
E vetmja skuadër tjetër europiane që ka luksin të hedhë në fushën e lojës një formacion titullar që i ka kushtuar më shumë se 300 milionë paund është PSG. Parisienët mund të aktivizojnë një formacion që u ka kushtuar 315.4 milionë paund nëse luajnë së bashku këta lojtarë: Sirigu (3.5 mln), Markinjos (28 mln), D. Luiz (50 mln), T. Silva (37 mln), Dinje (12 mln), Lukas Moura (35.2 mln), Kabaje (12 mln), Pastore (37 mln), Laveci (25.5 mln), Kavani (56.7 mln) dhe Ibrahimoviç (18.5 mln). Formacioni më i shtrenjtë në Angli i përket Çelsit me 298 milionë paund, ndërsa vlera maksimale e shpenzimeve të Barcelonës është vetëm 251.7 milionë paund, pasi te katalanasit nuk përllogariten lojtarë si Mesi, Iniesta, Çavi e Buskets, të cilët kanë dalë nga akademia e klubit.
Vendimi
Tërhiqet Riberi: Nuk do të luaj më për Francën
Frank Riberi është ylli i radhës që i jep lamtumirën karrierës me kombëtaren për t’u përqendruar vetëm te klubi. Mesfushori i Bajern Mynih ka marrë këtë vendim për të mos rrezikuar më dëmtimet. Një i tillë e la jashtë Botërorit 2014 dhe lojtari nuk dëshiron që të përballet më me polemikat që e shoqëruan tërheqjen e tij nga pjesëmarrja në këtë aktivitet. “E kuptova që ky është momenti i duhur. Dua t’i përkushtohem më shumë familjes time, Bajern Mynihut dhe të krijoj mundësinë që të zgjas karrierën time futbollistike”, u shpreh lojtari 31-vjeçar. Tri ditë më parë, edhe mesfushori Samir Nasri deklaroi largimin nga Franca.
Shkurt
Petr Çeh
Skuadra e Çelsit i ka bërë të ditur portierit çek, Petr Çeh, të shfrytëzojë javët e fundit të merkatos për të gjetur një ekip të ri, pasi në këtë sezon, titullar do të jetë Tibo Kurtua. 32-vjeçari ka nisur bisedimet me Monako dhe PSG, të cilat janë të gatshme të paguajnë rreth 10 milionë euro për portierin që ka luajtur 10 vite te Çelsi.
Kurt Çeçner
Është ndarë dje nga jeta në moshën 85-vjeçare ish-gjyqtari gjerman, Kurt Çeçner. Ky i fundit ka hyrë në historinë e futbollit si gjyqtari i parë që ka përdorur kartonin e verdhë në ndeshje zyrtare. Çeçner ndëshkoi rusin Kashi Asatiani në ndeshjen e hapjes së Botërorit 1970 mes Meksikës dhe Bashkimit Sovjetik.
Ebola
Konfederata e Futbollit Afrikan ka vendosur që të zhvendosë ndeshjet e Kupës së Kombeve të Afrikës nga ato vende që janë goditur më rëndë nga virusi i Ebolës. Sipas këtij vendimi, shtetet të cilat aktualisht nuk mund të zhvillojnë ndeshje në stadiumet e vendit të tyre janë Guinea, Liberia dhe Sierra Leone, ndërsa po monitorohen Nigeria dhe Ruanda.