BotaKryeartikull

Bota reagon e tronditur: “Solidarë krah Francës”

Tronditje botërore pas sulmeve terroriste në Paris. Politikanë nga e gjithë bota dënojnë këto akte dhune dhe shprehin solidaritetin e tyre me Francën. Presidenti francez bën përgjegjës Shtetin Islamik për terrorin.

Sulmet e Parisit, sipas presidentit francez, Francois Hollande janë kryer nga milicët ekstremistë të Shtetit Islamik. Bëhet fjalë për një akt lufte, tha ai të shtunën (14.11) në Paris. Ndërkohë presidenti amerikan Barack Obama i ka dënuar sulmet e Parisit si një “përpjekje të përbuzshme” për të terrorizuar civilë të pafajshëm. Këto nuk janë vetëm sulme ndaj Parisit dhe popullit francez, por kundër të gjithë njerëzimit, tha Obama në Uashington. Ende është herët për të thënë saktë se kush qëndron pas këtyre sulmeve. Në një fjalim të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë, Obama ofroi ndihmën e vendit të tij “për t’i nxjerrë terroristët para gjyqit”. Franca është aleati më i vjetër i Shteteve të Bashkuara. Populli francez ka qëndruar gjithmonë krah për krah popullit amerikan, tha Obama.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon i dënoi sulmet e Parisit me ton të ashpër. Ai beson se autoritetet franceze do të bëjnë gjithçka është në dorën e tyre për të kapur fjatorët “e këtyre akteve të tmerrshme” e nxjerrë ata para gjyqit, deklaroi Ban në Nju Jork. Ai u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe u shpreh për një shërim të shpejtë të të lënduarve. Ban Ki Moon u shpreh se qëndron në krah të popullit franez në këtë moment.

Frankreich Terror in Paris Reax Obama
Obama dënon sulmet e Parisit

Edhe Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara bëri fjalë për “sulme terroriste barbare dhe frikacake”. Në deklaratën e instancës më të lartë të Kombeve të Bashkuara thuhet se “anëtarët e Këshillit të Sigurimit shprehin ngushëllimin e tyre të thellë për viktimat dhe solidaritetin me qeverinë franceze.” Fajtorët e këtyre akteve duhet të dalin para drejtësisë.

Merkel “thellësisht e tronditur”

Tronditje pas sulmeve në Paris edhe në Berlin: Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se “është thellësisht e tronditur nga lajmet dhe pamjet që vijnë nga Parisi”. Ajo shtoi se “mendimet e mia janë në këto orë tek viktimat e sulmeve të qarta terroriste, tek të afërmit e tyre dhe të gjithë njerëzit në Paris.” Qeveria gjermane po qëndron në kontakt të ngushtë me qeverinë franceze dhe i ka shprehur asaj solidaritetin e njerëzve në Gjermani. Ky nuk është vetëm sulm ndaj Francës, por kundër të gjithëve, ka thënë Merkel, duke theksuar se Gjermania është krah Francës për të mbrojtur vlerat europiane.

Drejtori i kabinetit të kancelares, Peter Altmeier, një nga personat më të besuar të Merkelit, shkroi në twitter: “Ne vajtojmë për viktimat e pafajshme të Parisit. Por nuk do të përkulemi para urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës.” Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier shprehu tronditjen e tij: “Ne qëndrojmë në krah të Francës”, tha ai. Në një reagim të parë shprehu tronditjen e tij edhe presidenti gjerman, Joachim Gauck. “Jam shumë i tronditur duke parë lajmet që vijnë nga Franca”, tha ai duke shtuar se “është me mendimet e tij pranë viktimave, të afërmve të tyre dhe popullit francez.”

Frankreich Terror in Paris Ansprache Hollande

“Solidarë në krah të francezëve”

Edhe politikanë të tjerë të nivelit të lartë të Bashkimit Europian kanë shprehur solidaritetin me Francën. “Mendimet tona janë tek familjet e viktimave, mbështetja jonë është për autoritetet” shkroi presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz në twitter. Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Donald Tusk shkroi se ai po i ndjek i shokuar raportimet mbi sulmet e Parisit. Ndërsa presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker shkroi se “ne jemi solidarë në këtë moment krah Francës”.

 

Pressekonferenz Merkel
Merkel shprehet “thellësisht e tronditur”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i siguroi Francës mbështetjen e aleancës ushtarake atlantiko-veriore. NATO qëndron krah Francës në luftë kundër terrorizmit” tha Stoltenberg. “Terrorizmi nuk do të mund të fitojë mbi demokracinë”, shtoi ai.

Edhe Rusia po ashtu shprehet e shokuar pas sulmeve në Paris. “Ne i dënojmë thellësisht këto akte çnjerëzore dhe jemi të gatshëm të ofrojmë çdo lloj ndihme në hetimet për zbardhjen e këtyre krimeve terroriste”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov në Moskë. Ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Sacharova tha se Rusia ndan me Francën dhimbjen në këto momente.

Nga Deutsche Welle

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button