Britania, ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës
Ndihma që i dha popullit të Kosovës dhe përkrahja e fuqishme në çlirimin e tij, e pasuar me mbështetje edhe në përcaktimin e statusit, e bënë Britaninë e Madhe një ndër shtet e para mike që njohën pavarësinë e Kosovës.
Britania ka ndihmuar shumë në vendosjen e Kosovës në hartën botërore, si shtet i pavarur. Rrëfimi i një miqësie mes dy vendeve vazhdoi edhe pas shtet-ndërtimit të Republikës më të re në Evropë, përkrahja e britanikëve është mjaft e madhe në ngritjen e kapaciteteve në fusha të ndryshme për institucionet dhe popullin e Kosovës.
Vizita e Princit të Wales dhe Dukeshës së Cornwellit, sot në Kosovë, është edhe një dëshmi që Kosova e gëzon mbështetjen dhe respektin e Britanisë.
Britania, vendi me një histori shumë të pasur ushtarake, po jep një mbështetje mjaft të madhe në fushën e sigurisë në Kosovë. Madje është shteti i parë që ka nënshkruar marrëveshje bilaterale me Republikën e Kosovës, në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, në vitin 2009.
Sa të rëndësishme janë bashkëpunimet me Britaninë, e tregon edhe fakti që një kolonel i ushtrisë britanike, në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, është këshilltar i Komandantit të FSK-së, ndërsa shefi i ekipit këshillues të NATO-së (EKN), në Ministrinë e FSK-së, çdo herë është nga Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar. Nga ky bashkëpunim i ngushtë, tashmë janë 13 pjesëtarë të FSK-së të diplomuar në Akademinë Mbretërore Ushtarake, Sandhurst(RMAS).
Princi Charles, i cili sot dhe nesër do të qëndroj në Republikën e Kosovës, po e viziton Kosovën për herë të dytë. Vizita e tij e parë ka qenë në shatorin e vitit 1999, ku atë botë erdhi në Kosovë për të mbështetur trupat britanike që kishin ndihmuar në çlirimin e Kosovës, dhe vendosjes së paqes këtu. Ardhja e dytë e Princit në Kosovë, nga njerëzit që kanë punuar në diplomacinë kosovare, po konsiderohet si shumë e rëndësishme.
Muhamet Hamiti, ambasadori i parë i Kosovës në Londër(2009-2012), tani profesor në Universitetin e Prishtinës, flet për KosovaPress për vizitën e Princit Charles dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Ka pasur dhe vazhdon të ketë një simpati të madhe të popullit britanik, të autoriteteve britanike, për Kosovën. Unë kam qenë ambasador në kohën kur është ndërruar Qeveria, janë ndërruar formacionet qeveritare, kemi pasur mbështetje të jashtëzakonshme nga Qeveria e Blair-it, më vonë e Gordon Braun-it, por edhe Qeveria aktuale e David Cameron-it. Kështu që jemi me fat që të dyja kampet e mëdha politike në Mbretërinë e Bashkuar, të dyja kampet politike mbështesin Kosovën, njëherë për pavarësi e tani për stabilizim të Kosovës në botë”, thekson Hamiti.
Duke vlerësuar kontributin e Britanisë për Kosovën, Hamiti shprehet se “vendi ka nevojë për përkrahje edhe më të madhe në fusha të tjera”.
Fusha e sigurisë në Kosovë mbetet padyshim, më bashkëpunuesja me shtetin e Britanisë.
Oficerë të lartë të FSK-së ndjekin kolegjin e lartë të studimeve për mbrojtje në Londër(RCDS). Vazhdon mbështetja në trajnimet gjuhësore në Kosovë dhe Britani, ka edhe trajnime mjekësore, e edhe mbështetje të trupës muzikore të FSK-së. Bashkëpunim ka edhe në trajnimin e këmbësorisë me vizita nëpër ekipe trajnimi, ose individë që shkojnë në Britani.
Pjesëmarrja e personelit të FSK-së, për herë të parë në ushtrimet e NATO-së, kësaj radhe po bëhet me Marinën Mbretërore.
Gjithashtu për herë të parë, është bërë pjesëmarrja e udhëheqjes së lartë të FSK-së në Kolegjin Mbretëror të Studimeve për Mbrojtje. Në Kolegjin Mbretëror të Mbrojtjes në Londër, që është institucioni më i lartë i Akademisë Ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar, ka përfunduar studimet një-vjeçare, gjeneral brigade, Gëzim Hazrolli, zëvendëskomandant i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së. E aktualisht, në po këtë kolegj, është duke i ndjekur studimet, gjeneral brigade, Enver Cikaqi, Komandant i Komandës së Doktrinës dhe stërvitjes.
Ngjarja e fundit që shënoi historinë e Kosovës në Londër, ishte shpërblimi që mori oficer-kadeti i FSK-së, i cili përfundoi shkollimin një-vjeçar në Sandhurst dhe mori Shpatën si oficeri më i mirë ndërkombëtar, nga vet Princi Charles. Ismail Hoxha, ishteoficeri i parë nga Ballkani që u shpërblye me një çmim të tillë.
Princi Charles, bashkë me Dukeshën e Cornwellit, do të qëndrojë sot dhe nesër në Kosovë.