Ekonomia

BSH bëhet agresive, ulet norma bazë, në 1.25%; Sejko pesimist, rritja nën parashikim

Banka e Shqipërisë ka suprizuar sot, duke ulur normën bazë për të dytën herë radhazi, për ta çuar atë në një tjetër minimum historik prej 1.25%.
Në mbledhjen e mëparshme, rreth një muaj më parë, banka e uli normën në 1.5%. Kjo është hera e 15 që institucioni monetar qendror ul normën bazë, që nga shtatori 2011 kur filloi politikën lehtësuese monetare. Por, një ulje e tillë dy herë është parë vetem në nëntor- dhjetor 2013. Përgjithësisht Banka e Shqipërisë lë një periudhë disa mujore që lehtësimi i politikës të japë efekt. Vendimi i Bankës së Shqipërisë vjen në një kohë që konsumi ka rezultuar me rënie për herë të parë që nga viti 1998 dhe kur inflacioni ka qenë afër zero për muajt e parë të 2016-s. Përmes uljes së normës bazë, Banka e Shqipërisë i jep sinjal tregun për lehtësimin e kostos së kredisë dhe rritjes së shpenzimeve nga individët e bizneset. Pavarësisht se interesat e kredive në lekë në mars zbritën në minimum historik prej 7.4%, kredia vijoi të jetë e dobët, duke shënuar një rënie me 2% me bazë vjetore, ndërsa rritja ka qenë minimale në shkurt e mars. Gjithashtu, në mbledhjen e sotme Këshilli Mbikëqyrës vendosi që norma e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë të jetë në nivelin 0.25%, dhe norma e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë të jetë në nivelin 2.25%.

Sejko: Rritja ekonomike nën parashikim

Gjatë fjalës së tij, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko pojoi se “Informacioni i ri ekonomik dhe monetar i muajve të fundit ka qenë përgjithësisht në kahun e poshtëm të pritjeve tona. Rritja ekonomike e tremujorit të katërt të vitit 2015 rezultoi disi më e ulët se parashikimi, ndërsa inflacioni i tremujorit të parë të vitit 2016 shënoi një rënie të fortë dhe të papritur si pasojë e goditjeve të ofertës”. “Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi. Në një horizont afatmesëm, ne presim një rritje ekonomike në përmirësim dhe një kthim gradual të inflacionit në objektiv. Megjithatë, informacioni i ri ilustron rrezikun dhe pasiguritë që ka materializimi i këtij skenari. Në veçanti, ambienti i jashtëm shfaqet i përkeqësuar – si në drejtim të rritjes së eksporteve tona, ashtu edhe në drejtim të presioneve dezinflacioniste që burojnë prej tij – ndërsa besimi dhe klima e biznesit në ekonominë shqiptare vazhdojnë të mbeten të luhatshme. Këto zhvillime tentojnë të ngadalësojnë shpejtësinë e kthimit të ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv.

Në përgjigje të tyre, në vazhdim të analizave dhe parashikimeve të Raportit Tremujor të Politikës Monetare, të miratuar sot nga Këshilli Mbikëqyrës, si dhe në linjë me qëndrimin e mëparshëm të politikës monetare, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit. Kjo ulje e normës bazë të interesit synon rritjen e stimulit monetar në ekonomi. Nëpërmjet reduktimit të normave të interesit në tregun financiar, politika jonë monetare synon të mbështesë rritjen e mëtejshme të kredisë, të konsumit dhe të investimeve private. Kjo lëvizje sinjalizon gjithashtu vullnetin e Bankës së Shqipërisë për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në përputhje me objektivin e saj të inflacionit.

Më lejoni të ofroj në vijim një pasqyrë më të detajuar të analizave dhe konkluzioneve tona.

Inflacioni mesatar i tremujorit të parë rezultoi në nivelin 0.7%. Brenda këtij tremujori, inflacioni shënoi një rënie të fortë gjatë dy muajve të parë dhe u stabilizua në nivele të ulëta – prej 0.3% – në muajin mars. Rënia e inflacionit ka ardhur nga goditje të ofertës, në formën e niveleve të ulëta të inflacionit të artikujve ushqimorë dhe të rënies së çmimit të naftës, si dhe nga faktorë teknikë të bazës së lartë krahasuese të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Këto goditje origjinojnë në masën më të madhe në tregun ndërkombëtar dhe janë reflektuar në rënie të shpejtë të inflacionit në të gjitha vendet e rajonit. Ndikimi i tyre në inflacion pritet të jetë kalimtar. Megjithatë, ky ndikim do të jetë i dukshëm edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit, por do të shkojë gradualisht drejt shuarjes në tremujorin e tretë dhe të katërt. Në përgjigje edhe të rritjes ekonomike, niveli i inflacionit në fund të vitit 2016 pritet të luhatet rreth vlerës 1.9%, një ulje kjo kundrejt parashikimit prej 2.3% të Raportit tonë Tremujor paraardhës. Ndonëse rënia e inflacionit në tremujorin e parë u ndikua nga goditje të ofertës, presionet e përgjithshme inflacioniste në vend vazhdojnë të mbeten të ulëta. Kërkesa agregate, ekspansioni monetar dhe pritjet inflacioniste, nuk sinjalizojnë rikuperim të shpejtë të inflacionit drejt objektivit.

Edhe pse në rritje, kërkesa agregate nuk është ende e aftë të gjenerojë një shfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese, si në tregun e punës dhe në atë të kapitalit. Për rrjedhojë, presionet për rritje të pagave dhe të kostove të prodhimit mbeten të dobëta, çka reflektohet në vlerat e ulëta të inflacionit bazë.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 2.2% gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015. Balanca e informacionit të disponuar sugjeron se ajo ka shënuar norma të ngjashme rritjeje edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Nga këndvështrimi sektorial, rritja ekonomike është udhëhequr nga zgjerimi i aktivitetit në sektorin e ndërtimit dhe të shërbimeve, ndërkohë që aktiviteti industrial shfaq dobësi si pasojë e koniunkturës së pafavorshme në tregjet botërore dhe në partnerët tanë tregtarë. Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, rritja ekonomike është udhëhequr kryesisht nga zgjerimi i konsumit familjar dhe i investimeve private.

Këto tendenca pritet të shoqërojnë rritjen ekonomike edhe gjatë vitit 2016. Rritja ekonomike e këtij viti pritet të jetë disi më e lartë se norma prej 2.6% e regjistruar në vitin 2015, por disi më e ulët në krahasim me vlerësimet tona paraardhëse. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të ndihmohet nga vazhdimi i trendit pozitiv të konsumit dhe të investimeve private. Rritja e tyre pritet të financohet në masën më të madhe nga kursimet e sektorit privat dhe nga projektet e investimeve të huaja direkte, por ajo do të përfitojë edhe nga kushtet më të favorshme financiare që priten të ekzistojnë gjatë vitit 2016. Në përgjigje të politikës monetare stimuluese dhe të reduktimit të huamarrjes publike në tregjet e brendshme, ambienti financiar karakterizohet nga likuiditet i bollshëm dhe nga norma të ulëta interesi. Po kështu, kursi i këmbimit është i qëndrueshëm, bilancet financiare të bizneseve, të familjeve dhe të sektorit bankar shfaqen në përmirësim, ndërsa standardet e kreditimit janë lehtësuar. Megjithatë, këto kushte financiare stimuluese nuk janë përkthyer ende në rritje të qëndrueshme të kredisë, si pasojë e hezitimit të pranishëm në sjelljen e agjentëve ekonomikë dhe financiarë. Duke përjashtuar efektin e çregjistrimit të kredive nga bilancet e bankave, portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje mesatare vjetore prej 2.4% gjatë dy muajve të parë të vitit.

Banka e Shqipërisë gjykon se sistemi bankar duhet të tregohet më realist dhe i guximshëm në vendimet e tij të kreditimit. Transmetimi i plotë i efekteve të politikës monetare në tregjet financiare do të shoqërohet me rritjen e interesimit të bankave ndaj kreditimit. Gjithashtu, suksesi i planit të masave për reduktimin e kredive me probleme do të ndihmojë në uljen e rrezikut të perceptuar të kreditit. Të dy këta faktorë krijojnë premisa për një ecuri më të mirë të kredisë në të ardhmen.

Në terma afatmesëm, rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim gjatë viteve 2017 e 2018. Në këtë horizont kohor, ajo pritet të reflektojë më mirë efektet e politikës monetare stimuluese dhe të gjejë një mbështetje më të madhe nga përmirësimi i mjedisit botëror. Ekonomia shqiptare parashikohet të kthehet gradualisht në ekuilibër gjatë vitit 2017, duke ndihmuar në kthimin e inflacionit në objektiv rreth fundit të vitit 2018. Të dy këto projeksione shfaqin një shmangie të lehtë nga parashikimi paraardhës, ndërkohë që balanca e rreziqeve vazhdon të qëndrojë në kahun e poshtëm.

Duke synuar të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ruajë normën e interesit të depozitës njëditore në nivelin 0.25% dhe të zbresë normën e interesit të kredisë njëditore në nivelin 2.25%.

Duke gjykuar mbi informacionin e disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se stimuli monetar mund të rritet më tej gjatë vitit 2016, ndërkohë që cikli rritës i normave të interesit nuk do të fillojë para vitit 2017.

Në mbyllje, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se politika monetare lehtësuese është një parakusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm për gjenerimin e një rritjeje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme ekonomike. Kjo politikë duhet të shoqërohet me forcimin e ritmit të reformave strukturore në ekonomi, si dhe me përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e klimës së biznesit dhe reduktimin e primeve – aktuale apo të perceptuara – të rrezikut në ekonomi”, tha Sejko.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button