Ekonomia

BSH: Ja si mund të merrni pjesë në ankande

Në kushtet kur normat e interesit në tregun financiar janë të gjitha në vlerat minimale historike, shumë individë po rrisin interesin për të investuar kursimet e tyre në këtë sektor.

Sipas Bankës së Shqipërisë, një alternativë për këtë janë fondet e investimit në lekë të klientëve vetëm në bono dhe obligacione. Çdo individ mund të marrë pjesë në ankandet për emetimin e obligacioneve, duke hapur llogari në një bankë tregtare të licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare si shoqëri komisionere të letrave me vlerë. Më pas, pjesëmarrja dhe oferta në ankand kryhen përmes bankës. Shuma minimale e përcaktuar për pjesëmarrjen në ankande është 500 mijë lekë.

Njoftimet e ankandeve shpallen rregullisht nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave. Në ankande mund të merret pjesë me ofertë konkurruese, duke ofruar një interes të caktuar, ose me kërkesë jo konkurruese. Në rast se bëni një ofertë jo konkurruese, obligacionet do të merren me interesin mesatar të ofertave konkurruese.

Sipas rregullores së ankandeve, jo më shumë se 50% e shumës totale të obligacioneve shitet tek ofertat jo konkurruese. Kjo nënkupton se, në rastin kur shuma totale e kërkesave jokonkurruese është më e lartë se tavani prej 50%, atëherë aplikohet prorata, për të llogaritur pjesën e fondeve që do të pranohen për investim. Kjo do të thotë se çdo kërkese jokonkururese i pranohet një shumë e barabartë me proratën, që është raporti i hapësirës në dispozicion për kërkesat jokonkurruese kundrejt shumës totale të kërkesave jokonkurruese, e shprehur në përqindje.

Shuma maksimale e lejuar për të marrë pjesë në ankand me kërkesë jokonkurruese është 30 milionë lekë.Kërkesa me një shumë më të madhe se 30 milionë lekë konsiderohet automatikisht si kërkesë konkurruese. Në rast se oferta konkurruese shpallet fituese, pjesëmarrësi merr një njoftim individual nga Banka e Shqipërisë, së bashku me vërtetimin e shpalljes fitues. Ministria e Financave i paguan interesat e obligacioneve me frekuencë 6-mujore, ndërkohë që shlyerja e obligacionit përpara maturimit mund të bëhet duke i shitur ato në tregun sekondar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button