Ekonomia

BSH, kritika bankave për rënien e kredive: Mos bllokoni paratë

Rënia e kreditimit e ka detyruar bankën e shqipërisë të forcojë tonet ndaj sistemit bankar. Si asnjëherë tjeter, guvernatori Gent Sejko kritikoi haptazi bankat private për sjellje të ngurtë.

“I bëj thirrje sistemit bankar të shkëputet nga qëndrimi relativisht pasiv. Duhet të kuptoni se ka ardhur koha të ktheheni në biznesin tradicional të bankës tregtare, kreditimin e ekonomisë. Mos vazhdoni të jeni peng i disa praktikave të vjetra të kredive të dështuara”, u shpreh Sejko.

Në janar kredia ishte 2.6 për qind më e ulët se një vit më parë. Banka druhet se rënia e kredive mund të vërë në pikëpyetje rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Zinxhiri drejtues i Bankës së Shqipërisë nuk është i kënaqur me situatën aktuale, ndërkohë që arsyet apo pretendimet e shumta që mund të ngrihen nuk mund të justifikojnë një lloj apatie dhe mungese oreksi për rrezik në investim. Presioni ynë sa do të vijë dhe do të rritet në këtë drejtim. Ju ftoj të merrni sa më shpejt masa korrektuese për të mbështetur më mirë ekonominë me kredi”, deklaroi Sejko.

Por bankat thonë se kanë arsye për të qenë të kujdeshme dhe më kryesorja ndër to mbetet frika nga moskthimi i kredive.

“Ekzekutimi i kolateraleve mbetet ende një kërcënim. Ekzekutimi efektiv i tyre do të sillte një performancë më të mirë të bankave në uljen e kredive të këqija. Reduktimi i kredive me probleme nga 25 në 18 për qind ka qenë rezultat i përpjekjeve të koordinuara të bankave dhe masave të Bankës së Shqipërisë. Ajo nuk erdhi plotësisht si rezultat i mbledhjes së borxhit ashtu siç duhet të ishte”, tha Christian Canacaris, president i Shoqatës së Bankave.

Në dy vitet e fundit rritja ekonomike ka ardhur duke u forcuar. Por ekspertët e madje dhe vetë qeveria druhen se nëse nuk do të mbështet me kredi, rimëkëmbja e ekonomisë mund të ngadalësohet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button