Ekonomia

BSH: Stabiliteti financiar, për 7 nga 8 komponentë rreziqet rriten mbi mesataren

aaPas krizës financiare të vitit 2008, stabiliteti financiar në vend mbetet me një rrezik të shtuar mbi nivelin mesatar gati për 7 komponentë nga 8 të marra në një studim të punonjësve të Bankës së Shqipërisë. Studimi është kryer nga Arisa Saqe, Odeta Minka dhe Vasilika Kota të Departamentit të Stabilitetit Financiar dhe të Statistikave.
Ekonomia e Brendshme, mjedisi i jashtëm, individët, bizneset dhe qeveria tashmë përbëjnë një risk mbi normalen për stabilitetin financiar në vend kryesisht (sistemin bankar).

Treguesit e mesatarizuar për kategoritë e “Ekonomisë së brendshme”dhe “Mjedisit të jashtëm” reflektojnë një nivel të ulët rreziku në periudhën para krizës financiare 2007-2008, me vlera nën nivelin mesatar. Në periudhën 2007-2008 treguesi i “Mjedisit të jashtëm” merr vlera rreziku mbi mesataren, kryesisht si rezultat i rritjes së presioneve në tregjet financiare. Vlerat e tij gjithashtu tentojnë të rriten gjatë vitit 2011, si pasojë e dy tronditjeve të tjera në mjedisin e jashtëm: kriza greke dhe kriza e borxhit në Eurozonë, ku kontributin kryesor e kanë dhënë rënia e PBB-së së partnerëve tanë tregtarë dhe rritja e papunësisë në vendet fqinje (Itali dhe Greqi).
Kategoria “Ekonomia e brendshme” duket se e pasqyron krizën financiare pas 2008, ku vlerësimi i rrezikut luhatet në vlerat 6-8. Kontributi kryesor në këtë vlerësim ka ardhur nga hendeku i prodhimit dhe madhësia e borxhit të jashtëm.
Treguesit e mesatarizuar të kategorive “Individët” dhe “Bizneset”, gjithashtu rezultojnë me nivel rreziku nën mesatar para krizës financiare. Rreziku nga kategoria “Individët” ka filluar të rritet gjatë periudhës 2008-2010, kryesisht për shkak të rritjes së normës së papunësisë, rënies së cilësisë së portofolit të kredisë, rënies së pritshshmërive dhe dërgesave të emigrantëve. Pas 2012, rreziku nga kjo kategori shënon një kapërcim të ri mbi mesataren dhe ka vazhduar të qëndrojë mbi këtë nivel, kryesisht për shkak të rënies së ndjeshme të cilësisë së portofolit të individëve dhe ngadalësimit të kreditimit për këtë sektor.
Kategoria “Bizneset” i reflekton pasojat e krizës pas 2008, periudhë që përkon me rënien e ritmit të kreditimit për bizneset nën mesataren afatgjatë, si edhe rënie të indeksit të vëllimit të prodhimit. Pas 2012 T2, niveli i rrezikut i përcjellë nga kjo kategori ka reflektuar një rritje të ndjeshme për shkak të ngadalësimit të kreditimit, përkeqësimit të cilësisë së kredisë dhe të pritshmërive të bizneseve.
Për kategorinë e “Qeverisë”, rreziku ka qenë mbi nivelin mesatar deri në 2004, si rezultat i madhësisë së deficitit buxhetor dhe kostos së borxhit në këtë periudhë, por ka ardhur duke u zbutur gjatë periudhës së konsolidimit fiskal 2005-2006. Kjo tendencë ka vijuar deri në periudhën para krizës financiare, ku rreziku nga kjo kategori vlerësohet i ulët, me vlera të treguesit të mesatarizuar rreth 1 dhe 2.
Në vitin 2009, treguesi është rritur pak mbi nivelin mesatar, kryesisht prej kontributit të madhësisë së borxhit të qeverisë dhe primit të rrezikut sovran, por duke u pasuar nga një periudhë zbutjeje. Duke filluar që prej 2012, ecuria e treguesit të mesatarizuar të kësaj kategorie sinjalizon rritje të rrezikut, si rezultat i zgjerimit të ndjeshëm të borxhit dhe deficitit buxhetor dhe ecurisë së dobët të të ardhurave tatimore.
Treguesi i mesatarizuar i “Kapitalizimit dhe përfitueshmërisë” së sektorit bankar paraqet vlera të ulëta rreziku si para krizës financiare (periudha 2006-2007) dhe gjatë saj (2007-2008), çka reflekton situatën e mirë të kapitalizimit dhe përfitueshmërisë në këtë periudhë dhe mospërfshirjen e bankave tona në investime toksike. Rreziku lidhur me këtë kategori është rritur mbi mesataren që nga 2011 dhe ka vazhduar të qëndrojë mbi këtë nivel, kryesisht si rezultat i nivelit të lartë të kredive me probleme dhe efektit gërryes të tyre mbi kapitalizimin dhe përfitueshmërinë e bankave.
Nga ana tjetër, treguesi i mesatarizuar i kategorisë “Likuiditeti dhe financimi” shfaq një reagim të fortë në momentet e zhvillimit të krizës financiare në periudhën 2007-2008, me nota rreziku në rritje dhe mbi nivelin mesatar. Ai arrin vlerat maksimale gjatë periudhës 2008-2009, kur pasojat e krizës u ndjenë në sektorin bankar shqiptar kryesisht në aspektin e rritjes së pasigurisë së publikut, gjë që u shoqërua me rrjedhje të depozitave jashtë sistemit financiar dhe rënie të ndjeshme të likuiditetit. Pas kësaj periudhe, vlerësimi i rrezikut ka ardhur duke u zbutur, si rezultat i rikthimit të depozitave në sistem dhe përmirësimit të situatës. Gjithsesi, niveli i rrezikut nga kjo kategori vijon të mbetet ndjeshëm mbi nivelin mesatar dhe me tendencë rritëse, ndikuar kryesisht nga rënia e vazhdueshme e ritmit të depozitimit të individëve në sistem dhe tendenca rënëse e raportit depozita/kredi.
Në ndryshim nga dy kategoritë e lartpërmendura të sektorit bankar, niveli i rrezikut nga kategoria e “Strukturës së sektorit bankar” vlerësohet si mesatar ose pak mbi mesatar në periudhën para krizës financiare (para 2007T4), ndërsa gjatë krizës dhe më pas, vlerësimi për rrezikun bie nën nivelin mesatar.
Pikërisht në këtë periudhë, bankat kanë diversifikuar strukturën e burimeve të financimit të tyre si reagim ndaj krizës financiare, gjë që ka sjellë zbutje të rrezikut nga kjo kategori. Gjatë dy viteve të fundit, vlerësimi i rrezikut nga kjo kategori ka ardhur duke u zbutur më tej, kryesisht si rezultat i rënies së vazhdueshme të peshës së bankës më të madhe në vend (Bankës Raiffeisen), duke e ulur peshën e përbashkët të dy bankave dominuese.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button