☀️
Tiranë 16°C · Kthjellët 01 June 2026
S&P 500 7,580 ▲0.22%
DOW 51,032 ▲0.72%
NASDAQ 26,973 ▲0.2%
NAFTA 89.74 ▲2.72%
ARI 4,571 ▼0.48%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1658 EUR/GBP 0.8668 EUR/CHF 0.9116 EUR/ALL 95.5012 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4677 EUR/TRY 53.4671 EUR/JPY 185.65 EUR/CAD 1.6085 EUR/USD 1.1658 EUR/GBP 0.8668 EUR/CHF 0.9116 EUR/ALL 95.5012 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4677 EUR/TRY 53.4671 EUR/JPY 185.65 EUR/CAD 1.6085
₿ CRYPTO
BTC $73,922 ▼ -0.02% ETH $2,016 ▼ -0.42% XRP $1.3368 ▼ -0.11% SOL $82.8800 ▲ +0.12%
S&P 500 7,580 ▲0.22 % DOW 51,032 ▲0.72 % NASDAQ 26,973 ▲0.2 % NAFTA 89.74 ▲2.72 % ARI 4,571 ▼0.48 % S&P 500 7,580 ▲0.22 % DOW 51,032 ▲0.72 % NASDAQ 26,973 ▲0.2 % NAFTA 89.74 ▲2.72 % ARI 4,571 ▼0.48 %
EUR/USD 1.1658 EUR/GBP 0.8668 EUR/CHF 0.9116 EUR/ALL 95.5012 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4677 EUR/TRY 53.4671 EUR/JPY 185.65 EUR/CAD 1.6085 EUR/USD 1.1658 EUR/GBP 0.8668 EUR/CHF 0.9116 EUR/ALL 95.5012 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4677 EUR/TRY 53.4671 EUR/JPY 185.65 EUR/CAD 1.6085
01 Jun 2026
Breaking
Opinion

Bujaria amerikane – një shpirt njerëzor

-Duke pritur 250-vjetorin e themelimit të SHBA-së-

Nga SHEFQET MEKO

Amerika më bëri “tjetër njeri”. I jam mirënjohës. Edhe pse në rininë time nuk ëndërroja të bëhesha qytetar amerikan, fati është fat. Falë bashkëshortes sime, që fitoi Lotarinë Amerikane në vitin 1999, unë u bëra pjesë e kësaj shoqërie që “zien” dhe nuk ndalet kurrë. Në pak radhë dua të sjell diçka që e kam përjetuar vetë. Momentet që kam jetuar do të “vdesin me mua”, ndaj, sa jam ende këtu ku jam, dua t’i kujtoj. Pak ditë më parë u rrëfeva për Maura Schwartz dhe Stan Nowakowski. Sot mendova të rrëfej thjesht për “bujarinë që preket”. Ajo ka një emër: Bujari Amerikane. Është e vërtetë se shqiptarët krenohen me bujarinë e tyre. Nuk ka dyshim se ky virtyt shqiptar është më i lashtë se vetë Amerika, por kur “ledhaton” bujarinë që të ofrojnë amerikanët, sikur prek një botë tjetër. E veçanta e kësaj sjelljeje amerikane është se ajo bëhet dhe harrohet. Shumë amerikanë nuk e demonstrojnë bujarinë e tyre që ti të mbetesh përjetësisht mirënjohës. Jo. Ata e bëjnë, në radhë të parë, sepse ndihen mirë me veten. Duke ofruar atë që munden, amerikanët e vërtetë ndihen sikur kanë kryer një detyrë ndaj Zotit: kanë ndihmuar një të panjohur. Shpesh, amerikani i vërtetë e bën këtë gjest dhe pastaj zhduket në punën e vet. Nëse ti kujtohesh t’i thuash “faleminderit”, ke bërë vetëm detyrën tënde. Familja ime emigroi në Amerikë duke gjetur të hapur një “Derë Amerikane”. Këtë nuk e kam harruar dhe nuk do ta harroj. Jo shumë njerëz e kanë një fat të tillë. Cili ishte angazhimi im pas kësaj? Të pasoja “dhuratën amerikane”, duke bërë të njëjtën gjë për të tjerët. E kam bërë, sa kam mundur, dhe jam krenar për këtë. Kujtesa ime shkon në vitin 1998. Sapo kisha themeluar Qendrën Kërkimore për Zhvillimin Rural – QKZHR.(Reserach Center for Rural Developemnt (RCRD). Një amerikan që punonte me projektin e IFDC-së,(USID Projekt), Chan Sieben, nga Illinois, më premtoi një dhuratë dhe më fali kompjuterin e parë të jetës sime. Aty mora email-et e para dhe fillova të “mësoja të ardhmen”. Kur u largova për në Amerikë, këtë dhuratë e përcolla me dokumentacion si pronë të kësaj organizate, të cilën ia lashë, me dokumente zyrtare, një dibrani që, sa më kujtohet, quhej Agim Deva, nga Muhurri i Dibrës. Viti 2000. Viti im i parë në SHBA. Një gazetar i njohur në Kansas City, Ken Root, mësoi se sapo kisha emigruar në Amerikë. Me të isha takuar gjatë një udhëtimi në SHBA në vitin 1996 dhe patëm një intervistë në radion “Agri-Talk”. A e dini cila ishte dhurata e tij? Një kompjuter i përdorur, por jashtëzakonisht i dobishëm. Në ato kohë, Ken Root do të shkruante me entuziazëm për mua, duke botuar një artikull të veçantë dhe të paharruar: “Shefqet Meko Comes to America” – “Shefqet Meko vjen në Amerikë”. Ai kompjuter ishte porta ime e parë elektronike në SHBA, një portë që nuk mund ta harroj kurrë. Gazetari Ken Root do të më ndiqte hap pas hapi në SHBA, duke marrë pjesë edhe në festën shqiptare në Minneapolis “Thank You USA”, ku unë, bashkë me familjen time, shpreha mirënjohjen që isha bërë qytetar amerikan. Ishte një kapërcim i madh në jetën time, një kapërcim që ende nuk di si ta shpreh plotësisht. Festa e vetme e shqiptarëve në qytetet binjake. E pohoj me krenari. Një tjetër njeri kërkoi që emri i tij të mos përmendej askund. Ishte një i krishterë amerikan i jashtëzakonshëm. Në vjeshtën e vitit 2000, ai do të më ofronte një drekë familjare në një restorant në Mall of America dhe do të më blinte një xhup për dimër. Sa herë vesh një rrobë të re, më kujtohet ai njeri që kërkoi të mbetej pa emër. Dhe ndoshta pikërisht aty qëndron madhështia e bujarisë: të japësh, pa kërkuar të dukesh. Po unë, çfarë mësova nga kjo bujari? Së pari, nuk e harrova kurrë. Së dyti, jam munduar ta përcjell te të tjerët atë lloj mbështetjeje që kam provuar nga amerikanët. Në jetën time amerikane kam pasur rastin t’u hap derën miqve, të afërmve, emigrantëve të sapoardhur dhe njerëzve që kërkonin një dorë në ditët e para të vështira. Disa prej tyre erdhën me ëndrra të mëdha dhe me mundësi të pakta. Disa kishin nevojë për një ftesë, disa për një këshillë, disa për një adresë, disa për një punë, disa për një njeri që t’u thoshte: “Mos u tremb, këtu fillohet nga e para.” Kam qenë i lumtur kur kam mundur të ndihmoj mikun tim të madh, të ndjerin Medi Koxhaj, të vinte dy herë në SHBA. Kam qenë i lumtur kur kam mundur t’u jem pranë familjeve shqiptare që kërkonin një fillim më të sigurt në këtë vend. Jam ndier mirë kur një emigrant shqiptar, i hutuar në fillim, gjeti më pas rrugën e vet, miqtë e vet, familjen e vet dhe dinjitetin e vet amerikan. Emrat janë të shumtë, historitë janë të shumta, por nuk dua t’i kthej në listë. Bujaria nuk është regjistër. Bujaria është kujtesë dhe mirënjohje. Dikush mund ta harrojë; s’ka gjë. Harresa mbetet në “xhepin e tij”. Në qytetet binjake kam parë shqiptarë që vinin me valixhe të vogla dhe me brenga të mëdha. Kam parë sy që kërkonin një pikë orientimi. Kam parë familje që trembeshin nga e panjohura, por që, pak nga pak, u ngritën në këmbë. Nëse kam qenë diku pranë tyre, qoftë edhe për një çast, këtë e shoh si vazhdim të asaj që dikur amerikanët bënë për mua. Nuk e them këtë për të kërkuar falënderime. E them sepse kështu mbyllet rrethi i mirënjohjes: merr një dorë dhe, një ditë, bëhesh dorë për dikë tjetër. Amerika ka një bujari të veçantë: ajo të rrëfen rrugët, të jep mbështetjen kur je në nevojë dhe pastaj të lë të ecësh vetë, nëse nuk ke frikë. A nuk është kjo bujari e vërtetë? Bujarinë nuk e mban mend ai që e bën. Bujarinë e kujton ai që e ka marrë, siç e kujtoj unë. Prandaj solla këta shembuj: për të dëshmuar se një e mirë e përjetuar nuk duhet varrosur kurrë. Ajo duhet përcjellë. Nuk ka një komb të dytë si Amerika, ku ndihma të afrohet dhe, pas saj, “amerikani zhduket”. Amerika 250-vjeçare është plot me shembuj të tillë. Jam i bindur se secili ka “rrëfimin e vet”. Në fakt, kjo “zhdukje amerikane” ka një kuptim gati tejtokësor. Është si universi në pafundësinë e vet: i pranishëm, edhe kur nuk duket. Kam filluar edhe unë të bëhem i tillë: të ofroj ndihmë për njerëz që nuk i njoh, madje ndonjëherë as nuk dua t’i njoh më tej. Kjo është si një dhuratë që fluturon në qiell dhe pastaj të ndjek pas me një magji të habitshme. Nuk e di nëse këtë e menaxhon Zoti, rastësia apo thjesht prirja e njeriut për t’u bërë më i mirë. Di vetëm se një e mirë, kur përcillet, nuk humbet. Ajo gjen rrugën e vet. Unë jam produkt i bujarisë amerikane, sikurse kam mbijetuar në Shqipëri falë bujarisë dhe burrërisë shqiptare. Të dyja dua t’i bashkoj brenda vetes. Nuk e di pse, megjithatë, ato mbeten të veçanta. Unë dua t’i përqafoj të dyja, ashtu siç përqafon një baba i mirë fëmijët e vet të rritur, që largohen për të dëshmuar burrërinë, pavarësinë dhe dinjitetin e moshës. Jeta rrokulliset në kohë, mes shanseve që njeriu merr dhe atyre që njeriu u jep të tjerëve. Sa mirë është të dish të jesh mirënjohës. Dhe po aq mirë është të dish ta përcjellësh më tej atë që ke marrë: bujarinë amerikane.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.